Gjyqtarët e korruptuar dhe të pa ndëshkuar emblema e turpit në sistemin e kalbur të drejtësisë në Kosovë!

Gjyqtarët e korruptuar dhe të pa ndëshkuar emblema e turpit në sistemin e kalbur të drejtësisë në Kosovë!

Gani Qarri

  • 16 July 2022 - 08:10

Shkruan ANALISTI-Gani Qarri

Masat e vonuara ndëshkuese që po shqiptohen ndaj shkelësve të ligjit, po e dëmtojnë shumë rëndë besimin në institucionet e drejtësisë, KPK dhe KGJK, të cilët jo vetëm se do duhej të sanksionoheshin me të parën, por edhe të ndëshkohen dhe të përjashtohen me automatizëm nga sistemi i drejtësisë.

-Emblema e turpit e sistemit të kalbur të drejtësisë së Kosovës është gjyqtarit Rafet Ismaili, të cilit ma në fund iu vërtetua dënimi nga Gjykata e Apeli për Korrupsion, ndaj megjithëse me vonesë tepër të gjatë, dhe hamendje të madhe se si të veprohet, më në fund javën e kaluar KGJK ka vendosur që ti propozojë presidentes shkarkimin e gjyqtarit Rafet Ismajli. E këtë vendim Këshilli e ka marr, në masa tepër sekrete nga opinioni publik dhe vetëm në takimin e 290-të, të mbajtur të enjten e kaluar, vendim të cilin Këshilli e mori prapa dyerve të mbyllura, larg mediave dhe pa qasje në informim nga OJQ-të që mbikëqyrin dhe monitorojnë sistemin e drejtësisë! Masat e vonuara ndëshkuese që po shqiptohen ndaj shkelësve të ligjit, po e dëmtojnë shumë rëndë besimin në institucionet e drejtësisë, KPK dhe KGJK, të cilët jo vetëm se do duhej të sanksionoheshin me të parën, por edhe të ndëshkohen dhe të përjashtohen me automatizëm nga sistemi i drejtësisë. Siç dihet veprimi i lartcekur është nxjerrë vetëm pasi Gjykata e Apelit me 26 maj 2022 ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte marrë aktgjykim dënues ndaj ish-gjykatësit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe ish-policit Blerim Gashi, të dënuar për korrupsion me nga 20 muaj burgim dhe me nga 1 mijë euro gjobë. Lidhur me këtë vendim KGJK në një komunikatë për media ka njoftuar se Këshilli i ka propozuar presidentes shkarkimin e gjyqtarit Ismajli por pa e zbuluar të plotë identitetin e tij, vetëm me iniciale.“Në fund të këtij takimi, Këshilli i propozoj Presidentes së Republikës së Kosovës, shkarkimin nga detyra për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Skenderaj, R. I.”, thuhet në komunikatën e KGJK-së. Ndryshe, Vendimi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është vërtetuar më 26 maj 2022, duke i refuzuar si të pabazuara ankesën e Prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Rafet Ismajli dhe mbrojtësit të tij, avokatit Naim Rudari, si dhe ankesa e mbrojtësit të akuzuarit Blerim Gashi, avokatit Ramë Gashi. Sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që sipas gjykatës së shkallës së dytë, ky aktgjykim është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret e po ashtu është në përputhshmëri të plotë edhe me arsyetimin dhe se përpilimi i dispozitivit është bërë konform dispozitave të Kodit në fuqi, e ku janë të përfshira të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale, nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së, për të cilën të akuzuarit Ismajli dhe Gashi, janë shpallur fajtor. Tutje, në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të qarta për vendin, kohën, mënyrën e kryerjes së veprës penale e po ashtu edhe për mënyrën se si ka ardhur deri te kryerja e veprës penale nga ana e të akuzuarve, ku thuhet se edhe vet i akuzuari Rafet Ismajli nuk e mohon faktin që ka marr para nga dëshmitari, por kinse parat i ka marrë hua me afate kthimi e jo për të ndikuar në çështjen penale të tij. Edhje i akuzuari tjetër për ryshfet, Blerim Gashi nuk e ka mohuar se ka marrë para nga dëshmitari F.Z. por se, kinse edhe ky, parast i paska marrë "vetëm hua"!?. Prandaj në vazhdim të arsyetimit të këtij vendimi thuhet se sipas shkresave të lëndës, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë nga ana e gjykatës së shkallës së parë me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor duke shtuar se në këtë çështje penale nuk ka mbetur pa u vërtetuar asnjë fakt vendimtar. Ashtu edhe sipas Apelit, me aktgjykimin e ankimuar, thuhet se nuk është shkelur as ligji penal, kjo për faktin se veprimet e të akuzuarve përbëjnë të gjitha elementet subjektive dhe objektive të veprës penale për të cilën të njëjtit janë shpallur fajtor si dhe nuk ekzistojnë rrethana të cilat e përjashtojnë ndjekjen penale të të akuzuarve. Gjithashtu, Gjykata e Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë,i ka vlerësuar drejtë dhe në mënyrë të plotë, rrethanat të cilat kanë ndikuar në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit, ku thuhet se dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të tyre si dhe intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të mund të parandalohen të njëjtit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe do të parandalohen personat e tjerë nga kryerja e veprave penale. Ndryshe, edhe një herë, për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç. Madje Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit. Kurse Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Rafet Ismajlit, gjyqtari i Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe Blerim Gashit, zyrtar policor, që sipas aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar. Dhe i njëjti më 28 gusht 2019, derisa po udhëtonin, së bashku nga Skenderaj për në Prishtinë, në veturën e dëshmitarit F.Z., gjyqtari ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që ai të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Krejt kjo, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të 26 korrikut 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, "kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë"?!. Ndërsa sipas prokurorisë, Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti ishtë në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që ai të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës. Krejt kjo, për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë, të 26 korrikut 2018, të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, serish me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, "kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë"!, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj. Kështu që, medoemos duhet të ketë transparencë më të plotë në rastet e kapjes në flagrancë me afera korruptive të të gjithë atyre individëve që punojnë në sistemin e drejtësisë, KPK, KGJK e polici të Kosovës, në mënyrë që opinioni të njoftohet me kohë se kush janë abuzuesit e vërtetë të shtyllës kryesore të shteit, drejtësisë dhe të sigurisë, e të nijetit pa vonesë të nxirren para drejtësisë, të mos amnistohen, të mos bëhen pazare me rastet e tyre, të përshpejtohen procedurat dhe të njëjtit të lajmërohen publikisht kur dënohen.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".