Fryrësit e listave të veteranëve mbeten të pa ndëshkuar, amnistohen nga gjyqësori i kontrolluar prej krimit të organizuar

Fryrësit e listave të veteranëve mbeten të pa ndëshkuar, amnistohen nga gjyqësori i kontrolluar prej krimit të organizuar
Fryrësit e listave të veteranëve mbeten të pa ndëshkuar, amnistohen nga gjyqësori i kontrolluar prej krimit të organizuar

Gani Qarri

  • 27 February 2024 - 21:00

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Me kuazi gjykimin e përgjegjësve për abuzimin e listave të veteranëve të luftës, duket se po i vihet kulmi finales së turpshme të lojës, për fryrjen dhe trefishimin e tyre, duke vazhduar me një proces gjyqësor tepër të vonuar dhe zvarritur e inskenuar mungesat e pjesëmarrjes në seanca, herë nga të akuzuarit e herë nga mbrojtësit e tyre, apo edhe ndonjë prokurori a gjykatësi, që gjithmonë janë montuar qëllimisht për një proces të dështuar i cili duket se po shkon rrugës së zhvlerësimit dhe të parashkrimit.

 

Madje edhe fillimi i kësaj jave ka vazhduar me një seancë të procesit gjyqësor mbi aferën e listave të veteranëve, e ku para gjykatës është paraqitur për ta dhënë dëshminë e tij ish deputeti i AAK-s Daut Haradinaj, aferë në akuzën për të cilën janë të përfshirë për keqpërdorim të detyrës zyrtare një numër i madh i figurave qendrore drejtues dhe komanduese të UÇK –së, si dhe veteran të shoqatave të dala nga lufta, duke filluar nga ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Kurse ky proces gjyqësor maratonik po vazhdon të zvarritet nga viti 2022, për shkak të mos përgjigjes dhe mos pranisë së palëve në seancat që caktohen nga Gjykata Themelore e Prishtinës, kur dihet se seanca e 16 dhjetorit 2022 kishte dështuar, pikërisht për mungesë të të akuzuarve Fazliu dhe Elezaj, ndërsa ajo e 15 marsit 2023, ishte anuluar me kërkesë të prokurorit Valdet Gashi. Ndërsa seanca e 15 qershorit 2023, kishte dështuar për shkak se të akuzuarit Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku dhe Xhavit Jashari, nuk kishin angazhuar avokatë, përderisa edhe seanca e 18 shtatorit 2023 është anuluar për shkak se prokurori Valdet Gashi ishte në udhëtim zyrtar, por sikur mos të mjaftonin këto dështime edhe seanca e 28 shtatorit 2023 dështoi në mungesë të të akuzuarit Shukri Buja. Pra vet kjo maratonë dështimesh, tregon se ky është një proces gjyqësor me të cilin po luhet pingpong për ta dështuar qëllimisht dhe me skenar të paramenduar të mungesave të orkestruara, në mënyrë që ky rast ta bëjë shëtitjen e vetë të gjatë nga Themelorja në Apel dhe anasjelltas. Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro, por përkundër të gjithave, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021, i kishte liruar , kokë më vete, të akuzuarit nga akuza. Ishte Gjykata e Apelit, ajo që më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast. Në fakt Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021, kurse Aktgjykimi, qëllimisht ishte përpiluar me tre muaj më vonesë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi. Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019. Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor. Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë. Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës. Në aktakuzën në fjalë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , kurse listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale, pasi që sipas saj, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro, ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".