Kosova ta themelon Akademinë policore me kohëzgjatje 4 vjeçare, mjaft me polic të kurseve disa mujore që po futen në krim e korrupsion!

Kosova ta themelon Akademinë policore me kohëzgjatje 4 vjeçare, mjaft me polic të kurseve disa mujore që po futen në krim e korrupsion!

Hajrullah Tërnava

  • 08 March 2021 - 13:33

Shkruan: Hajrullah Tërnava

Situata e arrestimeve të tetë policëve nga ana e inspektoratit policor të Kosovës, e dëshmon dyshimin e kamotshëm se situata në përgjithësi, në polici nuk është e mirë, dhe me këto fakte të arrestimeve të tyre, po vërtetohet për gjendjen tepër alarmante të infiltrimit të strukturave kriminale edhe në policinë e shtetit, një nga institucionet më të besueshme për qytetarët që ka qenë deri tash, madje edhe me vlerësimet e raporteve të organizatave ndërkombëtare, por që këto dy tre vitet e fundit, ky vlerësim dhe besim ka filluar të zbehet nga skandalet dhe e zbulimet e rrjeteve të krimit të organizuar edhe përbrenda policisë.

- Lidhur me këtë zbulim të fundit të grupit të inkriminuar në policinë e Kosovës ka reaguar edhe ambasadori amerikan Kosnet i cili ka thënë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe se një meritë të madhe në këtë zbulim e kanë edhe qytetarët e guximshëm që kanë denoncuar rastet, kurse Inspektorati policor ka arrestuar zyrtarët policorë. Tani këto arrestime janë fakte që flasin mjaftueshëm për nevojën e fillimit gjeneral të verifikimit, pastrimit dhe dekriminalizimit edhe të kësaj strukture policore, ngase politika e inkriminuar, për vite të tëra, ka instaluar edhe në polici grupet e veta të interesit, dhe kështu e ka dëmtuar seriozisht strukturën me bazë të shëndoshë të fillimit të ndërtimit menjëherë pas luftës, e ku rolin kryesor e kanë pasur ekspertët e mirënjohur gjerman dhe amerikan.

Këto arsyet e këtyre arrestimeve na detyrojnë që të bëjmë analiza më të thella nga ekspertët e policisë dhe të sigurisë, për pastërtinë e tyre profesionale dhe të aftësimit të tyre profesional, sepse në të kaluarën këto kuadro i shkollonin në Akademinë Policore që dikur ishte si shkollë profesionale e mesme, e cila i shkollonte ato kuadro për katër vite rishtazi, e në fund ata që e kryenin iu pranohej shkolla e mesme dhe kryerja e ushtrisë, dhe gjatë shkollimit të tyre katër vjeçar, ata jetonin në objektet shkollore si konvikte dhe objekte tjera përcjellëse si salla të fizkulturës, të xhudos, dhe tjera objekte ushtarake që i duheshin një Akademie.

Kadetët e asaj shkolle shkolloheshin për katër vite dhe gjatë asaj periudhe aftësoheshin për profesionin e tyre në ardhje si polic dhe të tjerat shërbime që i kryen policia në shërbimet e tyre, njëkohësisht ata aftësoheshin edhe për drejtimin e automjeteve dhe ju nënshtroheshin aty provimeve për patentë, e kryenin notin dhe skijimin në mënyrë që gjatë situatave në jetët e tyre, policët duhej të ishin të gatshëm ti sakrifikojnë edhe jetët e tyre për ti shpëtuar qytetarët e tyre, qofshin edhe kur janë duke notuar apo edhe duke rrëshqitur në borë nëpër terrene rrëshqitëse ku do ti rrezikonin edhe jetët e tyre për ta shpëtuar qytetarin.

Ajo që ishte më e mira për përgatitjet e tyre kishte të bënte me atë se përpos lëndëve të rregullta të përgjithshme që kryhen edhe në shkollat tjera të mesme, ata mësonin edhe lëndët profesionale sikur që ishin: Fillet e së drejtës, e drejta penale, kriminalistikën taktike, teknike, operative, kriminologji, medicina gjyqësore e shumë lëndë tjera që edhe studentët i kryejnë sot në fakultetin juridik.

Më e rëndësishmja ishte se nxënësit mësonin edhe tjera lëndë profesionale sikur që ishin rregullat e shërbimit profesional policor, ishte ajo lënda profesionale që me të madhe kadetët polic në ardhje të stërvitshin dhe me teknikat e ushtrimeve të sporteve profesionale, të sportit të xhudos, xhiuxhicës, karatesë dhe duhej që të mësonin në detaje ato teknika, që nesër kur t’iu tregohet rasti ta kenë aftësi të përballen me sukses edhe me sulmuesin.

Por mos ta harrojmë faktin kryesor që në të kaluarën janë bërë verifikime në detaje për kandidatin i cili ka konkurruar në Akademinë Policore, dhe ajo e rëndësishmja që ka qenë se në ato kohëra nuk ka ekzistuar nepotizmi e familjarizimi, sikur tani kur në polici ka raste që punon e tërë familja, prandaj në historikun e policisë nuk kemi pasur rast të burgosjes së ndonjë polici që ka qenë i involvuar në droge dhe tjera punë të pista për çfarë burgosen sot kriminelët.

Prandaj mirë kishte me qenë që ti epet rëndësi më e madhe mënyrës së shkollimit dhe aftësimit të policisë për të ardhmen dhe aktivizimi i Akademisë së Policisë, si shkollë të rregullt, të nxënësve të rregullt që për tri apo katër vite sa zgjatë shkollimi të aftësohen për profesionin.

Para se të pranohet në shkollë kadeti të bëhen edhe verifikimet në detaje për ata kandidat që konkurrojnë në atë shkollë, se kush i plotëson kushtet me u pranua dhe kush jo. Kjo metodë përdoret edhe në shtetet e perëndimit, në BE e jo si përfolët tani që policia përgatitet vetëm me kurse disa muajsh. Kjo është mënyrë e përgatitjes së policisë vetëm në situata të jashtëzakonshme.

Nëse duam ta kemi policine komplete mirë të përgatitur, sa më parë duhet ti qasemi kësaj mënyre të shkollimit të kuadrove policore me njerëz të përgatitur mirë të cilët janë të shkolluar në instancat më të larta për ato lëndë që duhet ti ligjërojnë në atë Akademi, dhe besoj që një polici i përgatitur në këtë mënyrë do ia kthente reputacionin e policisë sikur duhet të jetë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".