Edhe Iliri e Saimiri në rrugën e Adem Demaçi për lirinë e Kosovës

Edhe Iliri e Saimiri në rrugën e Adem Demaçi për lirinë e Kosovës
Edhe Iliri e Saimiri në rrugën e Adem Demaçi për lirinë e Kosovës

Mehdi Hyseni

  • 10 April 2022 - 13:12

Shkruan: Mehdi Hyseni

Edhe Iliri (1969) së bashku me vëllain e madh, Saimirin ( 1967) lindën nën robërinë e Serbisë së Madhe, ashtu sikurse babai i tyre, Haliti (1937), por, asnjëherë nuk u pajtuan me  prangat e përgjakshme të saj. Përkundrazi, të frymëzuar, të edukuar dhe të  mishëruar me idetë dhe me veprat e udhërrëfyesit të pavdekshëm kombëtar shqiptar Adem Demaçi, asnjëherë nuk përqafuan politikën nënshtruese dhe mashtruese të regjimeve të ndryshme në Kosovë.

 

Mirëpo,  përkundër shtypjes, terrorit, plagosjeve, vrasjes, burgosjes  dhe torturave  të përditshme të regjimit çetniko-fashist dhe gjenocidal serb, populli trim dhe heroik shqiptar i Kosovës nuk kapitulloi përpara pushtuesit serb, i cili me tanke dhe me plumba pushkësh  e me  granata ua “bombardoi”  qeverinë dhe kuvendin dhe, duarlidhur i hodhi në rrugë delegatët shqiptarë, të cilët nuk pranuan ndryshimin e Kushtetutës së vitit 1974, sipas së cilës Kosova ishte krahinë autonome me ca të drejta dhe liri, ashtu si ishte edhe krahina autonome e Vojvodinës. Sipas Kushtetutës së ish-RSFJ-së së vitit 1974, që të dyja këto krahina ishin pjesë konstituive  të shtetit federativ jugosllav. Mirëpo, as de facto e as de jure as Kosova e as Vojvodina nuk kishin atribute shtetërore siç kishin  gjashtë republikat  e RSFJ-së  (Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia).

 

Po të ishte ndryshe (jo siç trumbetonin disa dështakë juristë filoserbë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës se kinse “Kosova ishte shtet, por vetëm se i mungonte emri  i shkruar në  letër”. Madje, injoranca dhe hipokrizia e tyre profesionale arriti kulmin e tradhtisë dhe të mashtrimit, kur publikisht përmes RTP-së dhe shtypit ditor, dolën para popullit dhe deklaruan se  “me ndryshimet e Kushtetutës së vitit 1974,  shqiptarët nuk humbasin të drejtat dhe liritë e tyre”. -Të mos harrojmë se ata nuk ishin vetëm juristë të thjeshtë, por me tituj akademikë)!?

 

 -Çfarë çmendurie, çfarë injorance, çfarë gënjeshtre dhe çfarë dezinformimi dhe, çfarë propagande antishqiptare kjo për t’i  çorientuar dhe shpurë shqiptarët në defetizëm  dhe në kapitullim të plotë para agresorit dhe pushtuesit serb.

 

Po, sikur  Kosova të kishte qenë shtet,  soldateska ushtarake, policore dhe paramilitare pushtuese serbe e Slobodan Milosheviqit nuk do kishte pasur asnjë gjasë reale për ta rianeksuar dhe rikolonziuar Kosovën më 1989, sepse  nuk do pritej me lule, por me plumba dhe me topa të ushtrisë dhe të policisë së Republikës së Kosovës, ashtu sikurse u prit në  Slloveni,  në Kroaci dhe në Bosnjë (1990-1995).

 

Pra, pikërisht, pse Kosova nuk ishte shtet dhe, nuk kishte ushtri të veten, Serbia e pushtoi lehtë, pa e marrë asnjë plumb në ballë nga shqiptarët.  Kjo ishte tragjedia e Kosovës, sepse Shqipëria e Sali Berishës dhe e Fatos  Nanos nuk e ndihmuan ushtarakisht Kosovën me 2 milionë e gjysmë shqiptarë, por e lanë në zjarrin dhe në flakën e terrorizmit shtetëror dhe të gjenocidit të Serbisë çetniko-fashiste të kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Milosheviq, e cili pa asnjë pengesë as të Shqipërisë, as të Evropës e as të  Kombeve të Bashkuara,  masakroi dhe vrau me qindra e mijëra  shqiptarë, si dhe shpërnguli mbi 1 milion  sish në Maqedoni, në Shqipëri, në Turqi, në Evropë, në Amerikë dhe në Australi etj.

 

Me gjithë numrin e madh të viktimave  dhe të djegjes së  Kosovës nga barbarët kriminelë çetniko-fashistë serbë, shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rrugën e tyre të rezistencës për liri dhe për pavarësi  nga Serbia okupatore dhe gjenocidale, ashtu siç dëshmuan demonstratat historike të përgjithshme të studentëve dhe të mbarë popullit në tetorin e vitit 1968, si dhe ato, një dekadë më pas, në pranverën e vitit 1981, kur Lëvzja Studentore e mbështetur nga populli  çau rrugën e vazhdimit të revolucionit dhe ngriti në këmbë të gjitha masat punonjëse kundër pushtuesit serb, siç ishin protestat në Prishtinë(1989), të cilave iu bashkuan edhe mbi 3000 punonjës të Elektroekonomisë  së Kosovës nga Kastritoti(ish-Obliqi), si dhe protestat  e studentëve të Universitetit të Prishtinës së vitit 1997, të cilave iu bashkuan edhe të gjithë nxënësit e shkollave të mesme dhe e i gjithë populli shqiptar  i Kosovës.

 

  Patriotizmi dëshmohet edhe me penë, jo vetëm me  pushkë

 

Po në vitin 1989, siç pohon Zenun Çelaj (ish-redaktor  imi i  gazetës së përditshme “Rilindja”, gjatë viteve 1972-1976), në një intervistë të gjatë me titull “Kam pasur fatin të jem dëshmitar i ngjarjeve që bënë historinë”, dhënë Ramadan Muçollit për gazetën “Illyria” të Nju-Jorkut, më 12 prill 2013,  - Greva e urisë së minatorëve të Trepçës kishte ndodhur më 20 shkurt të vitit 1989.

 

 –Ja, se si Zenun  Çelaj si reporter  i gazetës “Rilindja” dhe, si dëshmitar i drejtpërdrejtë, i referohet kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike për  fatin e Kosovës: “Më 20 shkurt të vitit 1989 korrespondenti i “Rilindjes” nga Mitrovica njoftonte për hyrjen në grevë të urisë të rreth 3.500 minatorëve të Trepçës. Atëherë i kërkova redaktorit, që më kishte zëvendësuar në atë post pas dorëheqjes sime, të shkoja atje për t’i ndihmuar korrespondentit.  Në fakt desha të isha jo vetëm raportues, por edhe dëshmitar i asaj ngjarjeje, që e vlerësoja historike, ashtu siç në fakt ishte dhe mbeti. “[1]

 

-E cituam këtë fragment të intervsitës së Z. Çelaj, jo vetëm pse ai ishte  redaktor i dikurshëm i autorit (për të cilin, edhe sot, pas 50 vitesh ruan kujtimin  dhe respektin më të mirë për të, edhe si njeri parimor, edhe si intelektual e profesionist i dalluar në gazetari, sepse nga shkolla e tij profesioniste e gazetarisë kanë dalë dhjera e dhjetra gazetarë të shkëlqyshëm  të “Rilindjes”) , POR,  para së gjithash, pse ishte  i urtë, i sinqertë, i guximshëm, atdhetar i denjë (jofolklorik, pse  të mos them se ishte edhe patriot i palexueshëm),  dëshmitar dhe protagonist  i drejtpërdrejtë i zhvillimit të ngjarjeve më të rëndësishme historike dhe politike të kohës (1960-1990) , siç thotë ai, - “Kam raportuar gjatë gjithë kohës sa ka zgjatur Greva e Urisë e minatorëve të Trepçës (20 – 28 shkurt 1989). Kam pasur privilegjin që Deklaratën Kushtetuese, të hartuar nga akademik Gazmend Zajmi, ta fus në Kuvend, përmes miqve që kisha aty. Kam qenë, po ashtu, i vetmi gazetar që raportoi nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut(1990). Isha në Kosovë edhe gjatë gjithë kohës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe dhe, në Prishtinë e prita i lumtur fundin e pushtimit serb…”[2]

 

Nga përmbajtja e kësaj interviste mësova një të vërtetë të saktë se në  Grevën e Përgjithshme të Urisë së Minatorëve në Stantërg, e cila ka zgjatur 8 ditë (20-28) 1989 paskanë marrë pjesë “1.300” minatorë në thellësinë e nëntokës prej  “3.500 metrash” ,  të cilët jo më pak se  8 ditë  ishin hedhur në grevë urie.  Këtë e vërteton edhe ky pohim i Z. Çelajt :  “ - E kujtoj momentin kur në zgafellen mbi 3.500  metra nën sipërfaqen e tokës, një minatori ia komunikuan lajmin për vdekjen e një anëtari të familjes, e ai refuzoi të dilte nga greva, i vendosur të vdiste ose të dilte bashkë me grevistët e tjerë që kishin zgjedhur vetëflijimin për të drejtat kombëtare. “[3]

 

 

 

 

Greva historike e minatorëve shqiptarë të kombinatit xehtaro-metalirgjik “Trepça”,që zgjati prej 20  deri më 28 gusht 1989, ishte në funksion të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës.

(Foto: https://www.kultplus.com/trashegimia/greva-e-vitit-1989-e-minatoreve-ne-trepce-me-ane-te-fotografive)

 

 

Edhe kjo grevë e përgjithshme  e minatorëve të “Trepçes”, që në thelb kishte mbrojtjen dhe ruajtjen  e drejtave dhe të lirive  të njeriut, të interesave sociale dhe ekzistenciale, të drejtën e jetës, të drejtat kolektive ligjore dhe kushtetuese, ashtu sikurse popujt e tjerë në Jugosllavi (1945-1990), nuk ndeshi në miratimin e  institucioneve dhe të organave fashiste të regjimit të Serbisë pushtuese  nën drejtimin e Slobodan Milosheviqit. Përkundrazi, e shuan me shtypje dhe  me terror të paparë dhe   minatorët grevistë u bënë objekt i persekutimeve, i arrestime, i torturave, i burgosjes dhe i dënimeve drakonike nga gjykatat policore të Serbisë.  Veç kësaj,  e dhembshme dhe  tragjike qe përjashtimi i minatorëve grevistë nga puna, të cilët, mëpastaj, me vite të tëra ngelën raste sociale, të papunë, të përbuzur dhe të braktisur. Ndërkaq, kryeudhëheqësit e tyre “gjeneralë” përfituan nga  ndryshimi i rrethanave politike të kohës vurratë dhe u bënë të pasur, duke hapur dhe, duke bërë biznese me Serbinë, gjatë dhe pas okupimit të Kosovës (1989-2020). Kështu që, shumica e minatorëve grevistë si rrjedhojë e varfërisë së thellë dhe e sëmundjeve, si lypës dhe të pastrehë gjetën edhe vdekjen,  të cilët sot nuk jetojnë  mes nesh.

 

Sa më sipër, jo vetëm minatorët grevistë  tragjikë të “Trepçes”, por edhe studentët, edhe punonjësit e tjerë dhe, i gjithë populli shqiptar në Kosovë, që të gjithë bashkërisht  dhe me plot të drejtë kërkonin  të drejtat dhe liritë e veta sikur  popujt e tjerë në Jugosllavi (1945-1990), edhe pse u bën objekt i terrorit dhe i gjenocidit të regjimit çetniko-fashist të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999). Këtë status të zhveshur politik dhe juridik të shqiptarëve e dëshmon edhe heqja me dhunë policore, militare dhe paramilitare e autonomisë Kosovës  (1974-1980), që  e kishte sipas Kushtetutës  së vitit 1974, në bazë të Kushtetutës së RSFJ-së (1974).

 

Me pezullimin e Kushtetutës së KSAK (1974) , Serbia agresore  i vuri jashtë ligjit dhe jashtë Kushtetutës mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë. Kështu që,  mbarë populli shqiptar ngeli i pambrojtur nga ligjet vendore dhe nga ato ndërkombëtare, jo më pak se 10 vjet (1989-1999), kur Serbia+Mali i Zi, e ashtuaujtura RF Jugosllave u bombardua  78 ditë rresht  (24 mars -10 qershor 1999) nga ana e Aleancës  së Paktit të Atlantikut  Verior (NATO) me urdhrin dhe  me vendimin  ligjor  shtetëror të presidentit  të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, që ishte tërësisht në frymën dhe në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara (KREU VII, Nenet 42 , 43, 44, 45, 46 dhe 47), që parashikojnë ndëshkimin me forcë ushtarake të çdo agresioni të cilitdo shtet qoftë, që rrezikon sigurinë dhe paqen ndërkombëtare, ashtu siç  e rrezikoi Serbia me 3 agresionet gjenocidale të saj në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999). Mirëpo, fatkeqësisht nuk u ndëshkua nga OKB-ja, edhe pse kjo e shaplli agresore Serbinë  për shkak të pushtimit të Kosovës me forcë ushtarake dhe policore (1989-1999).

 

Gjithashtu, edhe në kuptimin e  ngushtë të së drejtës  së brendshme kombëtare shqiptare, terrori dhe aktet barbarike anticiviliuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë,  nuk u ndëshkuan ushtarakisht as nga ana e Republikës së Shqipërisë (1989-1999).

 

Një gabim i këtillë politik, kombëtar dhe shtetëror i moszbatimit të së drejtës kombëtare shqiptare dhe i asaj ndërkombëtare bëri që të shkelen ligjet e brendshme dhe Kushtetuta e Shqipërisë (“Preambula…, ku thuhet: -me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar” dhe “Neni 8, pika 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.”)[4], si dhe Karta e Kombeve të Bashkuara dhe e drejta ndërkombëtare. Në të dy rastet, ky është një nonsens i pajustifikueshëm juridik dhe politik ndërkombëtar ngase agresioni dhe gjenocidi i Serbisë ndaj Kosovës përbën vepër penale ndërkombëtare.

 

-Por, ja që ky akt monstruoz antinjerëzor dhe antiligjor nuk u ndëshkua ushtarakisht as nga bashkësia ndërkombëtare (OKB-ja) e as nga Shqipëria, që sipas Kushtetutës së saj në fuqi (1998), Neni 8, paragrafi 1, ishte e detyruar ta merrte në mbrojtje popullin shqiptar në Kosovë nga gjenocidi serb (1989-1999).

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".