Karakteri hipokrit i profilit: “politikanë intelektual” i kohës!...

Karakteri hipokrit i profilit: “politikanë intelektual” i kohës!...
Karakteri hipokrit i profilit: “politikanë intelektual” i kohës!...

Ismail Muçiqi

  • 11 August 2023 - 14:37

Shkruan: Gazetari : Ismail Muçiqi

Në kohën e tranzicionit në të cilën po jetojmë kanë dale mbi sipërfaqe fenomenet më të ndryshme të karakterit të njerëzve të cilët janë kyçur në politikë dhe mbajnë përgjegjësi për zhvillimin e proceseve shoqërore dhe të demokracisë në Kosovë. Nuk ka dyshim se zhvillimi i demokracisë të mirëfilltë të një vendi me sistem demokratik dhe parlamentar është i lidhur ngushtë me sundimin e ligjit dhe normave tjera të cilat kanë dalur nga kushtetuta e shtetit dhe rendi juridik. Se sa shoqëria Kosovare është në rrugën e drejtë të pjekurisë për ta zhvilluar demokracinë është për tu dëshiruar. Fenomenet të cilat po ndodhin në vazhdimësi në të gjitha poret e jetës janë barometër i gjendjes aktuale te karakterit të njerëzve të cilët mirën me politikë dhe mbajnë përgjegjësi për ndërtimin e shtetit dhe prosperitetin e vendit. Koha ka treguar gjithmonë se vlera më sublime e personalitetit të njeriut është karakteri i forte i pa luhatshëm, i ndërtuar në vlera dhe në integritet të individit, të politikanit, të intelektualit, apo të profileve tjera të cilat janë faktorë për zhvillimin e demokracisë, sundimin e ligjit, dhe të drejtat e njeriut të një shteti. Mjerisht shoqëria Kosovare ka probleme akute të cilat kërkojnë zgjidhje dhe shërim sa më të shpejtë.

Politika në Kosovë është shndërruar në interes material të njerëzve të pa karakter të cilët po dëshmojnë se synim kryesorë në angazhimin politik e kanë interesin personal material financiar. Kjo dukuri ka vazhduar që nga pas lufta ku grupet e interesit janë rreshtuar për ti kapur institucionet e shtetit me qëllim të përfitimeve sa më shumë për tu pasuruar pa limit. Këto fenomene kanë ndodhur që nga privatizimi i aseteve ekonomike të popullit të Kosovës. Dukuri tjetër e cila po manifestohet me skenën politike dhe e cila e pasqyron mjerimin e individit (e klaneve) në politikë është hipokrizia e njerëzve të cilët pasi i kanë humbur pozitat në parti dhe institucionet e shtetit tani e tregojnë fytyrën e vërtetë duke u shpallur luftë përmes shpifjeve të ndyta bashkëpunëtoreve, dhe miqve të dikurshëm me të cilët kishin hartuar programe dhe projekte përmes partisë që i takonin për të ardhur në pushtet. Këta individ të dështuar në politikë dhe të bojkotuar nga rrethi ku jetojnë edhe pse një numër simbolik, me ndihmën e disa mjeteve të informimit, private dhe disa portaleve joprofesionale po mundohen të krijojnë kaos duke i prishur marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.

Metodat me të cilat manipulojnë ky soj i njerëzve nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat e zhvillimit të demokracisë e një shoqërie e cila pretendon të integrohet në mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe më gjerë. Kjo mënyrë e vrazhdë, e pa skrupull e kulturës së komunikimit është mikrob për Shoqërinë Kosovare. Dukuri tjetër e cila po e sfidon zhvillimin e gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës është lufta e pa kompromis për pushtet e një numëri të politikanëve, të kryetarëve që përfaqësojnë partitë politike e të cilët janë bërë të pa durueshëm për opinionin. Po të kishin fare pak logjik dhe moral këta njerëz do të duhej që sa më par të largohen nga skena politike pasi që kanë krijuar edhe pasuri marramendëse dhe nuk mund ti sjellin asnjë të mire vendit. Fjalori politikë i njerëzve pa integritet është degraduar skajshmërish duke i tejkaluar të gjitha normat dhe kodet e demokracisë.

Tani së fundi në Parlamentin e Kosovës dhe në televizionet private përmes pseudo analistëve dhe opinionistëve moderatorët e këtyre televizioneve me qëllim apo për shkak të mos dijes dhe analfabetizmit që i ka kapluar po nxisin me debate primitive se kush është patriot e kush është tradhtarë i këtij vendi. Ky lloj i komunikimit duhet sa më parë të parandalohet përmes institucioneve përkatëse të cilat mirën me kodin e etikës të mediave dhe informimit në Kosovë. Kjo gjendje po e rrezikon demokracinë në Kosovë, ekziston rreziku qe të demokracia e brishte dhe mos sundimi i ligjit te rrëshqet në anarki e cila do të ishte fatale për shtetin dhe popullin e Kosovës.  

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës  "Kosova Sot Online "