Vettingu sado i vonuar, mjeti i vetëm për ta shkëputur drejtësinë nga nëntoka e krimit të organizuar

Vettingu sado i vonuar, mjeti i vetëm për ta shkëputur drejtësinë nga nëntoka e krimit të organizuar
Vettingu sado i vonuar, mjeti i vetëm për ta shkëputur drejtësinë nga nëntoka e krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 15 November 2023 - 07:43

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Mjerisht nga dita në ditë, po dëshmohet katërçipërisht se pikërisht sistemi gjyqësor i korruptuar, vazhdon të mbetet avokati më besnik i krimit të organizuar, i cili pengon që të secili pa dallim dhe pa marrë parasysh pozitën që mban në jetën politike e publike, të përgjigjet para ligjit për abuzim dhe lidhje me krimin. Një sistem komplet i kapur dhe i inkriminuar këmbë e krye, që edhe 24 vite pas çlirimit si institucion, nuk po lejon ndërtimin e shtetit funksional të së drejtës në Kosovën e shumëvuajtur.

-Për aq më tepër, lidhja e sistemi të drejtësisë me krimin e organizuar, më së miri po dëshmohet edhe me rastin më të freskët të dështimit të seancave gjyqësore për skemat piramidale të mashtrimit. Dhe të hënën që sapo lamë pas, serish me inskenimin e "mungesës" së avokatit ka dështuar për herë të tretë gjykimi ndaj të akuzuarve për mashtrimin e fermerëve përmes organizatës joqeveritare QAD, të cilët po akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe veprën penale të mashtrimit. Kurse seanca e radhës nëse edhe më tej, ka ngelur tu besohet këtyre njerëzve lidhur me këtë rast skandaloz, thuhet të jetë caktuar për 20 nëntor.

E njëjtë me seancën e fundit edhe seancat e caktuara më 16 korrik 2023 dhe më 26 shtator 2023, kishin dështuar të mbaheshin, çuditërisht serish për shkak se mungonte avokati i njërit nga të akuzuarit, kurse ajo që habitë dhe të lë pa mend, është fakti se ky rast është në procedurë që nga viti 2017, pra edhe pse kanë kaluar mbi 8 vite, ai ende vazhdon të shtyhet dhe as që dihet se kur, apo edhe se a do të përfundojë fare ndonjëherë. Siç merret vesh Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 29 mars të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzën ndaj Valmir Hajrullahut, Freskim Buqajt dhe Saranda Dobrunës për veprat penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mashtrim”. Dhe megjithëse që tre këta të akuzuar, janë paditur nën dyshimin se kishin themeluar organizatën joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci”, (QAD) dhe kishin mashtruar fermerët kinse atyre do tu ofronin subvencione, për të cilat të dëmtuarit detyroheshin të paguanin në emër të participimit me vlerën nga 25 deri 30% të shumës së subvencionit të kërkuar.

Por sipas aktakuzës, ata as që e kishin përmbushur obligimin e premtuar, duke përfituar kështu, në mënyrë të kundërligjshme shuma të mëdha të parave, nga parat e participimeve të fermerëve, vlera e të cilave kishte arritur në mbi 600 mijë euro. Kurse më 19 korrik të këtij viti, ishte shtyrë seanca serish, me arsyetimin banal, të mungesës së të akuzuarit Valmir Hajrullahu, kundër grupit që akuzohet për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe veprën penale të mashtrimit. E megjithëse siç thuhet i akuzuari Hajrullahu ishte sjell me forcë nga Policia në Gjykatë, tani në këtë seancë, mungonte Avokati!? Kështu që ky rast skandaloz i korrupsionit publik, për hiq më pak se 8 vite po zhargitet qëllimisht, në pritje të verdiktit të gjykimit, i cili nuk po ndodhë kurrë, ngase loja mafioze vazhdon, mbase me paramendimin për parashkrimin e rastit, nga drejtësia e kapur. Përndryshe siç u cek edhe më lartë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 29 mars 2017, kishte ngritur aktakuzën ndaj Valmir Hajrullahut, Freskim Buqaj për veprën penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 300 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Të pandehurit Hajrullahu Buqaj dhe Saranda Dobruna akuzohen për shkak të veprave penale “Mashtrim” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vetën dhe për personin tjetër, duke bashkëpunuar me njeri tjetrin, nga 4 gushti 2014, respektivisht me 17 gusht 2015 deri me 2 dhjetor 2016, ata edhe kishin organizuar skema piramidale.

Në aktakuzë thuhet se kishin themeluar organizatën joqeveritare të ashtuquajtur “Qendra për Avokim dhe Diplomaci”, (QAD), me seli në Prishtinë dhe degët në qytetet: Shtime, Lipjan, Malishevë, Suharekë dhe Ferizaj, ku përmes kësaj organizate fillimisht përmes rrjeteve sociale kishin mashtruar fermerët, se kinse u ofronin subvencione, me kushtin për të participuar në konton e organizatës piramidale-QAD, me vlerën mes 25 dhe 30% të shumës së kërkuar nga fermerët si subvencion. Dhe duke u besuar atyre, fermerët kishin paguar këtë përqindje, në xhirollogarinë bankarë të QAD-it, e në disa raste kishin paguar edhe në kesh, madje ata ishin detyruar të paguanin edhe TVSH, ani pse prodhimet bujqësore janë të liruara me ligj nga kjo taksë. Kurse mjetet financiare të paguara nga fermerët, supozohet se ishin nxjerrë menjëherë nga llogaria bankare nga të akuzuarit, me arsyetimin e rrejshëm, se kinse kishin marrëveshje me Komisionin Evropian dhe Ministrinë e Bujqësisë.

Në këtë mënyrë të akuzuarit, jo vetëm që nuk e kishin përmbushur obligimin e tyre të premtuar për donacione, por edhe kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të mëdha të parave, vlera e të cilave kishte arritur rreth 600.000,00 euro, duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të pakrahasueshme materiale pasi që shumica e fermerëve në mungesë të parave, të hollat e kërkuara për participim, ishin detyruar ti merrnin kredi nëpër banka. Kështu që zvarritja e gjykimit edhe për këtë lloj-loje të pistë të mashtrimit dhe skemave piramidale, është edhe një fakt tjetër që alarmon mbar opinionin se drejtësia kosovare, jo vetëm po kalkulon me vonesa të qëllimshme, por po dëmton rëndë përveç fermerëve të pafajshëm, edhe sundimin e ligjit, zvarritje e cila, duket se po ndodh edhe për shkak të vonesave në reformimin dhe futjen e VETTING-ut, i cili shihet si shpëtimi i vetëm, i pastrimit dhe dekriminalizimit të sistemit të kalbur gjyqësor e prokurorial, të politizuar tërësisht, të korruptuar deri në fyt dhe komplet të nënshtruar ndaj nëntokës së krimit të organizuar edhe mese 25 vite pas çlirimit të Kosovës nga Serbia!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".