Janë rrënuar edhe pasuritë bujqësore dhe pyjore në Kosovë

Janë rrënuar edhe pasuritë bujqësore dhe pyjore në Kosovë
Janë rrënuar edhe pasuritë bujqësore dhe pyjore në Kosovë

Shefik Shkodra

  • 11 March 2022 - 09:59

Shkruan:ANALISTI- Shefik Shkodra

Më duket se, sot në këtë kohë sikur po reprodukohen opinionet e mia e të ndonjë kolegu të para shtatë-tetë viteve. Këtë po e përsëritin herë disa analistë e qytetarë tjerë, herë edhe disa politikanë të opozitës së sotme. Do të thotë, tash po i bien ndërmend dikujt për çështjen e agro-industrisë. E të gjithë e dimë si janë sjellë me pronën e Kosovës private e shoqërore të njëjtit, kur ishin në pozitë. Ata që është dashur kaherë të reagojnë, kanë munguar deri në këtë kohë. Aktualisht, vetëm llafe duke hedhur “gurë e dru” mbi kurrizin e atyre, të cilët më pak barrë mund të kenë se ata që ishin për dy dekada në pushtet.

Duke pasur parasysh se, ne në Kosovë jemi tipik vend bujqësor, jam munduar shpeshherë që t’ua tërheq vërejtjen për një subvencionim më të mirë në këtë degë ekonomike, me të cilën do të duhej të merreshim seriozisht. Bashkë me bujqësinë do të mund të shkëlqente pemëtaria e edhe kopshtaria (perimet), por për këtë do të duhej motivim i pronarëve. Për këtë as që ka dëgjuar kush një fjalë zyrtare. Për këtë as që janë lodhur të bijtë e katundarëve.

Qëllimi i shqiptarëve ka qenë dhe është, që të pasurohet secili prej atyre brenda natës kur janë në pozita shtetërore me bashkë me oligarkët, deputetët e institucionalistët në përgjithësi. Nuk asnjë prej tyre që nuk i del zot ndonjë ndërmarrje private, ndonjë dyqani, etj. Kushtet dhe toka ka qenë e gatshme për drithëra, për bimë industriale, për pemë e perime, për kultivimin e kafshëve shtëpiake, shpendarisë, etj. por kjo nuk ka ardhur në shprehje e as që ka bërë mend dikush nga ato institucione të trajtohet si problem nacional. Si u bënë rrënimet në sektorin shoqëror njësoj edhe në atë privat.

E para është se, privatizimi ka shkaktuar plagë të pashërueshme, mënyra si është bërë. Dhe për këtë do të duhej menjëherë të shqetësohej qeveria e atëhershme, cilado që ishte, si dhe institucioni gjithë kombëtar – Kuvendi. Qytetet nuk kanë ndonjë plan urbanistik. Fshatrat janë rrënuar njësoj ngase banorët janë koncentruar nëpër qendra. Krejt duke parandie një jetë “badihavxhie e sefaje”, ngase zhvillimi ekonomik, në fshatra të malësive edhe pa një arterie komunikacioni nuk ka mundur të vazhdojë. Të gjitha dështimet shënojnë lidhjen serike njëra me tjetrën.

Sot kur do të vësh pikë kritikën në diçka, që patjetër duhet edhe të vlerësohet pozitivisht apo negativisht, nuk mundesh të mos i përmendësh dy decenie të kaluara. Njëzet vite vazhdë pa asnjë rezultat në asnjë sektor shoqëror. Dhe këto shënojnë ngecje, sikur është rasti me degën e ekonomisë – bujqësinë. Pash një paraqitje të njërit, si reagim, i cili ishte faktor një kohë, edhe tash është deputet në Parlamentin e Kosovës. Zakonisht kjo opozita e sotme paraqitet për defektet e, çdo gjë që ka ndodhur nga e kaluara nga vetë ata, të ngarkohet kjo Qeveri e sotme. Shumë e qartë që edhe kjo qeveri do të duhej të ketë përgjegjësi ndaj të gjitha segmenteve të jetës publike e private.

Por, opozita nuk po lejon që të tjerët ta thonë fjalën për këto institucione të sotme, ku po bëjnë gabime, a po shkon puna në rregull, etj. Vrapin e kanë që të njollosin, kushtimisht për diçka, “qe e pash”! Po realiteti na duket ndryshe. Sa ishin vetë në qeverisje dhe institucione të tjera, sa herë është marrë iniciativë që të ruhet prona shoqërore e publike, njësoj edhe ajo private? Cilat ishin subvencionimet për bujqit që t’i punonin arat e veta? A është respektuar ligji për urbanizëm nëpër komuna? Disa herë i kam pyetur të afërmit që kanë toka e që i kanë lënë djerrina prej pas lufte, pse ju nuk i punoni si dikur këto fusha? Përgjigjja ka qenë shumë e shkurtër dhe e thjeshtë: – Sepse nuk kemi llogari! Më lirë është të blihet miell i gatshëm se sa të bëhen të gjitha punët sezonale dhe të presim një rendiment jo aq të vlershëm e të interesit tonë. E saktë. Më mirë të blihej gruri, i kontaminuar ndoshta nga Serbia, që është ruajtur për kafshë, se sa të stimulohet vendi me ndihmën e qeverisë, për të prodhuar drithërat nga arat tona.

Tokë, si thuhet në popull, “veç njeriun nuk e bën”, të gjitha të tjerat. Nuk ka qytet që nuk janë ngritur me qindra rrokaqiej, sigurisht nga para të pista, si po thuhet. Në qytetet tona disa rrugë i kanë errësuar nga ndërtimi. Çfarë plani urbanistik?! Kush ishin përgjegjësit e komunave? A kanë pasur ata hile, me qenë se në disa qytete janë rrënuar apo janë ndezur ndërtesa të vjetra shekullore, por oligarkët dhe udhëheqësit vendit nuk e kanë çarë kokën për kulturën dhe të kaluarën tonë veç në atë vend të bëjnë ndërtime. Na jemi prej sot! Na veç na bëjmë si duamë vetë! Prej këtu nis kultura etnike, historia, ekonomia, toka, etj. Nga kultura dhe institucionet është përmendur se, Serbia na i ka plaçkitur artefaktet e muzeut tonë. Po. Do të shikohet interesimi edhe për restaurimin e ndonjë objekti kulturor -historik nëpër qytetet tona, a është konservuar dhe a mbrohet me ligj diçka? Gati në çdo qendër ka pasur diçka të tillë, po tash me siguri s’ka mbetur gjë.

Pra, shteti anarkik me disa vetë e shpërndau të keqen gjithandej Kosovës. Në vend se të kujdeseshin për çdo fije e fletë, ata ndiqnin politika të interesit personal. Jo veç që shkatërruan arsimin, shëndetësinë, policinë, administratën, gjyqësinë, por filluan të abuzojnë edhe me fushën e Zotit, me tokën e shenjtë  dhe pasuritë tjera natyrore. Rreth magjistraleve, që lidhin qytetin me qytet, në të dy anët janë prishur tokat e pëlleshme, duke “mbjellë” beton, hekur e tjegulla. Nis nga Gjilani deri në Ferizaj dhe prej aty deri në Prishtinë, në të dy anët e rrugës varg restorante, motele (si të ishte vendi më turistik), shtëpi publike ilegale e dyqane të tjera. Sipas këtij veprimi, toka nuk duhet më. S’kemi nevojë për bujqësi, për pemëtari, për perime tona, për bimë industriale. Të gjitha i importojmë. Si dhe drithërat, por edhe qumështin, e artikuj tjerë ushqimorë. Ja pra vetëdija jonë. Kush i shkarraviti në emër të privatizimit shumë ndërmarrje, disa shumë me rëndësi, kombinate, fabrika, toka dhe çka fituam, asgjë, “dushk për gogla”.

Mundet individët të kenë fituar, jo qytetarët dhe punëtorët e tyre. Këta të fundit mbetën në mëshirën e qiellit. Asnjëherë nuk u dëgjua zëri nga institucionet, konkretisht nga deputetët e Kuvendit, e as qeveritë e atyre kohëve sa i përket ruajtjes së tokës dhe investimit në bujqësi. Kush ishte iniciatori dhe shkaktari për rrënimin e Fabrikës së Millit në Gjilan dhe silosit? Pse është dashur që të zëvendësohet me ndërtime të banesave ai vend përreth? Kush ishte përgjegjës? Edhe kjo çështje është e lidhur me bujqësinë. Po kush ishte ai që i rrënoi lumenjtë dhe kopshtet për fabrika gurëthyesish? Si lejohet (nga komuna) që për pak para, të prehet mali rrafsh për tokë, çfarë leje të dreqit u jepen atyre druvarëve? Asnjë zë nuk është dëgjuar. Tash po reagohet se do të mbetemi pa artikuj ushqimor, pa energji, pa shumëçka. Shitësit si në lojë fati, përditë i ngritin çmimet. Paradite një çmim, pasdite një tjetër për çdo artikull. Qeveria aktuale do të duhej të mobilizohet shpejt edhe me ligj për ruajtjen dhe shfrytëzimin e lejueshëm të tokës dhe pasurisë tjetër. Por edhe për aktualitetin duhet të mendohet si do të kalohet një rrjedhë kaq e shpejtë. Është zhdukur e shkatërruar aq shumë pasuria natyrore nga vetë banorët shqiptarë.

Dhe ka qenë çka ka qenë, prej tash, nga zero do të duhej të ndalohen ndërtimet edhe në prona private kudo për çfarëdo. Por, gjithsesi do të duhej të futet në buxhet subvencionimi për punët bujqësore dhe prodhimet nga bujqësia. Qytetarët duhet ta kenë një motiv për të bërë një punë në tokat e tyre. Ata e bëjnë mundin, por ky duhet t’u shpërblehet përafërsisht. Këtë ndihmë mund ta bëjë qeveria përgjegjëse e  vendit. Duhet të ndalohet automatikisht prerja e drunjve (në çfarëdo mënyre, jo rrafsh e frontalisht), duhet të ruhen lumenjtë dhe uji i pijshëm. Të ndërpritet praktika e hedhjes së mbeturinave prej një qyteti në përrenjve e përroskave të maleve që do të duhej të ishin të pa prekur nga bërlloku. Të mos kontaminohet ambienti e uji i pijshëm. Duhet t’i thuhet, jo degradime natyrore! Jo rrënim i tokave bujqësore! Përgjegjësi për të gjithë ata që insistojnë në punë të mbrapshta! Përgjegjësi për elitat politike dhe institucionet!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".