Modeli eventual kosovar i Asociacionit, asgjë më shumë se modeli në republikën e Kroacisë

Modeli eventual kosovar i Asociacionit, asgjë më shumë se modeli në republikën e Kroacisë
Modeli eventual kosovar i Asociacionit, asgjë më shumë se modeli në republikën e Kroacisë

Gani Qarri

  • 30 September 2023 - 09:09

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Përderisa në Kosovë, çuditërisht, insistohet për formimin e "zajednicës", pas sulmeve terroriste serbe kundër Policisë së Kosovës, në Evropë dhe botë kërkohet shpallja e "listës srpska" organizatë terroriste, madje përfaqësuesi i lartë i legjislaturës së 20 të Bundestagut Gjerman Josip Juratoviq, pas aktit terrorist të kriminelëve serb,kundër Policisë së Kosovës, kërkon që edhe në Kosovë, në vend të "zajdnicës" një etnike kundër kushtetuese serbe me përkufizim jo vetëm kulturor e politik, por edhe territorial me mbi 11 komuna, në gjithë territorin e Kosovës, të veprohet sipas shembullit të Kroacisë dhe të krijohet një Këshillë Nacional i cili do ti përfshinte të gjithë pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë.

-Megjithatë, nuk mund të thuhet apriori se nuk është, i pranueshëm dhe i qëllueshëm propozimi i presidentes së Kosovës Vjosa Osmani që çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe, modeli dhe kompetencat e funksionimit të tij, të dizajnohen dhe përcaktohen në bashkëpunim të ngushtë të ekspertëve kosovar me ata të SHBA-ve, duke pasur rolin kyç dhe fjalën e fundit, ekspertiza amerikane, ngase nëse SHBA, e merr përsipër këtë propozim, qëndrimet e saj, nuk mund të luhaten as të vihen në dyshim nga Serbia hegjemoniste, siç vepron me marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e BE-së, gjë që do të ishte edhe një lehtësim i madh për Kosovën, nëse nga ky projekt, nuk do të rrezikohej ligji, kushtetutshmëria, rregullimi i brendshëm dhe tërësia territoriale e shtetit të Kosovës.

Marrë parasysh shtimin e presionit dhe kushtëzimeve nga vendet perëndimore për përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes finale, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha së fundi se Kosova duhet që së bashku me Shtetet e Bashkuara të përgatisë draftin për statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi që, siç u shpreh edhe Presidentja, Marrëveshja për normalizimin e raporteve – që Kosova dhe Serbia arritën me ndërmjetësimin e BE-së, më herët gjatë vitit – nuk “ishte perfekt” për Kosovën, ani pse është obligim ndërkombëtar. Madje vet Presidentja e vendit shtoi, se ende ka dyshime tejet të mëdha, se si në fakt, mund të zbatohen në praktikë disa pjesë të marrëveshjes, duke përmendur me theks të veçantë nenin 7 dhe 10 të saj, kur dihet se Neni 7 flet për sigurimin e një niveli të vetë menaxhimit për komunitetin serb, në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut.

Kurse neni 10, parasheh eksplicit, që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për asociacionin, prandaj Presidentja me të drejtë beson, se vetëm konsulenca amerikane mundë të gjejë zgjidhjen më të mirë të mundshme,edhe për këtë rast, si vend aleat që e ka tradicionalisht Kosova, në të gjitha momentet e vështira. Kështu që ne fillimisht duhet të ulemi vetëm me SHBA-të, të përgatisim draftin e Republikës së Kosovës, sepse zgjidhja e vetme është, që ne të ulemi me partnerët tanë si SHBA, të prezantojmë para sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken draftin tonë, i cili është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe në pajtim me letrën e ish-shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherinit, që garanton se asociacioni, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive!

Drafti i Republikës së Kosovës, për asociacionin duhet të bazohet në qëndrimin e shkruar amerikan në opinion nga vet këshilltari i lartë i DASH-it, Derek Chollet dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të cilët që të dy sqarojnë se një krijesë e tillë do të jetë vetëm një trup koordinues dhe pa kompetenca ekzekutive”, siç deklaron Presidentja Osmani. Prandaj duhet medoemos të shfrytëzohet pikërisht ky rast, për rifillimin e hartimit të statutit nga pika zero, në mënyrë që të shmanget, përgjithmonë modeli një etnik serb, siç ishte shkruar në marrëveshjen e viteve 2013 dhe 2015, për të krijuar bazë ligjore të asocimit gjithë përfshirës edhe për komunat me shumicë shqiptare, në fqinjësi, me qëllim të integrimit më të shpejt e të sigurt të pakicës serbe dhe komunikimit të garantuar ndëretnik, si dhe avancimin e balancuar edhe ekonomik, të të gjithë banorëve pa dallim, të Republikës së Kosovës.

Rifillimi i hartimit të statutit të asociacionit nga pika zero, duhet të bëhet edhe për faktin se më 2015 Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që marrëveshja nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, aktin më të lartë juridik të shtetit tonë dhe kërkoi që ajo të harmonizohej përmes akteve nënligjore. Përndryshe për jetësimin e marrëveshjes për të ashtuquajturin asociacion të komunave me shumicë serbe në Kosovë, aktualisht ekzistojnë katër draft-statute dhe draft-vizione: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues, draft-vizioni i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, draft-statuti i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe draft-statuti për Asociacionin i hartuar nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung (FES). Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, para sulmit terrorist serb kundër Policisë së vendit tonë, vazhdimisht i kanë kërkuar Kosovës që të formojë asociacionin, duke vendosur atë edhe si pikën e parë të zbatimit të marrëveshjes së fundit, që është edhe kërkesa kryesore e Serbisë hegjemoniste.

Në gjithë këtë lëmsh thirrjesh kërkesash e tentimesh imponuese, për Kosovën, pak siguri për shtetin e brishtë të Kosovës, në këtë mes, ofron fakti që SHBA-ja deklaron se nuk do të lejojë që asociacioni t’i ngjasojë entitetit të "republikës srpska" në Bosnje e Hercegovinë. Edhe pas aktit më të ri terrorist serb në vendin tonë, BE dhe SHBA kërkojnë nga Kosova dhe Serbia, që pa vonesë ta zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit, prej 11 nenesh, ku mes tjerash parashihet edhe një nivel i vetë menaxhimit për pakicën serbe në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të dokumenteve analoge, pasaportave, vulave doganore dhe simboleve shtetërore.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".