
Lexoni edhe:
Administrata e SHBA-ve, nuk do të lejojë tërheqjen e KFOR-it, para se Kosova të bëhet pjesë e NATO-s
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Deklaratat e administratës së re Trump për tërheqjen e trupave të KFOR-it amerikan, për më tepër, si realitet, shihen nga unë si një formë presioni dhe shantazhi politik, me qëllim që të shkaktohet frikë dhe pasiguri te qeveria e ardhshme e Kosovës, për të arritur më lehtë tek koncesionet e reja në dialogun me Serbinë.
-Për këtë arsye, Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 duhet të tregohet mëse e kujdesshme në çasjen e saj diplomatike!
Jam i bindur që administrata e Trump nuk do ta mbajë gjatë një kurs të tillë për tërheqjen e trupave amerikane, pasi kjo mund të ndikojë në sigurinë e rajonit dhe prishjen e balancave politike në Ballkan dhe më gjerë!
Tërheqja eventuale e KFOR-it amerikan nga Kosova do të kishte një ndikim jashtëzakonisht negativ në politikën e jashtme amerikane dhe në marrëdhëniet e saj me Bashkimin Evropian, ndërkohë që Kosova do të përballej me një përfundim fatal. Kosova nuk është e gatshme për të përballuar një situatë të tillë, ku do t’i duhej të mbështetej vetëm në kapacitetet e saj të brendshme dhe forcat lokale, konkretisht FSK-në, Policinë e Kosovës dhe mobilizimin e popullatës!
Për të parandaluar këtë, Kosova duhet të ndërmarrë hapa të shpejtë dhe të mençur për të avancuar interesat e saj shtetërore në arenën ndërkombëtare. Për këtë, klasa politike e Kosovës duhet të flasë në një zë të vetëm në politikën e jashtme dhe të krijojë mundësi të reja për të forcuar marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, duke përfshirë administratën e Presidentit Donald Trump në veçanti.
Shumë nga zhvillimet e politikës së jashtme amerikane do të ndikojnë në të ardhmen e Kosovës, pasi ato janë të lidhura ngushtë me zhvillimet ushtarake dhe gjeopolitike që po ndodhin në Evropë, më konkretisht me përshkallëzimin e konfliktit ushtarak mes Ukrainës dhe Rusisë.
Kosova, si një shtet i ri dhe ende i pa konsoliduar plotësisht në arenën ndërkombëtare, mund të përballet me rrezikun e mbetjes si një "monedhë për kusuritje" në një marrëveshje të gjerë që do të vendoset për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në Evropë.
Për këtë arsye, duhet të ndërtohet një politikë e jashtme më e koordinuar me forcat politike vendore dhe e subordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Kosova, pa humbur kohë, duhet të bashkëpunojë më ngushtë me administratën e Trump dhe të shfrytëzojë mundësitë që ofron ky moment historik për ta konsoliduar pozitën e saj në arenën ndërkombëtare.
Vetëm kështu mund të sigurojmë një të ardhme të ndritshme dhe prosperuese për shtetin e Kosovës dhe popullin shqiptar në Ballkan.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".