Ulësja për Shqipërinë në KS të OKB-së është ngjarje historike, shpresojmë në përfitim e të mos kemi zhgënjim

Ulësja për Shqipërinë në KS të OKB-së është ngjarje historike, shpresojmë në përfitim e të mos kemi zhgënjim
Ulësja për Shqipërinë në KS të OKB-së është ngjarje historike, shpresojmë në përfitim e të mos kemi zhgënjim

Muhamet Kelmendi

  • 06 January 2022 - 07:51

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Ulësja në KS të OKB-së e shtetit shqiptar si anëtare e përkohshme është një ngjarje historike dhe shumë domethënëse për kombin shqiptar. Ky është rasti i parë në historinë e vjetër dhe të re të kombit shqiptar.

- Këtë pozitë dhe këtë situatë të re kërkohet që ta shfrytëzoi maksimalisht shteti shqiptar për interesat e kombit. Shqiptarët janë të ndarë në shumë shtete. Një pjesë gjendet nën Greqi, pjesa tjetër nën Maqedoni, Mal të Zi dhe një pjesë në Kosovën Lindore të pushtuar nga Serbia. Kuptohet se bazë e tërë çështjes është dhe mbetet Republika e Kosovës.

Me ulësen e tillë në KS ka mundësi që çështjet shqiptare të paraqiten nga ana e shtetit shqiptar në KS. Këto, kanë mundësi të paraqiten si çështje në KS të OKB-së, kuptohet nëse politika shqiptare e gëzon një pavarësi dhe e ka përkrahjen e shteteve në KS. Mundësit për të ngritur temat janë të mëdha. Takimet e KS mbahen shpesh.

Vetëm për Kosovën janë të përcaktuara katër takime në vit. Në çështjen shqiptare kërkohet një koordinim me politikën e SHBA-ve, të Anglisë e të ndonjë shteti tjetër në KS të OKB-së. Rezistenca këtu është e fortë. Dy shtete janë tipikisht kundër shqiptarëve. Rusia dhe Kina janë historikisht në anën serbe, greke, malazeze e maqedone sllave. Kujdes të veçantë kërkohet të ketë shteti shqiptar me Francën.

Ky shtet luan me politikën e vetë dhe është i paparashikueshëm. E kaluara historike e tregon këtë çështje. Në KS të OKB-së ka edhe shtete tjera jo të përhershme. Aty duhet kërkuar përkrahjen në çështjet që i hapë, nëse i hapë, shteti shqiptar. Mirëpo, çdo herë çështja varet nga ajo se a do të hapen temat nga Shqipëria?

A do të hapet tema e Çamërisë, e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, apo të Luginës së Preshevës, të Sanxhakut e të shqiptarëve në Mal të Zi? Mendja ma thotë se shteti shqiptar nuk e bënë këtë hapje të këtyre temave jetike për shqiptarët! Me politikën aktuale të Tiranës nuk pritet kjo gjë. Mbetet Kosova si temë epiqendrike. Edhe këtu, do të kemi rrëshqitje në emër të ndonjë politike të pakuptimtë. Shikoni tash çështjen e "Ballkanit të Hapur". Mjafton të analizohet politika e Tiranës kundruall kësaj çështjeje që të parashikohet edhe politika e shtetit shqiptar në KS të OKB-së. Megjithatë mundësitë janë të mëdha. Mendoj se Shqipëria do të angazhohet në tri drejtime:

Së pari, në ndërprerjen e mandatit të UNMIK nga OKB-ja në Kosovë, të cilën gjë SHBA, Anglia dhe Gjermania etj., e kanë kërkuar. Së dyti, në veprimtarinë për njohje të reja të shtetit të Kosovës nga anëtarët e KS që nuk e kanë njohur dhe së treti, do të paraqet Tirana "Ballkanin e Hapur" si mënyrë për të zgjidhur çështjet në këtë anë të botës në mënyrë graduale, duke u anëtarësuar në këtë subjekt.

Nuk mendoj se Shqipëria do të përkrahi Kosovën në rrugën e ngritjes së padisë kundër shtetit serb për gjenocid. Shteti shqiptar e konsideron këtë jo produktive dhe të dëmshme në raportet në kuadër të " Ballkanit të Hapur".Çështja do të shihet që në takimin e parë kushtuar Kosovës.

Aty do të dali në dritë politika e Tiranës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Shpresoj që mos të kemi zhgënjim!? Mund të ndodhi edhe e papritura!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".