Disa të dhëna në kujtesë historike për LPK-në dhe sfidat e UÇK-së

Disa të dhëna në kujtesë historike për LPK-në dhe sfidat e UÇK-së
Disa të dhëna në kujtesë historike për LPK-në dhe sfidat e UÇK-së

Muhamet Kelmendi

  • 04 January 2024 - 10:38

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

 Në vitin 1993 ishte marrë vendimi që të organizohet Kuvendi i tretë ( Mbledhja e tretë e Përgjithshme e LPK-së) brenda vendit. Mbledhja u organizua dhe në takim u nxorën disa konkludime shumë domethënëse për të ardhmen tonë. Në Kuvend u paraqiten 9 konkluzione të Kryesisë së LPK-së. Këto konkluzione u plotësuan në Tiranë nga unë ( Muhamet Kelmendi), para mbledhjes disa ditë. I dërgova në mbledhje me anën e Adem Grabovcit. Me ndryshime e plotësime në Kuvend të LPK-së u miratuan konkluzionet. Njëri konkluzion ishte: "Kosova dhe pjesët e popullit shqiptar të pushtuar nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, kanë nevojë për një forcë të armatosur dhe luftarake. Kjo për faktin se vetëm me mjete paqësore kurrë vendi i ynë nuk do të çlirohet (...). Për të ndërtuar këtë obligohen organet udhëheqëse të LPK-së që të merren me këtë detyrë imediate". Mbi bazën e vendimit të tillë, LPK vazhdoj rrugën. Organizoi sa mundi forca nëpër njësi.

Mblodhi mjete financiare dhe i caktoj grupet e punës. Në vitin 1994 e themeloj UÇK- në dhe doli zyrtarisht me  komunikatë në Nëntor të atij viti mbi themelimin e organizatës çlirimtare në Kosovë. Po tash, nga Kryesia e LPK-se, u organizuan dy grupe: 1. Grupi i ndërlidhjes dhe 2. Grupi politik. 1. Grupi i ndërlidhjes përbëhej nga Xhavit Haliti, Azem Syla e Ali Ahmeti, ndërsa 2. Në grupin politik ishte Muhamet Kelmendi, Fazli Veliu dhe Emrush Xhemaili.  Në këtë kohe, viti 1994/95 nga Kryesia e LPK-së u themelua Fondi "Vendlindja Thërret". Kryetar e caktoj Jashar Salihun. Po kështu i caktoj kryetarët e fondit për shtete dhe kontinente. Lufta çlirimtare mori intensitet të s'forcuar.

Tërë kompetencat politike, juridike, diplomatike e financiare i mori Kryesia e LPK-së. Brenda u organizua Shtabi i Përkohshëm i UÇK -së. Ai morri rrolin e aktiviteteve çlirimtare. Kudo u godit armiku, përkatësisht forcat policore dhe ushtarake pushtuese. Kjo vazhdoj kështu deri në mars dhe prill të vitit 1998. Në këtë kohë, u panë sukseset e luftës çlirimtare. Në beteje ra heroi Adem Jashari me mbi 50 anëtarë të familjes. U sulmua familja Haradinaj. Këto e çmenden grupin e Hashim Thaçit, që përbëhej nga Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Kadri Veseli. Këtij grupi përmbysës dhe shkatërrimtar iu bashkua edhe Bardhyl Mahmuti e Adem Grabovci. Ikën nga organizimi Emrush Xhemaili dhe Gafur Elshani. Shkuan në Dukagjin te Ramush Haradinaj.

E lanë LPK-në dhe UÇK-në nen sulmin e këtij grupi dhe ikën. Në mars-maj të vitit 1998 grupimi bëri sulmin vendimtar kundër LPK-së dhe UÇK-se. I përmbysen organet legjitime dhe vetë dolën në udhëheqje. Bënë grusht politik në LPK dhe UÇK-në e ndanë. Po në maj e nxorën kryetar të LPK-së Bedri Islamin. Kurse, në korrik të vitit 1999, në Prizren e shkatërruan LPK-në dhe e formuan një subjekt me Bardhyl Mahmutin kryetar të ashtuquajtur Bashkim Demokratik, që iu bashkua PDK-së së Hashim Thaçit. Bardhyli u bë nënkryetar. Mori kështu fund LPK. Dhe, po në fund të vitit, Hashimi me kompani e likuidoi edhe UÇK-në. Këto janë faktet në retrospektivë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".