Angazhimi i SHBA-së për reformat në drejtësi në Kosovë dhe në Shqipëri, strategji e ndryshimit pozitiv të kulturës politike dhe juridike

Angazhimi i SHBA-së për reformat në drejtësi në Kosovë dhe në Shqipëri, strategji e ndryshimit pozitiv të kulturës politike dhe juridike
Angazhimi i SHBA-së për reformat në drejtësi në Kosovë dhe në Shqipëri, strategji e ndryshimit pozitiv të kulturës politike dhe juridike

Skender Kapiti

  • 11 January 2024 - 08:14

Nga: Skënder Sadri Kapiti

 Ligji qeverisës në Shqipëri por edhe në Kosovë është ligji i kapjes së shtetit. Prandaj Reforma në Drejtësi është jetike dhe historike për Shqipërinë, pasi SPAK-un  dhe Vetting-un në Drejtësi   e mbështesin fuqishëm SHBA-të për të çmontuar kulturën zakonore e të lidhjeve përfituese kundër interesit të qytetarit dhe të shoqërisë; për të reformuar institucionet e drejtësisë në Shqipëri  gjë e cila do të ndryshojë kështu edhe kulturën juridike, politike dhe sociale mbi drejtësinë, në mënyrë që institucionet e shtetit shqiptar të funksionojnë në interes të shtetit, të qytetarëve dhe të kombit. Prandaj edhe në Kosovë publiku kërkon një Reformë si kjo në Shqipëri, gjë të cilën e ka kërkuar dhe e ka promovuar shumë kohë më parë Gazeta “KOSOVA SOT”

 -Me fillimin nga puna të SPAK dhe me mbështetjen e SHBA-ve për drejtësinë, në Shqipëri ka filluar dhe po  ndryshon edhe kultura politike, qytetare, intelektuale dhe shoqërore mbi  drejtësinë, gjë e cila është esenciale dhe thelbësore për të arritur suksesin drejtësia shqiptare, Vetting-u. Reforma në Drejtësi do të dështonte nëse ajo do mbetet si retorikë, alibi  dhe thashethemnajë dhe me siguri do të dështonte nëse Reformimi i Drejtësisë do të mbetej që ta bënte  politika, shoqëria dhe institucionet vendore shtetërore shqiptare pa monitorimin e rreptë të SHBA-ve. Reforma në drejtësi nuk do sillte besim e as shpresë nëse nuk bën ndëshkimin e autorëve të vendimmarrjeve shtetërore, publike e gjyqësore aktet e të cilëve kanë shkaktuar pasoja, krime, vjedhje  dhe dëme njerëzore, pronësore, pasurore e financiare shtetit dhe qytetarëve shqiptarë.   

Drejtësia në mbretërinë shqiptare i shërbente mbretit, oborrit dhe regjimit të tij; në komunizëm po kështu drejtësia i shërbente diktatorit,oborrit dhe regjimit komunist. Në këtë tranzicion pseudo demokratik drejtësia i shërben akoma po ashtu  politikës dhe korrupsionit të regjimeve qeveritare  politiko-partiake  pavarësisht ndërrimit  apo zëvendësimit të tyre. Pra, në Shqipëri që kur u formua shteti shqiptar  kemi të njëjtën kulturë  politike, juridike e shoqërore për drejtësinë: kemi kulturën  e kapjes  së shtetit nga politika, partia, akrabaja fisnore,  pushteti e qeveria  dhe të  përdorimit të shtetit për përfitime personale, familjare, klanore e partizane. Është formësuar dhe po kështu edhe e trashëguar   kultura e mos llogaridhënies dhe e pandëshkueshmërisë së politikës, pushtetit, qeverisjes, politikanëve e pushtetarëve dhe as e atyre që kanë miq,shokë e të afërm te pushteti e politika dhe mosndëshkimi as i atyre që kanë paranë për të blerë shtetarin, pushtetarin dhe gjyqtarin e prokurorin.

Gjithmonë që kur Shqipëria doli nga sistemi komunist, SHB-të  e ndihmuan dhe përkrahën Shqipërinë duke e këshilluar politikën shqiptare për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshme dhe të pavarur nga politika. Mirëpo politika shqiptare mbeti vetëm në stadin politikës së  retorikave boshe,bajate e shterpë dhe sidomos spekuluese e mashtruese për demokracinë, lirinë dhe shtetin  ligjor.  Politika shqiptare   dështoi, apo shumë më saktë dhe e vërteta është fakti   se politikës shqiptare nuk i interesoi dhe ajo as nuk deshi  një shtet ligjor me drejtësi jo politike. Kjo edhe për faktin se e tillë ka qenë jo vetëm politika e tranzicionit por edhe kultura e trashëgimia politike shqiptare mbi drejtësinë.

Tani  me Reformën në Drejtësi, SHBA dhe SPAK po  e ndryshojnë edhe kulturën politike, juridike  e shoqërore mbi drejtësinë, kjo për faktin se në Shqipëri drejtësia gjithmonë ka qenë politike,  e kapur nga politika, autokracia, dhe si një kulturë nepotiko-krahinore dhe sidomos e kapur nga korrupsioni.

 Korrupsioni politik në Shqipëri është një marrëveshje, apo më saktë është një konsensus tinëzar dhe i fshehtë i politikës shqiptare të tranzicionit. Korrupsioni në këto tridhjetë vite post komunizëm u kthye në një traditë e kulturë jo vetëm publike por edhe shoqërore, si një lubrifikant i cili  vë në lëvizje jo vetëm demokracinë por edhe shtetin  dhe shoqërinë, si një dukuri normale tolerance, mirëkuptimi dhe dakordësie e pashprehur për të bërë paligjshmërinë, pasurinë, karrierën dhe për të marrë statusin e personit VIP. Padrejtësia e sistemit politik e gjyqësor dhe korrupsioni institucional me në krye drejtuesit e tyre e përdorin ligjin, drejtësinë dhe postet shtetërore vetëm si mjete për përfitime dhe kundër interesit publik,pasi gjithçka për politikën dhe politikanët shqiptar është vetëm biznes e pazar politik e korruptiv.

Ndryshimet e pushteteve dhe të qeverisjeve politike në Shqipëri janë vetëm fasada mashtrimi demokratik sepse në themel të gjitha  qeverisjet kanë të njëjtën kulturë dhe praktikë, kanë   atë të përfitimit, të  interesit vetëm për pushtet, pasurim dhe të parasë.

Asnjë ndryshim në mënyrën dhe në kulturën qeverisëse korruptive antipublike nuk ka pasur as në qeverisjen Berisha, as Nano, as Meta dhe as sot Rama por vetëm sa korrupsioni ka ardhur në rritje dhe që ka kulmuar me qeverisjen super korruptive të qeverisë së  Edi Ramës.

Dhe prandaj shqiptarët ashtu sikurse që gjithmonë kanë shpresuar te SHBA-të, edhe në këto 30 vite dhe sot shpresën për ndryshim e kanë vetëm te SHBA-të dhe SPAK, te Vetting-u.

Por mesa duket SHBA-të, edhe ato po e kanë shumë të vështirë për të besuar të ndonjë politikë apo politikan në Shqipëri, pasi rezulton se nuk është e lehtë që të gjendet në Shqipëri një politikë dhe  politikanë që janë bartës të një kulture  politike patriotike, demokratike, juridike dhe civile e moderne që të jetë alternativë ndryshe nga ajo e  jo vetëm të këtij tranzicioni por edhe ndryshe nga tradita dhe ndryshe nga  e gjithë kultura politike e këtyre  111 viteve në Shtetin shqiptar. Në këto 30 vite tranzicion SHBA-të kontribuan  aq shumë në mbështetje dhe në përkrahjen  për demokracinë, për shtetin ligjor, zhvillimin dhe integrimin e Shqipërisë. Mirëpo SHBA dhe aleatët e tyre janë shumë të zhgënjyera  me atë se çfarë krejt kundër demokracisë, krejt kundër interesave kombëtare dhe kundër integrimit vepronte e sillej e gjithë politika shqiptare, atëherë SHBA-të ndërhynë fuqishëm për Reformën në Drejtësi dhe me sanksionet kundër politikës dhe politikanëve shqiptarë për t’a pastruar drejtësinë dhe  politikën shqiptare. Jo vetëm sot e tani, por në gjithë historinë e shtetit shqiptar ka sunduar politika e kapjes së shtetit, të shoqërisë   dhe të drejtësisë nga politika, dhe kjo politikë fatkeqësisht është rrënjosur si kulturë politike dhe prandaj edhe beteja për një kulturë politike ndryshe, ku në bazë të asaj kulture të jetë drejtësia dhe barazia para ligjit për të gjithë njësoj, dhe ku drejtësia do të jetë edhe shëruesja e politikës dhe ilaç për demokracinë në mënyrë që të ndryshojë edhe kultura qeverisëse, pra të triumfojë qeverisja republikane e shtetit ligjor.

Ligji qeverisës në Shqipëri por edhe në Kosovë është ligji i kapjes së shtetit.

Prandaj Reforma në Drejtësi është jetike dhe historike për Shqipërinë, pasi SPAK-un  dhe Vetting-un në Drejtësi   e mbështesin fuqishëm SHBA-të për të çmontuar kulturën zakonore e të lidhjeve përfituese kundër interesit të qytetarit dhe të shoqërisë; për të reformuar institucionet e drejtësisë në Shqipëri  gjë e cila do të ndryshojë kështu edhe kulturën juridike, politike dhe sociale mbi drejtësinë, në mënyrë që institucionet e shtetit shqiptar të funksionojnë në interes të shtetit, të qytetarëve dhe të kombit. Prandaj edhe në Kosovë publiku kërkon një Reformë si kjo në Shqipëri, gjë të cilën e ka kërkuar dhe e ka promovuar shumë kohë më parë Gazeta “KOSOVA SOT”

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".