Të suspendohen të gjithë shkelësit e ligjit, të pastrohet urgjentisht nga krimi sistemi gjyqësor dhe prokurorial!

Të suspendohen të gjithë shkelësit e ligjit, të pastrohet urgjentisht nga krimi sistemi gjyqësor dhe prokurorial!

Gani Qarri

  • 10 March 2022 - 16:57

Shkruan:Analist- Gani Qarri

Në skandalin e audio-incizimeve të publikuar më 30 korrik të vitit 2021 në media, përveç prokurores së Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, përmendet edhe vet Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, me disa persona të tjerë, për të cilët thuhet se ka edhe foto-incizime, prandaj habit shumë fakti se si KPK në gusht të vitit të kaluar, themeloj panel hetimor vetëm për Prokuroren Asllani, por jo edhe për kryeprokurorin Aleksandër Lumezi, madje në incizime ceket edhe ish-gjyqtari dhe ish-anëtari i Këshillit Gjyqësor, Driton Muharremi si dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, i cili edhe ishte shkarkuar nga ish-Kryeministri.

Vazhdimi i bashkëjetesës me krimin e organizuar, rastet e amnistuara për abuzim me ligjin, shkeljet skandaloze disiplinore nga ana e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët jo vetëm se nuk trajtohen si duhet por edhe mbahen sekret nga opinioni publik, apo edhe kur janë trajtuar në ndonjë rast, vazhdimisht janë mbyllur duke ju shqiptuar të akuzuarve vetëm qortim me vërejtje, të gjitha këto, si në kuptimin logjik, ashtu edhe në atë praktik nënkuptojnë amnistim, dhe si akte, e dëmtojnë rendin e ligjin dhe degradojnë tërë sistemin e drejtësisë së kapur nga mafia politike në vend.  Për aq më tepër, nën presionin e fortë të opinionit publik, së fundi edhe vet Gjykata Supreme është detyruar që ta konfirmojë vendimin e KPK-së për degradimin dhe transferimin e prokurores së Krimeve të rënda Shemsije Asllani lidhur me top aferën e komunikimeve të përgjuara dhe skandalin që kishte implikuar një personel me listë të zgjeruar të të dyshuarve për krim të organizuar.

Pikërisht lidhur me këtë aferë, me 12 janar 2022, Gjykata Supreme e Kosovës e ka konfirmuar vendimin e nxjerrë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me të cilin prokurorja Shemsije Asllani është degraduar dhe transferuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, sikur veprimet e saj, të mos kishin qenë shkelje fort me rëndësi. Madje sipas vendimi të nxjerrë nga Gjykata Supreme më 24 shkurt 2022, rezulton se prokurorja Asllani ka ushtruar edhe ankesë, ndaj vendimit të KPK-së për degradimin dhe transferim e saj në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, me kërkesën që ta anulojë Vendimin e KPK-së dhe ta liroi atë edhe nga përgjegjësia disiplinore, apo ta kthej lëndën në rivendosje në KPK, ankesë e cila thuhet se qenka hedhur poshtë. Në sqarimin e këtij vendimi sqarohet se prokurori në të gjitha rrethanat duhet të nxisë besimin e publikut në dinjitet e integritet, t’i respektojë standardet e sjelljes profesionale e personale dhe kryej detyrat me paanshmëri e profesionalizëm, ndërsa prokurorja Asllani ka dëmtuar reputacionin e Prokurorit të Shtetit, përderisa prokurorja Asllani ka pas funksion publik dhe nuk ka qenë e ngarkuar me lëndën penale ku është përfshirë bashkëbiseduesi. Po ashtu, gjatë bisedës së zhvilluar nuk ka bërë ndonjë shënim zyrtar, prandaj komunikimi i zhvilluar i Prokurores së Shtetit, me personin e panjohur, pa menduar fare për rëndësinë e funksionit që e ushtron ka kontribuar në dështim dhe cenim të integritetit të saj dhe të institucionit që e përfaqëson. Dhe për rrjedhojë Shemsije Asllani, prokurore e Krimeve të Rënda në Prishtinë, përmes një e-maili drejtuar kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka bërë të ditur se jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e prokurores së Krimeve të Rënda. Rasti ka të bëjë me përgjimet e publikuara në media më 30 korrik 2021, ku përfshihen disa zyrtarë të lartë, në mesin e të cilave, edhe prokurorja e Departamentit të Krimeve të Rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, si dhe vet Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që thuhet se ka qenë në shtëpinë e prokurores Shemsije Asllani me disa persona të tjerë, për të cilët përflitet se ka foto dhe incizime, prandaj KPK në gusht të vitit të kaluar, është detyruar të themeloj edhe panel hetimor për të zbardhur rastin e përfshirjes së Prokurores Asllani në skandalin e audio-incizimeve të publikuar në media, por pa përfshirjen e kryeprokurorit.

Ndaj habit shumë fakti se si ka mundësi që lidhur me këtë rast skandaloz, Panel hetimor nuk ishte themeluar edhe për Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, por vetëm për prokuroren Asllani, madje në incizime përmendej edhe ish-gjyqtari dhe ish-anëtari i Këshillit Gjyqësor, Driton Muharremi si dhe Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu.  

Me sa dihet, Driton Muharremi pasi është degraduar, ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit,kurse Dardan Nuhiu është shkarkuar nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, prandaj është koha e fundit, që urgjentisht të hartohet një listë  unike e të gjithë atyre gjyqtarëve dhe prokurorëve ndaj të cilëve palët kanë parashtruar ankesa për abuzim me detyrën zyrtare, shkeljen e ligjit apo shkelje tjera të natyrës disiplinore, dhe të njëjtit të ndëshkohen me përjashtim, ndërsa pozitat e tyre të përmbushen me punësimin e prokurorëve e gjyqtarëve të rinj, të pa ndikuar nga mafia politike dhe krimi i organizuar.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".