Të gjithë kundër Asociacionit të komunave!

Të gjithë kundër Asociacionit të komunave!

Hajrullah Tërnava

  • 29 October 2021 - 07:50

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Në situatën politike të cilën jemi kah e jetojmë tani, e kur po ballafaqohemi me ndërmjetësimin ndërkombëtar mes Serbisë dhe Kosovës, për njohjet reciproke, dhe në tavolinë po nxirret karta e Asociacionit, pozita dhe opozita duhet të jenë kompakt dhe unik dhe mos ti mbajnë inatet mes veti sikur deri me tani, dhe ta vlerësojnë atë më të mirën përfundimtare të ruajtjes së kufijve të Kosovës dhe pavarësisë së saj por edhe stabilitetin dhe funksionalitetin e brendshëm.

Tani kur dihet se Asociacionin e komunave serbe, qysh në vitin 2013 e nënshkroi Hashim Thaçi, dhe këtë asociacion prapë e nënshkroi në vitin 2015 si Kryeministër Isa Mustafa, dhe në po këtë vit e miratoj edhe Parlamenti i Kosovës, pavarësisht pse ishte kundërshtuar nga disa parlamentar që nuk e kishin dhënë pëlqimin, kjo ishte një shkelje e rëndë dhe anashkalim i Kushtetutës. Për ta qartësuar këtë gjendje, Gjykata Kushtetuese e shpalli si të kundërligjshëm me shkelje të 23 neneve të Kushtetutës, dhe që nga atëherë e deri më tani ai vendim i Asociacionit të komunave serbe nuk u jetësua, por me që në bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës të cilat po i ndërmjetësojnë ndërkombëtarët, po vazhdon të forcohet gjithnjë e më shumë lobimi i ekspertëve ndërkombëtar, ndaj qëndrimit kundërshtues të Qeverisë Kurti lidhur me kërkesën e krijimit të Asociacionit të komunave serbe me kompetenca kundër kushtetuese, sipas versionit të marrëveshjes së nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, pa e përfillur gjykimin dhe kundërshtimin e Gjykatës Kushtetuese. Kundër Asociacionit me kompetenca ekzekutive, shtet brenda shtetit, është deklaruar së fundi edhe drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips, i cili thotë se Kosova duhet të kërkojë për shqiptarët e Preshevës të drejta të njëjtat që i kërkon Serbia siç kanë dhe i kërkojnë serbët në Kosovë.

Ky reagim në favor të Qeverisë Kurti vjen në kohën derisa nga Brukseli po presin që Kosova të gjejë sa më parë ndonjë modalitet për zbatimin e Marrëveshjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Megjithatë pavarësisht presionit nga Bashkimi Evropian, Kosova nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, sepse Qeveria aktuale por edhe ekspertët e së drejtës, bazuar në Gjykimin e Gjykatës Kushtetuese, po e shohin Asociacionin si lëvizje të dëmshme për vendin, dhe ngjashëm, për çka të njëjtin mendim ndanë edhe drejtori i Programit për Paqen dhe të Drejtat në Universitetin Columbia, David Phillips. Philips tërheq një paralele mes gjendjes së serbëve në Kosovë dhe pakicës shqiptare në Serbi. Ai thotë se Asociacioni është i tepërt sepse Kushtetuta e Kosovës parasheh një seri masash në mbrojtjen dhe promovimin e pakicave, të cilat po ashtu mbrohen nga parimet e Ahtisaarit. Prandaj konstatohet me të drejtë së marrëveshja që zoti Thaçi kishte bërë për Asociacionin ishte e keqe që në fillim.

Sipas tij, nëse Kosova ecën para me Marrëveshjen e Asociacionit ndaj së cilës është e obliguar, duhet të bëhet në simetri me trajtimin që Serbia i bënë pakicës shqiptare në Preshevë sepse ndryshe Asociacioni do të krijonte ndarje të mëdha në veri të vendit dhe do të minonte sovranitetin e vendit. Në këtë situatë të zhvillimeve politike kosovare gjithsesi se duhet ti shërbejnë këshillat e tillë jo vetëm Qeverisë në detyrë, por edhe spektrit politik opozitar në unifikim qëndrimesh, pasi që edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur se disa pika të Marrëveshjes për Asociacionin binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës, dhe ato do të duhej korrigjuar dhe ri definuar.

Me vite të tëra pati biseda mes këtyre shteteve deri edhe në shkëmbim të territoreve, e të cilat edhe ndërkombëtarët nuk po i pëlqejnë ato këmbime, sepse bëhet fjalë për mundësi të shpërthimit të konflikteve luftarake të shumë shteteve si: Bosnja e Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria etj, dhe me këto ndërrime kufijsh do të ndodhin luftëra të tëra të reja në Ballkan, prandaj njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës në kufij të tanishëm do të ishte mënyra më e mirë, dhe si kusht të ndodh njohja e 5 shteteve që se kanë njohur Kosovën, dhe rrugëtimi i të gjitha shteteve ballkanike drejtë BE, me një pranim në BE të të gjitha shteteve në fjalë, do të arriheshin të gjitha arsyet e shteteve të që të jetojnë në bashkësinë e shteteve evropiane mes të cilave nuk ekzistojnë kufij mes veti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".