Rrugëtimi i pamundshëm, braktisje e vendit – botën në sy
Shefik Shkodra
Shkruan: ANALISTI: Shefik Shkodra
Vendin, pas luftës, e vrau dhe e shkatërroi korrupsioni i qeverive banda. Këto qeveri, ia dhanë thasët krahëve një pjese të madhe të qytetarëve të Kosovës. Sërish, këta reagojnë për çdo gjë, që nuk u shkon për shtati dhe për dëshirën e tyre të mëtutjeshme. Jo për diç të mbarë të atdheut. Natyrisht, për të pasur sërish fronin sa për të plaçkitur. Për të rrëmbyer bukën e një pjese të qytetarëve. Për t’i lënë “dyer e strehëve”! si gjithmonë, ata në të njëjtat terrene. Kjo u nis me privatizimin e egër, punëtorët mbetën në rrugë. Ani i dallonin regjionet. Ani rrihnin gjoksin e këndesit! Kaq aftësi kanë treguar, sa për ta ulur veten në rendin e parë. Sa për ta quajtur veten qytetarë e njerëz të rangut të lartë – elitë. Hë!
-Qëndrojmë pezull. Nuk dëgjojmë asgjë pos vetes. E kemi të varur në qepallën tonë interesin personal. Preokupohemi me rrethin e ngushtë. E shohim veç sokakun tonë. E ngarkojmë njëri-tjetrin me spekulime e etiketa, grupe qytetarësh. Banda mesjetare. Grupe asgjë hiçi. Dëshirojmë veç pushtet. E amortizojmë kohën, aq të vlershme, me retorika dhe mbrojtje të vetvetes. E bëjmë veten patriot të madh. Të tjerët i ndëshkojmë, edhe kur nuk kanë asgjë të keqe. E ngrehim veten personalitet omnipotent. Premtojmë, por nuk ia dalim, ose nuk duam të lodhemi më tutje. Nuk llogarisim përtej oborrit familjar e shtëpiak. – S’kemi ku shkojmë, do të thoshin, përtej “dostave”, dashnoreve, ndihmësve e sekserëve, për pasuritë që i pështjellojmë nën këmbët tona. Harxhojmë, po shpesh s’e dimë çka e për çka po harxhojmë. Hyjmë dorëzanë te armiku, por jo edhe te qytetarët dhe viset periferike të kësaj Kosove aq shumë të prapambetur nga okupatorët.
A e shohim krejt Kosovën e barabartë si lider partiakë?
Jo pra. Dikush Kosovën e sheh prej një kodre: Rrafshi i Dukagjinit, Drenica, deri diku Llapin e diçka edhe Karadakun. Po skajet tjera? Po Malësinë e Kamenicës? Po ato fshatra, që kanë dalë shumë kuadro, si nga Desivojca dhe fshatrat tjera përreth, përtej Shipashnice, Sotllar, Vriçec, Laçiq, Velegllavë, e deri te Kufiri i Berlinit, Terstena, a mendoi kush për to? – Jo! E jo pra! Dhe të gjitha këto kanë mbetur shkret. Dikush mund të jetë i kënaqur për këtë mënyrë. Të mbetet pa asnjë njeri e shtëpi, veç mure si kala antike, të mbuluara me bar e shkurre! Ne që kemi lindur dhe jemi rritur në ato vende, s’mund të dalim as t’i vizitojmë ato shtigje, pa menduar diç tjetër. Ato janë të pa mundshme të vizitohen, sepse këmbët nuk të çojnë deri atje, me aq km rrugë të shkatërruar të dorës së dytë. Rrugë të dorës së dytë, do të thosha edhe e dorës tretë?!
Kush mund të thotë se, ky sistem e kjo politikë nuk i ngjan asaj të Serbisë së vjetër dhe asaj të dytës – ish Jugosllavisë. Veç nuk është kurdisur ende ndonjë “stanicë xhandarmërie”nëpër ato fshatra. Ky është imitim në politikën buxhetore, në atë të kuadrove (mendon dikush se ata që janë nëpër institucionet tona janë të veçantë, të mençur e të ditur. Jo more! “Veç kofshin”! thotë fjala popullore). Imitim politik i Serbisë është edhe arsimimi. Edhe sporti me spica. Kultura, po se po. Kultura, natyrisht tallava, bash për ata mediokritët! Ata ta sjellin vërdallë krejt këtë sferë. Nejse, një herë tjetër për këtë.
Arsimimin e bën fëmijët e këtyre fshatrave me mundimet si me gur Sizifi në qafë. Kontribuuan për aq sa patëm mundësi, dyzetë-pesëdhjetë vite. U “përzhitën” e dikush u “shkrumbuan”, por, ata vetëm vijuan për idealin e një vendi të lirë e demokratik. Prej kujt demokracia dhe barazia në liri? Prej askujt. – Thyeni qafën! Katandisuni! Merrni botën në sy! Vidhni, plaçkitni! Vrani e tronditeni botën!...
Një shkollim në kushte mjerimi, e kryen disa gjenerata nga ato fshatrat malore. Pa një rrugë e me një udhëtim të gjatë, herë-herë prej Desivojce e në Gjilan – për një ditë gjithë kohën. Është dashur të kalohen “katërqind kodra” e lugje. Nëpër dhiare, duke kërcyer lumin, tamam si dhia, herë në atë anë e herë në tjetrën. Të mos flitet për kushtet sociale. Të zbathur e të zhveshur. Nëpër banesa pa ngrohje, ose me pak ndezje sa të ndihet i “vokët” ajri.
Para viteve të gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, si fëmijë i dëgjoja, flitej prej më të vjetërve, rruga do të bëhet nëpër Desivojcë e do të lidhet me Vllasë (Serbi).
Tek rreth viteve të shtatëdhjeta, u hap rruga Shipashnicë – Desivojcë, vullneti i një kryetari të Kamenicës nga Lisocka, Osman Kërçeli, dhe inxhi. të pylltarisë, Rexhep R. Shkodra, me angazhimin e ish ushtrisë jugosllave. Që prej atëherë mbeti për t’u meremetuar herë pas here nga banorët e fshatit. Për këtë arterie komunikacioni, në thellësi të fshatrave malore, të kësaj treve të Gallapit është pritur shumë kohë. Shkoi Rankoviqi, shkoi dhe Tito, rruga s’u bë kurrë. Përfundoi një luftë në mes Kosovës dhe Serbisë. Shkuan edhe banorët e këtyre fshatrave dhe u katandisën nëpër botë e qendra të Kosovës. Njeri i gjallë në këto troje, qindra e mija vjeçare, nuk mbeti. U mbyll shkolla (si ëndërr) në dhjetëvjetëshin e këtij shekull, në liri. Dikur me rreth 700 – 800 nxënës, me këto fshatra përreth. Deri në vitet e 1964/65, tetëvjeçarja në Desivojcë, herë ishte e herë s’ishte; duhej vijuar mësimet e dy klasave (VII, VIII) në shkollat tjera, si në Hogosht apo gjetiu, katër-pesë orë larg nga fshatrat malore.
Këto terrene të mbeten pa një lidhje, sikur ka qenë gjithnjë, jashtë botës urbane, është mëkat i kësaj shoqërie. E dimë se, një pjesë e këtyre banorëve kanë lënë tokë, mal e livadh. Ka mundësi që të kthehet dikush e ta punojë atë tokë, meqë mund të bëhen edhe sera, mund të mbillen veç perimeve edhe drithëra, të zhvillohet pemëtaria, bletaria, natyrisht edhe blegtoria. Por mund të ngrihet edhe ndonjë kombinat për përpunimin e drurit. Mund të zhvillohet edhe turizmi verë dhe dimër. Rruga është ndalesa e skajshmërisë. Dhe ky vis, kjo pjesë e Kosovës, të mbetet i egër, si pa zot.
Po dihet fare mirë! Pas luftës u startua gabimisht. Si të ishim në vlugun më të madh të sistemit kapitalist liberal, me industri të një niveli amerikan, pa menduar edhe për bujqësinë e blegtorinë, as për skajet e kësaj Kosove. Për disa, regjionet në ato qeveritë e pluralizmit të Kosovës, ishin të spikatura: Dukagjini, Drenica, Llapi, rrethi i Prishtinës, deri diku diçka Karadaku. Por Gallapi i anës së Kamenicës doli jashtë parantezave të tyre dhe mbeti shkret si në kohën e atyre pushtuesve.
Është fol, vetëm fjalë kam dëgjuar se, do të bëhet kështu e ashtu, por më duket e pabesueshme se, një ditë do të shoh një rrugë të asfaltuar asaj ane, për t’i lidhë ato fshatra. T’u kthehet edhe një herë jeta. Lutem pasi, janë rehatuar me asfalte edhe arat e kopshtet e dikujt, të mendohet edhe për këtë anë diç e tillë!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".