Kuvendi i Lezhës ishte shtylla kurrizore e fuqisë së Arbërisë dhe themelet e parlamentarizmit arbëror

Kuvendi i Lezhës ishte shtylla kurrizore e fuqisë së Arbërisë dhe themelet e parlamentarizmit arbëror
Kuvendi i Lezhës ishte shtylla kurrizore e fuqisë së Arbërisë dhe themelet e parlamentarizmit arbëror

Gjon keka

  • 01 March 2024 - 13:53

 

Shkruan:ANALISTI-Gjon Keka

Me rastin e 580 vjetorit të Kuvendit të Lezhës

-Në thelb, Kuvendi kombëtar i Lezhës së 2 marsit 1444 paraqet unitetin dhe lirinë e Arbërisë si synim të aspiratave të saj të natyrshme të bashkimit dhe besëlidhjes së lashtë brenda Gadishullit Ilirik. Kuvendi kombëtar arbëror u themelua në atë kohë kur ekzistenca e Arbërisë dhe Evropës u rrezikuan nga pushtimi i Perandorisë Otomane. Lufta, e cila për një çast kërcënoi të gjithë Evropën, u kishte treguar të gjithëve e posaçërisht krye fisnorëve të atdheut se sa e ndarë do të ishte fuqia kombëtare arbërore kur të përballej me armikun e jashtëm. I vetëdijshëm për rrezikun e afërt që do të lindte nga kjo për popullin e tij arbëror, ideja e kryezotit tonë arbëror Gjergj Kastriotit zuri rrënjë në shumë fise arbërore ,krahina dhe në të gjitha palët, ashtu që në luftën e afërt,fuqia më e madhe ushtarake arbërore e dal nga Kuvendi i Lezhës si ushtri e përbashkët e Arbërisë do të ishte shtylla kurrizore e të gjithë fuqisë kombëtare arbërore. Poashtu ky kuvend arbëror ishte edhe një ftesë për gjithë kombet e Evropës së asaj kohe që ta ndjekin shembullin e Kuvendit të besëlidhjes së Lezhës.

Politika e zgjuar e Gjergj Kastriotit u pa nga ky akt i bashkimit dhe besëlidhjes arbërore,sepse sikur dihet populli fitohet vetëm përmes një sjelljeje të hapur, të sinqertë, të dashur e miqësore, përmes respektimit të qetë të parimeve, përmes besnikërisë së palëkundur ndaj flamurit të vendosur si i shenjtë dhe simbol i lirisë dhe pavarësisë e unitetit kombëtar arbëror. Pikërisht kuvendi i Lezhës u bë simbol i lirisë dhe unitetit nën udhëheqjen e kryezotit dhe kryekomandantit suprem Gjergj Kastriotit (Skënderbeut).

Kuvendi arbëror i Lezhës duke vepruar sipas parimeve të tij,tregoi në fakt se ishte një bekim i pallogaritshëm për popullin arbëror. Aty pjesëmarrësit u zotuan se përballë armiqve të jashtëm, të gjitha mosmarrëveshjet e brendshme ndërmjet palëve, fiseve arbërore dhe krahinave duhet të heshtin ashtu që të bashkuar t'i dalin në ballë armikut dhe ta mbrojnë lirinë ,pavarësinë,besimin dhe identitetin e tyre ,respektivisht qenjen e tyre që vihej në rrezik të madh. Gjergj Kastrioti e dinte se lufta kundër pushtuesit otoman për Arbërinë ishte luftë për jetë dhe vdekje,prandaj ai donte të bashkonte forcat, dhe se vetëm gjaku që derdhet së bashku në fushat e betejës në luftën kundër armikut do të sjellë edhe ndërmjetësimin dhe pajtimin për mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet e brendshme mes bijve të të njëjtit atdhe ,gjak,gjuhë,besim e identitet e që vdesin e japin gjakun e tyre krah për krah për atdheun e tyre të shtrenjtë.

Ideja e kuvendit nga Gjergj Kastrioti ishte një ide e hapur dhe me vetëdije të lartë për lirinë dhe unitetin arbëror ,sepse ai e dinte se vetëm kjo do t'i ofronte popullit një dorë në vendosjen e unitetit dhe lirisë nëpërmjet dekreteve dhe kuvendit të përbashkët të besëlidhjes arbërore – po ashtu vetëm në këtë mënyrë ky kuvendi i besëlidhjes do të gjente edhe te populli në përgjithësi fuqinë për të realizuar lirinë dhe unitetin e Arbërisë. Sipas kësaj, Kuvendi kombëtar i Lezhës e shihte se është detyra e tij të punojë drejt krijimit të një pushteti qendror të unifikuar dhe një kuvendi mbarë arbëror duke përdorur të gjitha mjetet ligjore të kohës. Fuqitë e pushtetit qendror të Arbërisë dhe kuvendit mbarëkombëtar përfshijnë, mbi të gjitha, pushtetin suprem ushtarak dhe përfaqësimin ekskluziv të tij.

Krah për krah me krye fisnorët dhe përfaqësuesit e Arbërisë nga të gjitha krahinat , të cilët ndjejnë dëshirën dhe thirrjen fisnike stërgjyshore iliro-arbërore për t'u bashkuar në kuvend me një besëlidhje të shenjtë për të mirën e përgjithshme ,unitetin, dhe lirinë e atdheut të përbashkët të tyre arbëror. Kuvendi kombëtar i Lezhës kërkonte që çdo fis ,krahinë dhe të gjithë arbërorët të bëjnë me dëshirë sakrificat që janë të nevojshme për të arritur madhështinë dhe unitetin e Arbërisë,ruajtjen e lirisë ,të pavarësisë dhe mbrojtjen e vendit. Përbashkësia e gjakut, e historisë së të gjithë të pranishmëve tregoj se kjo Besëlidhje ishte e natyrshme dhe në të mirë të atdheut dhe e bekuar edhe nga qielli.

Përmes Besëlidhjes në këtë kuvend dhe udhëheqjes së kryezotit Gjergj Kastriotit si kryekomandant suprem i ushtrisë së përbashkët të Arbërisë iu dha vula e shenjtë bashkimit të arbërorëve, një bashkim ky historik dhe i vetmi pothuajse deri më sot në historinë e përgjithshme të kombit tonë iliro-arbëror. Uniteti që u arrit në kuvendin e Besëlidhjes së Lezhës ,pa paragjykuar pavarësinë e krye fisnikëve individual arbëror në çështjet e brendshme të tyre ishte një domosdoshmëri, ushtarake, politike,diplomatike dhe e natyrshme për reputacionin e Arbërisë nga jashtë, si dhe për vetë-ruajtjen ekzistenciale të saj, ruajtjen e lirisë,pavarësisë ,nderit e dinjitetit, identitetit, besimit dhe të traditave e ligjeve brenda vendit. Në kuvendin kombëtar të Lezhës u përfshinë të gjithë krahinat e vendit dhe krye fisnorët e Arbërisë. Liria dhe uniteti ishin baza e kuvendit kombëtar arbëror të Lezhës. Kuvendi kombëtar i Lezhës ishte edhe një Lidhje e virtytit ,e gjakut, forcës, sakrificës, vetëmohimit dhe heroizmit arbëror. Mbi të gjitha kuvendi ishte dhe u bë në fakt djepi i përbashkësisë së zemrave heroike dhe shpirtit të lirë arbëror. I gjithë vendi i përfaqësuar në kuvendin kombëtar të Lezhës arriti të vendos se kush do ta ketë pushtetin qendror. Të gjithë përfaqësuesit aty, krye fisnorët dhe krahinat duhej t'i nënshtroheshin këtij vendimi suprem. Pa e humbur për asnjë çast qëllimin më të lartë për të cilin ishin mbledhur dhe ecjen përpara krah për krah si vëllezër për ballë armikut otoman dhe të gjithë armiqve të jashtëm e të brendshëm.

Faktikisht kuvendi kombëtar i Lezhës ishte fillimi i parlamentarizmit arbëror, këtu u hodhën themelet e parlamentarizmit arbëror. Shpata e Arbërisë tanimë ishte plotësisht në dorën apo krahun e kryetrimit e kryezotit Gjergj Kastriotit(Skënderbeut). Dhe në këtë dorë të pamposhtur të tij ajo ka mbrojtur me guxim dhe sukses deri në fund kauzën e Arbërisë kundër armikut të Arbërisë pushtuesit otoman. Kombi dhe populli arbëror i ka borxh Gjergj Kastriotit(Skënderbeut) për këtë,sepse ai ishte i vetmi që e ideoi dhe e mishëroi bashkimin në kuvendin e Lezhës, ai me dorën e tij e mbajti shpatën e Arbërisë fitimtare në të gjitha betejat me armiqtë e kombit tonë,ai me vizionin , strategjinë dhe trimërinë e mbrojti i vetëm civilizimin e përbashkët të kontinentit evropian. Kombet e shtetet bëhen të mëdha vetëm me shembullin e madh të njerëzve të tyre, të atyre që i udhëheqin me urtësi, trimëri ,vizion e politika të urta në shërbim të së mirës së përgjithshme. Kombi ynë ,respektivisht shteti Arbëror ishte me fat dhe i bekuar që pati në krye të saj një njeri me të gjitha vlerat e virtytet, urtësi e vizion,trimëri e dashuri për atdheun, strategji e taktika të panjohura sipas artit ushtarak për atë kohë, diplomaci e zotësi në të gjitha fushatë dhe punë ku e kërkonte atdheu,kombi dhe shteti i tij. Thjesht Gjergj Kastrioti si udhëheqës ishte në shërbim me tërë qenien ndaj atdheut dhe ruajtjes ,forcimit dhe zhvillimit të tij. Ishte pikërisht ky udhëheqës i papërsëritshëm arbëror që ngjalli besim në popullin e tij,e bëri tërë popullin arbëror për vete ,sepse e donte popullin e tij dhe populli e donte atë tepër shumë ,ai ishte një njeri i vendosur, i përkushtuar e i hapur, i gatshëm për sakrificë ndaj atdheut të tij dhe luftës e veprimtarisë së tij të pa rezervë për më të lartat dhe për më të mirën e Arbërisë dhe të ardhmes së saj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".