Kosova nuk derdhi gjak që tash në liri të ndahet e të copëtohet nga Serbia

Kosova nuk derdhi gjak që tash në liri të ndahet e të copëtohet nga Serbia
Kosova nuk derdhi gjak që tash në liri të ndahet e të copëtohet nga Serbia

Muhamet Kelmendi

  • 06 March 2023 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Edhe ashtu plani ka anë shumë të dëmshme për Kosovën dhe, edhe të pa kapshme politiko-juridikisht. Nëse edhe kjo ndryshon, kërkohet refuzim i tërësishëm i planit. Kosova nuk luftoj dhe nuk derdhi gjak që tash të ndahet dhe të copëtohet apo të vihet nën kontrollin serb. Kjo nuk është ardhmëri.

-Plani franko-gjerman, apo euro-amerikan, mundë dhe futet në zbatim me marrëveshje konkrete vetëm me nënshkrimin e marrëveshjeve nga të dy palët. Marrëveshja e tillë pas nënshkrimit shtrohet në Kuvend për diskutim dhe aprovim. Kundër ka mundësi të paditet edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky është përfundimi dhe arritja e pikës ku një marrëveshje ndërkombëtare bëhet obligative për shtetet nënshkruese. Refuzimi i një pike nga marrëveshja është akt i mos aprovimit të marrëveshjes a të planit me karakter ndërkombëtar. Natyrisht se Kosova duhet të përcjell me vëmendje hapat e palës tjetër, të shtetit serb. Serbia ka arritur që gradualisht me lojërat e tilla t'i heqi apo t'i futi në diskutim dhe në aprovim çështjet shumë të dëmshme për shtetin e Kosovës. Çështja e tillë ishte futja në thonjëza e Kosovës pasi që u shpall shtet me 2008. Arriti tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

E kërkoi dhe Kosova lëshoi pe në formimin e gjykatës dhe të prokurorisë serbe. U vu policia nën komandën e veriut dhe u ndërtua për veri Gjykata e Apelit. Edhe në raport me subjektet e jashtme bëri punë shteti serb. Nëpër disa organizata të OKB-së nuk është subjekt Kosova. Serbia ka arritur të jetë subjektivitet ndërkombëtar edhe për Kosovën në OKB. Çështjet e tilla vazhduan. Me veprimet taktike serbe u arrit të kufizohet sovraniteti i shtetit të Kosovës. Tash është në plan edhe Asociacioni. Dhe, nëse kufizohet, hiqet a ndryshohet pika e katërt e planit franko-gjerman, de-fakto nuk ka më Kosova subjektivitet ndërkombëtar. Këtë nuk duhet lejuar. Çdo intervenim në plan kërkohet të përcillet me vëmendje nga Kosova dhe mos të pranohet ndonjë ndryshim. Kuptohet se shumë çështje në plan që janë paraparë dhe që i pranoi z.Kurti janë kundër interesave të shtetit të Kosovës.

Duhet këtu të përmendim të drejtën që rrjedhimisht del për minoritetin serb në vetëqeverisje dhe në vetëvendosje. Një çështje tjetër është mos mundësia e organeve të Kosovës për ta zhbërë Asociacionin nëse është domosdoshmëri, sikundër që është edhe koncentrimi i kompetencave të komunave në një organ vertikal të udhëheqjes në Asociacion. Ka edhe çështje tjera që duhet pasur parasysh gjatë kohës së bërjes së marrëveshjeve për zbatim. Tash, kërkohet të refuzohet me ashpërsi çdo ndryshim i planit dhe, nëse kërkesa serbe për pikën katër realizohet, kërkohet të futet domosdo njohja reciproke dhe në asnjë mënyrë mos të pranohet kërkesa serbe për ndryshimin e pikës katër në raport me jashtë. Kërkesa serbe i tejkalon tërë kufijtë e vendosur. E bënë marrëveshjen juridikisht të pa pranueshme dhe natyrisht se çdo ndryshim ndikon në subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës. Kërkohet qartësi dhe refuzim i çdo intervenimi në materie. Edhe ashtu plani ka anë shumë të dëmshme për Kosovën dhe, edhe të pa kapshme politiko-juridikisht. Nëse edhe kjo ndryshon, kërkohet refuzim i tërësishëm i planit. Kosova nuk luftoj dhe nuk derdhi gjak që tash të ndahet dhe të copëtohet apo të vihet nën kontrollin serb. Kjo nuk është ardhmëri. Populli shqiptar derdhi gjak për liri, për pavarësi dhe për sovranitet e për shtet. Këtu nuk ka lëshime nga Republika e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".