Kur do ti themi stop degradimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë?!...

Kur do ti themi stop degradimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë?!...
Kur do ti themi stop degradimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë?!...

Ismail Muçiqi

  • 22 February 2024 - 13:21

Shkruan: Gazetari: Ismail Muçiqi  

Gjithmonë gjatë historisë në të gjitha shtetet e Botës me sisteme të ndryshme Arsimi dhe Edukimi ka qenë shtylla kryesore e ndërtimit, zhvillimit të një shteti normal. Mjerisht që nga pas lufta Sistemi i Arsimit në Kosovë u la pas dore dhe u degradua skajshmërish nga politika, nga grupet oligarkë të cilat e goditën Arsimin për interesat e tyre personale, familjare, partiake dhe klanore. Partitë politike të gjitha që ishin pjesë e pushtetit Sistemin e Arsimit në Kosovë e keqpërdorën nga brenda dhe jashtë duke i emëruar apo instaluar në krye të institucioneve arsimore individët me libreza partiake pa vlera, pa meritokraci, jashtë rrjedhave të shkencës së kulturës. Kështu këto dukuri negative u shtrinë dhe u instaluan nga shkolla fillore duke i emëruar drejtorët politikë të cilët nuk kishin asgjë të përbashkët me Arsimin, Edukimin dhe me normat intelektuale dhe pedagogjike për ta avancuar cilësinë në shkollat tona. Arsimin e goditën dhe e anatemuan edhe e ashtuquajtura lëvizje sindikaliste në krye me Rrahman Jasharin dhe stafin e tij. Kjo celulë sindikaliste e cila po manipulon me punëtorët e Arsimit në Kosovë i ka kaluar të gjitha kompetencat dhe normat ligjore duke u ngjitur mbi Ministrinë e Arsimit dhe institucionet tjera që janë kompetente për Sistemin Arsimorë. Pothuajse të gjitha partitë politike dhe grupet e interesit Universitetet publike i përdorën për agjenda elektorale (për vota).

Fatkeqësia edhe më e madhe që i ndodhi Sistemit të Arsimit ishte ajo se nëpër institucionet dhe ne dekanate u emëruan njerëzit pa dije, pa biografi dhe vlera shkencore, me qëllim që këto garnitura profesorësh të prodhojnë sa më shumë dhe sa më shpejtë profilesh kuadra me diploma të fakulteteve, për tu avancuar nga partia në institucionet, agjencitë dhe në organe të ndryshme qeveritare. Kjo dukuri e cila e ka ngulfatur Sistemin e Arsimit nëpër institucionet shkollore dhe universitare është zhvilluar në mënyrë të heshtur dhe perfide nga shërbimet administrative të fakulteteve (nga referentët) duke e zgjeruar logjistikën deri tek niveli më i lartë i shkollimit përkatësisht deri tek caktimi i individëve (profesorëve) për dhënien e doktaraturave. Se me të vërtetë politika i ka futur thellë duart në Institucionet  e Arsimit nuk donë koment. Kjo po shihet edhe tani kur Rrahman Jashari dhe bashkëpunëtorët e tij të cilët u shërbejnë partive të caktuara politike dhe grupeve të interesit kërcënojnë me greva dhe protesta duke e shkatërruar në vazhdimësi bërthamën dhe kauzën e një sistemi të mirëfilltë të Arsimit dhe Edukimit në Kosovë.

Duhet theksuar se një numër i ish profesorëve që ishin pjesë e Universitetit Publikë të Prishtinës tani kanë formuar (të ashtuquajtura institute te improvizuara) më shumë për agjenda personale sesa për ti ndihmuar gjendjes në Arsim dhe ne zhvillimin ekonomik. Në këto të ashtuquajtura institute familjare janë të punësuar apo të angazhuar individë puro familjare që janë pjesë e familjes apo të dajëve dhe nipave të cilët përmes këtyre filialeve kohë pas kohe kanë hyrë në institucionet e shtetit duke i realizuar interesat e tyre familjare dhe karrieriste. Fatkeqësia më e madhe që i ka ndodh Sistemit të Arsimit pas luftës në Kosovë është kur njeriu dëgjon se Brenda një dekade me mija veta kanë marrur tituj doktor shkence shkel e shko.

Paradoksi edhe më i madh i këtyre fenomeneve të degradimit është kur në universitetin publik të Prishtinës caktohet njeriu (profesor) ne krye te komisionit për vlerësimin dhe dhënien e doktaraturave  pa dije dhe jashtë rrjedhave shkencore  të cilin nuk e njeh as lagjja ku ka lindë e mos të flasim për fshatin apo vendbanimin ku jeton. Këto janë huqet dhe deformimet tona të cilat para syve tonë kanë ndodhur dhe po ndodhin duke e shkatërruar Sistemin e Arsimit dhe vlerat njerëzore dhe shkencën në kohën e teknologjisë dhe informatikës moderne.   

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".