Gjykatat jo efikase në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, kanë raste aktive të ngritura qysh para afër 14 vitesh

Gjykatat jo efikase në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, kanë raste aktive të ngritura qysh para afër 14 vitesh

Hajrullah Tërnava

  • 21 April 2023 - 15:55

Shkruan: ANALISTI-Hajrullah Tërnava

Kosova e pas luftës me ato qeveritë e hershme, në ato rrethana për të cilat e din popullata, e sidomos kur në vetë krijimin e institucioneve patën ndikime „të fortit e shtetit“ dhe në poste vendimtare u emëruan njerëzit e afërt me ata të dëgjueshmit me „të fortit e shtetit“ edhe tani e kemi të qartë se pse tani gjendemi në këtë situatë kaq të kriminalizuar, dhe sikur në ato kohëra të emëroheshin në poste të rëndësishme institucionale njerëzit e shkolluar dhe të aftë me përvojat e tyre që i kishin para lufte, sot do të ishte situata ligjore në nivele tjera të sukseseve, ku prioritet do të ishte luftimi i krimit në përgjithësi, dhe Kosova do të avancohej drejtë shteteve të BE-së, e jo si deri më tani që është bërë njësh me krimin e organizuar, sistemi i drejtësisë në Kosovë, duke u zbuluar nga dita në ditë fytyra e vërtetë dhe lidhja e thellë me nëntokën e krimit të organizuar.

 

 

Gjetjet më të reja të IKD-së, analiza për vitin e kaluar, ka zbuluar se në vitin 2022 u parashkruan 16 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar në të cilat përfshiheshin hiq më pak se 28 të akuzuar! Këto të dhëna janë bërë publike në raportin me titull “Dështimi i drejtësisë në luftimin e korrupsionit”, raport ky që është si rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë dhe sistematik që IKD i ka bërë Prokurorive dhe Gjykatave në trajtimin e korrupsionit gjatë vitit 2022. E kur llogaritet dëmi ndaj shteti në këto raste ai fillon me një shumë minimale, prej 5 euro deri në 5.4 milionë euro! “Nëse kalkulohet dëmi i pretenduar nga Prokuroria në këto raste, i bie se vetëm brenda vitit 2022 janë parashkruar raste të korrupsionit, dëmi në të cilat kalon vlerën prej 6 milionë eurove. Madje, kjo vlerë llogaritet të jetë vetëm për 11 raste të korrupsionit, pasi në pesë raste të tjera, Prokuroria nuk e ka përcaktuar dëmin në aktakuzë”, konstaton raporti i IKD-së. Sipas hulumtimit të zhvilluar, problem i parashkrimit duket se do të jetë evident edhe gjatë viteve pasuese, pasi janë mbi 101 të akuzuar të tjerë për vepra penale të korrupsionit zyrtar, rastet e të cilëve parashkruhen brenda tri viteve të ardhshme, kurse praktika e deritashme ka dëshmuar se në këtë drejtim aspak nuk është duke u vepruar me prioritet, për të mos i lejuar rastet për tu vjetërsuar e parashkruar. Raporti po ashtu ngre alarmin se ky fenomen negative po shënon rritje prandaj duhet të trajtohet me prioritet dhe seriozitet të plotë nga KGJK dhe gjykatat, në atë mënyrë që të mos lejohet të arrihet afati i parashkrimit. Hartuesit e këtij raporti dhe hulumtuesit e KDI-së kanë treguar se se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në tetor të vitit 2021 kishte miratuar Planin Strategjik për Zgjidhjen Efikase të Lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar 2022-2024, mirëpo që ky plan nuk ka gjetur zbatimin e duhur, prandaj edhe katërçipërisht del konstatimi se ky sistem i drejtësisë kosovare, i kalbur e dështuar, nuk bënë gjë tjetër nga ato zyra të shtetit, vetëm së është shndërruar në zhvatës të buxhetit dhe në shërbim të avokatisë së fuqishme të krimit të Organizuar. Ana perfide e lidhjes me krimin nga ata që drejtojnë gjykatat dhe prokuroritë, është te shqiptimi i dënimeve simbolike, vetëm për numra statistike. IKD konstaton se politika ndëshkimore në rastet e korrupsionit ishte subjekt i trajtimit edhe nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën dhe Raportit të Progresit, ku thuhej se dënimet zyrtarëve të nivelit të lartë shpesh ishin të buta dhe se gjykatat nuk po zbatojnë sistematikisht udhëzimet për shqiptimin e dënimit të Gjykatës Supreme, të vitit 2018. “Mungesa e dënimeve adekuate në këto raste krahas faktit se ndikon që qëllimet e dënimit mos të arrihen, ndikon edhe tek krijimi i kulturës së pa ndëshkueshmërisë, e cila kulturë në fakt ndikon konsiderueshëm në rritjen e kësaj dukurie”, thuhet në raport. Ilustrimi i mos efikasitetit të zgjidhjes së rasteve ilustrohet me të dhëna tepër shqetësuese sipas të cilave del se Gjykatat joefikase në zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, kanë raste aktive të ngritura qysh para afër 14 vitesh. “Përtej afateve të përcaktuara me ligj, IKD gjatë monitorimit ka gjetur raste të korrupsionit të cilat janë aktive në gjykatë, përkundër se aktakuza është ngritur në vitin 2009. Pra, mbi 13 vjet më parë. Në këtë drejtim, janë gjithsej nëntë raste gjyqësore të korrupsionit, aktakuzat e të cilave janë ngritur nga viti 2009 deri në vitin 2015, e të cilat mbeten ende aktive në gjyqësor”, thuhet në raport. Formë tjetër e lojës së amnistimit të rasteve të korrupsionit e krimit është shëtitja e lëndëve nga një gjykatë në tjetrën. Kthimi i lëndëve të korrupsionit në rigjykim nga Apeli, vazhdon të mbetet problematikë. Çdo e treta lëndë është kthyer në rigjykim. Nga gjithsej 64 lëndë të vendosura në vitin 2022, Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim 21 prej tyre, e që Shprehur në përqindje i bie se 32.8% e lëndëve të korrupsionit. Nëse i vlerësojmë ngritjet e aktakuzave të para shumë viteve, ndaj atyre veprave kriminale të kryera më herët, që janë ngritur aktakuzat të cilat ripërsëriten nga viti në vit, dhe pranë atyre ripërsëritjeve vijnë deri te parashkrimet e tyre, e që këto parashkrime edhe në të ardhmen do të jenë evidente edhe viteve tjera në ardhje, e që kur e kemi parasysh se edhe sa vepra tjera kriminale nuk janë të zbuluara fare, i bije se shoqëria e jonë në luftimin e krimit në përgjithësi është tepër e vonuar në këtë pikëpamje. Prandaj qeveria në pushtet duhet që të bëjë reforma pozitive nëpër institucionet e drejtësisë dhe të tjerat që e luftojnë krimin në përgjithësi, prandaj nëse kjo qeveri përcaktohet që ti luftoj këto dukuri kriminale, edhe sukseset nuk do ti mungojnë, dhe shtetet tjera të BE-së do të binden në aftësitë e luftimit të krimit të institucioneve të Kosovës, dhe në përgjithësi shtetet mike nuk do ta kundërshtojnë pranimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare sikur që janë INTERPOL, UNESKO, BE etj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".