Dështimi i diplomacisë e ka zanafillën që nga viti 2015

Dështimi i diplomacisë e ka zanafillën që nga viti 2015

Hajrullah Tërnava

  • 20 January 2023 - 07:35

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Dështimi i diplomacisë kosovarë për të fituar njohje të reja e ka zanafillën që nga viti 2015, madje edhe më herët, me fillimin e dialogut me Serbinë dhe kompromiset e dëmshme që qeveritë e kaluara i kanë bërë në dëm të shtetit. Në vitin 2015 Kosova ka fituar vetëm 3 njohje, për të vijuar me vitet e mëvonshme me zvogëlim deri në bllokimin e plotë. Në vitet 2016 dhe 2017 kemi pasur vetëm nga dy njohje kurse në vitin 2018 një njohje të vetme

-Tani kur opozita e tanishme është në këtë pozitë, që më parë gjatë e kanë qeverisur këtë vend, e sidomos kur më 2008 u shpall pavarësia dhe e kishin pushtetin, tani po mundohen që ta shfrytëzojnë këtë situatë në favorin e tyre pasi s’po kanë më çfarë argumentesh tjera ta devalvojnë këtë qeveri në pushtet e cila e ka shumicën absolute në parlament, prandaj tani me këto vërejtje po mundohen të ndikojnë në opinion për ta ulur autoritetin e kësaj qeverie, që ndoshta fitojnë adhurues për vota për zgjedhjet e ardhshme.

Është e kuptueshme se në ato vite kur u shpall pavarësia e Kosovës në vitin 2008, ishin vite me numër të njohjeve më dinamike, të larta, sepse vetë kohërat ishin të tilla që shumë nga shtetet që na kanë ndihmuar me u çlirua, e sidomos ato shtete që ishin pjesëmarrëse në bombardimin e Serbisë në krye me NATO-n, ishin aktive në atë pikëpamje për njohjen e pavarësisë së shtetit të Kosovës, dhe bënin edhe trysni te shtetet tjera si mike për njohje të pavarësisë së Kosovës.

Tani kur i kemi rreth 120 njohje, e kur tani po ndërmjetësohet nga ndërkombëtarët për njohje reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, është e kuptueshme se njohje të shpeshta edhe nuk mundet për të pasur, sepse ka shumë shtete tjera të pavarura që kanë edhe njohje në numër më të vogël se Kosova, dhe megjithatë funksionojnë si shtete të pavarura, të anëtarësuara në të shumtat institucione të ndryshme ndërkombëtare, prandaj marrë në tërësi tani janë bërë banale dhe të pista akuzat ndaj qeverisë së tanishme për mungesë të njohjeve të reja nga ana e opozitës dhe, për fushatën e çnjohjeje të cilën po e zhvillon Serbia. Nëse ndalemi dhe i lëshojmë një shikim listës së shteteve që e kanë njohur Kosovën, aty vërehet edhe fillimi i procesit të ngecjes për të fituar njohje të reja që fare nuk lidhet as me Qeverinë Kurti 1 dhe as me Qeverinë Kurti 2. Dështimi i diplomacisë kosovarë për të fituar njohje të reja e ka zanafillën që nga viti 2015, madje edhe më herët, me fillimin e dialogut me Serbinë dhe kompromiset e dëmshme që qeveritë e kaluara i kanë bërë në dëm të shtetit.

Në vitin 2015 Kosova ka fituar vetëm 3 njohje, për të vijuar me vitet e mëvonshme me zvogëlim deri në bllokimin e plotë. Në vitet 2016 dhe 2017 kemi pasur vetëm nga dy njohje kurse në vitin 2018 një njohje të vetme. Nga viti 2018 deri në vitin 2021, pra tre vite rresht, deri kur erdhi njohja e Izraelit që ishte njohja e siguruar dhe kontraktuar me angazhimin e SHBA-ve, nuk kemi pasur asnjë njohje të vetme. Pra tri vite të plota dështim dhe pauzim pa asnjë njohje të vetme por vetëm me çnjohje që i lajmëronte Serbia. Prandaj është e turpshme tani kjo përpjekje e ish qeveritarëve të dështuar për ti hedhur fajësinë qeverisë Kurti, për qëllime puro kriminale dhe politike, për kinse dështim në rrafshin diplomatik, një shërbim që kjo qeveri e ka gjetur tërësisht të rrënuar nga mbushja e tij me militant të rehatuar politik.

Është e vërtetë që pas Izraelit Kosova nuk ka fituar njohje të reja sepse ka vazhduar ajo agoni dhe ai imazh i keq me të cilin shtetin e ri të Kosovës qeveria Kurti në planin ndërkombëtar e ka gjetur të gatshëm, vetëm e ka trashëguar dhe do të duhet kohë për ta ringjall, riparuar e kompensuar atë që është humbur, sepse në procesin e dialogut me Serbinë që kjo qeveri nuk e ka filluar, gjithçka do të jetë në proces të kushtëzuar.

Edhe situata e krijuar me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për njohje reciproke ka ndikua që të ngadalësohet ky proces i njohjeve, sepse nëse ndërmjetësimi do të jetë i suksesshëm, katër shtete të BE-së që se kane njohur pavarësinë e Kosovës, do ta njohin shpejt, dhe me këtë Kosovës do i hapen rrugët drejtë anëtarësimit në BE dhe institucione tjera ndërkombëtare, prandaj ky ndërmjetësim e ka rëndësinë e saje në këto kohëra, qoftë nëse njohja reciproke ndodhë mes Serbisë dhe Kosovës, apo varianti tjetër franko-gjerman i cili e parasheh që Serbia mos ta pengoj Kosovën drejtë rrugëtimit të saj për në shtetet e BE-së dhe tjera institucione ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".