Vrasjet enigmatike dhe vdekjet e pasqaruara në Kosovë po e rrezikojnë seriozisht sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit!

Vrasjet  enigmatike dhe vdekjet  e pasqaruara në Kosovë po e rrezikojnë seriozisht sigurinë e qytetarëve dhe të shtetit!

Gani Qarri

  • 08 March 2021 - 07:42

Shkruan: Gani Qarri

Përderisa këtu vërtetë bëhet fjalë për raste serioze dhe krime të rënda” që për mbi 20 vite, nën ndikimin e SHIK-ut, mbeten të mbuluara, organizatë fantome që përflitet se ka instaluar ilegalisht agjentët dhe emisarët e vet në të gjitha institucionet e shtetit, ndaj dhe ende mbanë çdo gjë nën kontroll të vetin, përfundimisht shteti duhet të tregohet më agil, te reagojë më fuqishëm dhe ndërmarrë të gjitha masat e duhura, për mbrojtjen me kohë të zyrtarëve të vet aktiv që luftojnë krimin dhe të gjithë personave të rrezikuar.

-Në Kosovë, ka më se një vit që kanë filluar sërish vrasjet enigmatike dhe vdekjet e dyshimta. Madje, përderisa me 27 shkurt të vitit të kaluar, u gjet i vdekur në veturën e tij, ish ushtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi, dhe sot e atëherë nuk dihet asgjë për autorët dhe shkaqet e vrasjes së tij. Më 15 janar të këtij viti vdiq në rrethana të pa sqaruara edhe ish polici Fadil Syleviq , për të cilin dyshohet se ishte dëshmitar i Gjykatës Speciale, njëjtë siç flitej edhe për Kelmendin. Pak orë pas arrestimit të ish eprorit të UÇK-së, nga fshati Matiçan Salih Mustafa dhe dërgimit të tij në objektet e Gjykatës Speciale në Hagë, qe publikuar një fotografi e Mustafës me ish-hetuesin policor, Fadil Syleviqin i cili çuditërisht do të vdiste “ për shkaqe shëndetësore” mu pranë fshatit të lindjes së z. Mustafa.

Në fillim të muajit shkurt, sapo kishte filluar procesi gjyqësor në Prishtinë, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në fund, po të muajt shkurt, në mënyrë krejtësisht misterioze Prokuroria Speciale e Kosovës, tërheq fletarrestimin ndaj të dyshuarit kryesor për përgatitjen e vrasjes së Ivanoviqit dhe njërit nga kriminelët më të mëdhenj serb të bandave të veriut, Milan Radoiçiqi. Fakti se Radoiçiqi bashkë me kryekriminelin Zvonko Veselinoviq udhëheqësin e grupit kriminal në veri të Kosovës, janë të dyshuarit kryesor të përgatitjes dhe organizimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Prokurorisë së ashtuquajtur “Speciale” të Kosovës, nuk i intereson fare, dhe qysh në fillim të procesit gjyqësor tërheq flet arrestin për të dyshuarin Radoiçiq, gjë që nuk ndodhë askund në botë. Ndërsa me 3 mars të këtij viti, në rrethana të ngjashme me Fadil Syleviqin, vdiq edhe prokurori i Prokurorisë Speciale Enver Krasniqi, i cili ishte duke hetuar tri, nga rastet më të bujshme në Kosovë, si ai i 2.1 milionëshit të vjedhur nga Thesari i shtetit, rasti i tentimit të thyerjes së Kasafortës së Presidentit dhe listat e veteranëve.

Por edhe për prokurorin e Prokurorisë Speciale Enver Krasniqi u tha njëjtë si për Syleviqin, se vdiq nën dyshimet e goditjes nga infarkti. Të gjitha këto zhvillime të habitshme, shkaktojnë jo vetëm precedent të padëgjuar, por krijojnë edhe dyshime dhe mbjellin frikë e pa siguri të pafund në opinion Heshtja e habitshme e organeve zyrtare të prokurorisë dhe gjyqësisë së kapur të Kosovës për vdekjen e anëtarit dhe kolegut të profesionit prokurorit Enver Krasniqit e bën shumë të dyshimtë rastin e tij. Mirëpo sido që të ketë qenë, vdekja e Fadil Syleviqit, u cilësua si vdekje “e dyshimtë”, dhe nga prokuroria themelore në Prishtinë, u njoftua se kanë nisur hetimet për sqarimin e vdekjes së Syleviqit, ndërsa lidhur me vdekjen e prokurorit Krasniqi nuk flet askush. Enver Krasniqi ishte personi kyç që kishte më së shumti njohuri mbi rastet që ishte duke hetuar, apo ndoshta ishte edhe afër zbulimit të ndonjërit prej tyre, ndaj dhe duhej të eliminohej në qetësi, pa zhurmë të madhe dhe pa jehonë publike, duke u kujdesur maksimalisht nga profesionistët e akteve makabre, që jo vetëm vendi i shuarjes të jetë sa më atraktiv, e jashtë objekteve të mbyllura të punës por edhe vdekjes ti jepet pamje qetësuese me përmbaresa sa më natyrore.

Madje për vet faktin se prokurori Enver Krasniqi ishte duke hetuar rastet speciale të krimit të organizuar si aferën e vjedhjes famoze të 2.1 milion eurove të zhvatura "për sefa" dhe pa therë në këmbë, nga Arkivi i shtetit, listën e veteranëve dhe vjedhjen e kasafortës, vdekja e tij e papritur, bëhet edhe më e dyshimtë, për të gjitha institucionet dhe qytetarët e vendit, ndaj dhe urgjentisht, duhet hetuar. Kurse për vdekjen e papritur të prokurorit Enver Krasniqi, unë mendojë se pikësëpari duhet të hetohen ish kryetari mafioz i LDK-së, jugo komunisti Isa Mustafa dhe kryeministri nga kjo parti, i qeverisë antikushtetuese Avdullah Hoti, të cilët sidomos për rastin e vjedhjes së 2.1 milion eurove nga Arkivi i shtetit, gjatë kohës së qeverisjes nga LDK, mund të kenë rënë në konflikt të hapur me prokurorin Enver Krasniqi, gjë që duket të ketë detyruar të jepte dorëheqje të parakohshme nga pozita e ministres së financave edhe vet Hikmete Bajramin.

Përndryshe nëse nuk hetohen me kohë dhe përkushtim të duhur nga organet përkatëse të shtetit, vet këto raste misterioze, po dëshmojnë hapur, se ka rrezik të madh të zgjerimit të vrasjeve dhe rifillimit të akteve të tilla të fshehta me qellim të frikësimit të njerëzve, eliminimit të dëshmitarëve dhe vet prokurorëve të zbulimit të rasteve nga nëntoka e krimit të organizuar. Këto veprime të koordinuara, bëhen për eliminimin e fshehtë dhe të mirë planifikuar të të gjithë atyre që marrin guximin për luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, zbulimin e kriminelëve dhe shkëputjen e lidhjeve të politikës mafioze me rrjetet e organizuara të nëntokës kriminale.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".