Finalja e procesit gjyqësor në rastin 'Afera e hidrocentraleve' e fuqizon zhgënjimin në drejtësi, e zbardh lidhjen e fuqishme të gjyqësorit me krimin

Finalja e procesit gjyqësor në rastin 'Afera e hidrocentraleve' e fuqizon zhgënjimin në drejtësi, e zbardh lidhjen e fuqishme të gjyqësorit me krimin

Gani Qarri

  • 20 November 2022 - 08:54

Shkruan:ANALISTI-Gani Qarri

 

Kështu që me dështimin aktual, të rastit më të ri, po vërtetohet katërçipërisht, lidhja e ngushtë kriminale e sistemit të drejtësisë së kalbur të Kosovës, me krimin e organizuar dhe mafio politikën, për mos-dënimin e qëllimshëm të personave përgjegjës mbajtës, me lirimin nga aktakuza dhe shpalljen kinse të pafajësisë?!...të të katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi, për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”!

 

Siç merret vesh nga procesi i gjykimit të mbajtur me 8 nëntor, Gjykata Themelore e Prishtinës, përfundimisht i ka liruar, në mënyrë shumë të papritur, që të katër ishministrat e Qeverisë Thaçi 2, nga akuza, duke filluar me Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqa, Dardan Gashi si dhe të akuzuarit tjerë në grup Fllanza Hoxha e Arben Gjuka, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitave zyrtare, në rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”. Kështu që me dështimin aktual, të rastit më të ri, po vërtetohet katërçipërisht, lidhja e ngushtë kriminale e sistemit të drejtësisë së kalbur të Kosovës, me krimin e organizuar dhe mafio politikën, për mos-dënimin e qëllimshëm të personave përgjegjës mbajtës, me lirimin nga aktakuza dhe shpalljen kinse të pafajësisë?!...të të katër ishministrave të Qeverisë Thaçi, për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve”! Për aq më tepër habit shumë fakti se, po në mars të këtij viti, vet Gjykata Themelore në Prishtinë, ua kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës, që të katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha e Arben Gjuka. Prandaj pas avokatisë prej dekadash, që sistemi i kalbur i pa-drejtësisë, ia ka bërë krimit të organizuar, duket se më në fund, të paktën prokuroria, po fillon të zgjohet nga letargjia e nënshtrimi dhe të pozicionohet më fuqishëm në mbrojtje të ligjit e të interesit publik, kundër krimit dhe lidhjes së tij me mafio-politikën e inkriminuar, pasi që koha për Vettingun po ofron dhe askush më, nuk mundë ti shmanget këtij procesi e ta fshehë dështimin apo lidhjen me krimin e organizuar në vend! Megjithatë, mjerisht rastet e përsëritura të dështimit nëpër gjykata për dhënien e dënimeve të merituara, ndaj të akuzuarve, bëjnë që të mbetet pak shpresë, për të besuar se më në fund po i vjen fundi edhe lidhjes së sistemit të drejtësisë së kapur me krimin e organizuar dhe mafio politikën e instaluar në maje të pushtetit. Sistem i kalbur që nën ndikimin e politikës, me dekada të tëra ishte vënë në shërbim të mafio- politikës dhe funksion të zhvatjes së shtetit! Këto ditë, pas marrjes së vendimit lirues nga ana e gjykatës lidhur me “Aferën e Hidrocentraleve” , ka reaguar prokurori dhe paralajmëruar edhe ankesë në Apel, pasi Themelorja i liroi nga akuza katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2 dhe të tjerët të cilët po akuzoheshin me fakte të argumentuara bindshëm, lidhur më dëmin që i kanë sjell shtetit. Atdhe Dema, prokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), i cili njëherësh është edhe prokuror i rastit të njohur si “Afera e Hidrocentraleve” , ka deklaruar se do ta ushtrojë të drejtën e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lidhur me vendimin e saj lirues dhe shpalljen e grupit të të akuzuarve për aferën e hidrocentraleve, të "pa fajshëm" , aferë kjo që është krijuar nën mandatin e qeverisjes së PDK-s, me kryeministër kuislingun Hashim Thaçi. Një veprim të tillë, prokuroria Speciale, përkatësit prokurori i rastit Atdhe Dema, pritet ta marrë pasi që më 8 nëntor 2022, Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka liruar nga akuza katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi 2, Mimoza Kusari-Lilën, Nenad Rashiq, Besim Beqën, Dardan Gashin si dhe të akuzuarit në këtë grup Fllanza Hoxhën e Arben Gjukën, të cilët akuzoheshin nga Prokuroria Speciale për korrupsion lidhur me këtë rast. Shqyrtimi kryesor në këtë rast ka filluar më 1 korrik 2021, ndërsa në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit kishte njoftuar se e ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarve Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi, Nenad Rashiq, Fllanza Hoxha dhe Arben Gjuka. Përmes një komunikate për media, Apeli kishte njoftuar se ndaj këtyre të akuzuarve do të vazhdojë gjykimi. Madje vet Gjykata Themelore në Prishtinë, në mars të këtij viti ua kishte refuzuar kërkesat për hedhjen e aktakuzës, po këtyre katër ish-ministrave të Qeverisë Thaçi 2, si; Besim Beqaj, Mimoza Kusari-Lila, Dardan Gashi dhe Nenad Rashiq, si dhe të akuzuarve Fllanza Hoxha, Arben Gjuka. Ndërsa, për shkak të parashkrimit relativ të ndjekjes, po kjo gjykatë kishte pushuar procedurën penale për të akuzuarit Fadil Çitakut, Mujë Rugova, Agim Nika, Flamur Keqa, Izet Ibrahimi, Gani Jashari, Burim Besha, Gelor Shala, Naim Hyseni, Avni Alidemaj, Besnik Haziri, Lorik Fejzullahu, dhe Krenar Bujupi. Por 19 të akuzuarit për rastin e njohur si “Afera e Hidrocentraleve” , në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 28 tetor 2020, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishin deklaruar të pafajshëm. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 10 prill 2020, Besim Beqaj akuzohej se si kryesues i Komitet Qeveritar për Privatizim (KQP) si dhe Mimoza Kusari-Lila, Nenad Rashiq, Dardan Gashi dhe Lorik Fejzullahu, si anëtarë të KQP-së, me qëllim që t’i mundësojnë çfarëdo dobie pasurore personit tjetër dhe që të shkaktojnë dëm personit tjetër, i kanë tejkaluar kompetencat e veta. Të njëjtit më 8 maj 2013, njëzëri kanë votuar që hidrocentralet të cilat prodhojnë energji elektrike si: Hidrocentrali i Lumbardhit, Hidrocentrali në Burim, Hidrocentrali i Radavcit dhe Hidrocentrali “Dikance” , të transferohen tek Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji (KKDFE) dhe më pastaj të privatizohen falas?...nga kompania turke “Limak-Calik”. Aktakuza kundër tyre ,thotë se të njëjtën ditë, janë nënshkruar marrëveshja për importe, marrëveshja për transferim, marrëveshja për furnizim, marrëveshja për implementim, marrëveshja për borxhe dhe me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve është përmbyll procesi i privatizimit të KKDFE-së, përkundër faktit se të njëjtat nuk është dashur të transferohen dhe privatizohen sepse një gjë të tillë e ndalon Ligji për Rregullatorin e Energjisë Elektrike me nr.05/L-04, neni 35, par4. Madje sipas PSRK-së, këto asete kanë qenë nën koncesion, për të cilat edhe rekomandimi i IFC ka qenë që ato, të mbesin në kuadër të KEK-ut, e me veprimin e "shitfaljes?!" së tyre të njëjtit kanë dëmtuar interesat e KEK-ut dhe të Qeverisë së Kosovës si aksionar. Madje shprehur më konkretisht, vetëm për qira mujore për periudhën e mbetur, dëmi arrin shifrën prej 1,054.000.00 euro, shumë e cila është dashur t’i paguhet KEK-ut dhe jo kompanisë turke. Kështu që pikërisht për këto veprime kundërligjore, PSRK i ngarkonte këta të akuzuar me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 2, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, mirëpo përkundër të gjithave në seancën e 8 nëntorit të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, çuditërisht, pa asnjë arsyetim bindës, që të gjithë akuzuarit, i ka shpallur të pa fajshëm!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".