Asociacioni në “siten” e Gjykatës Kushtetuese

Asociacioni në “siten” e Gjykatës Kushtetuese
Asociacioni në “siten” e Gjykatës Kushtetuese

Gani Qarri

  • 16 November 2023 - 07:34

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri 

Një krijesë kaq të rrezikshme, që cenon drejtpërsëdrejti shtetin e Kosovës, si "asociacioni" brenda për brenda territorit të vendit tonë, Kosova duhet përfundimisht ti thotë jo, dhe njëjtë si Kroacia ku edhe pas lufte jetojnë dy herë më shumë serb, se në Kosovë, të ofrojë një Këshill Nacional për pakicën serbe, në mënyrë që për vetëm disa dhjetëra mijëra pjesëtarë të një pakice kaq problematike, të mos vihet në rrezik e gjithë qëndrueshmëria e vendit, e për rrjedhojë edhe vet vazhdimësia e shtetit të Kosovës.
 
-Vendimi për hedhjen poshtë të “asociacionit” duhet të bazohet, medoemos në analizat brilante të profesorit Daniel Server, i cili ka pohuar publikisht se përmbajtja e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është mjaft e ndërlikuar, pasi që kompetencat ekzekutive fillojnë qysh te pjesa e draft statutit, për mbështetjen financiare, me të cilat asociacioni ka të drejtë, të financohet direkt prej Serbisë, pa kaluar fare përmes Qeverisë së Kosovës, pra fillimisht, kjo është vetëm një nga dispozitat që parashohin “kompetenca ekzekutive” për këtë mekanizëm.

Andaj, nëse vërtet, përkundër të gjitha këtyre argumenteve tragjike, ndodhë të vije deri te formimi i të ashtuquajturit "asociacion", serish krejt barra, do të bie mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila nëse ka kurajë, forcë morale dhe guxim profesional, me rastin e dërgimit për verifikim dhe interpretim të Draft-Propozimit për Asociacionin, ta hedhë poshtë si krijesë dhe version, me argumente ligjore dhe kushtetuese, për ta shpëtuar Kosovën nga rreziku i shpërbërjes, që do ti vijë prej të ashtuquajturit "asociacion", nga ai moment, ky akt historik, do-dhe duhet ti faturohet, përgjithmonë dhe përjetësisht Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për mos lejimin e cenimit të sovranitetin dhe rrezikimit të integritetit territorial, që pas mese 25 viteve të çlirimit nga Serbia, mund të qonin në ndarjen dhe zhbërjen përfundimtare të shtetit të Kosovës!

Në fakt specialisti në fushën për menaxhimin e konfliktit dhe një nga vëzhguesit e dinamikës politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Server, e ka analizuar dhe  komentuar përmbajtjen e Draft-Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, i cili ka qarkulluar ditët e fundit në media nën pretendimet për autenticitetin e dokumentit të prezantuar nga Bashkimi Evropian, e të cilin BE as nuk  e ka mohuar por as nuk e ka pohuar se është ai që është propozuar dhe u është dhënë në shqyrtim dhe komentim palëve në dialog. Dhe në një botim autorial, profesori amerikan ka hedhur vështrimin e tij mbi “të mirat” dhe “të këqijat” rreth draft-statutit “modern dhe evropian” të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke theksuar se ana pozitive është fakti se ky mekanizëm për serbët e Kosovës do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke përfshirë çdo ndryshim të statutit.

Prandaj ky edhe do të jetë akt historik për Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në këtë mandat qeverisës, në rastin e dërgimit për verifikim dhe interpretim të Draft-Propozimit për Asociacionin e komunave serbe, për të mos lejuar në asnjë nuancë, asnjë kompetencë e cila bije ndesh me Kushtetutën dhe kurdo qoftë ato kompetenca të mos mundë të përdoren për ta rrezikuar, cenuar sovranitetin dhe integritetin e shtetit të Kosovës! Gjithashtu, ndonëse Server ka pohuar se përmbajtja e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është e ndërlikuar, ka shtuar se një ndër aspektet pozitive të dokumentit është edhe referenca ‘Republika e Kosovës’ dhe roli i theksuar i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të Qeverisë së Kosovës në themelimin e tij. “Anëtarësimi në Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është vullnetar për komunat me shumicë serbe. Komunitetet jo serbe duhet të përfaqësohen edhe pse në një mënyrë të papërcaktuar, kurse BE-ja do të sigurojë mbikëqyrje për 5 vjet e rinovueshme edhe për 5 të tjera”, ka shtuar profesori amerikan për të përmbyllur pesë “të mirat” që burojnë nga draft-statuti.  E duke hedhur vështrimin e tij mbi “të këqijat” e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, profesori amerikan ka konsideruar se në një pjesë të draft-statutit ku flitet për qëllimin e këtij mekanizmi, ekziston mundësia e kompetencave ekzekutive në fushat e përgjegjësisë komunale.

Po ashtu, Server ka shtuar se një dispozitë parasheh “kompetenca ekzekutive” për këtë mekanizëm dhe e ka parë shumë problematik edhe aspektin e mbështetjes financiare të Qeverisë së Serbisë për Asociacionin, pa kërkuar që ajo të rrjedhë përmes Qeverisë së Kosovës që kryen vetëm auditime të jashtme në pajtim me ligjin e Kosovës.  “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mund të miratojë vendime, deklarata, rregullore dhe udhëzime. Kjo dispozitë parashikon qartë kompetenca ekzekutive. Përderisa Qeveria e Serbisë përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të ofrojë shërbime shëndetësore dhe arsimore, për serbët dhe serbisht-folësit brenda Kosovës, kjo vërtetë e cenon sovranitetin e Kosovës”, siç ka nënvizuar edhe profesori Daniel Server!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".