Parësore, që forma e zhvillimit të bisedimeve, të ndryshojë komplet

Parësore, që forma e zhvillimit të bisedimeve, të ndryshojë komplet
Parësore, që forma e zhvillimit të bisedimeve, të ndryshojë komplet

Gani Qarri

  • 01 February 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Procesi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare, nuk varet vetëm nga rivazhdimi i tij, por edhe nga ndërmjetësimi i drejtë e i paanshëm si dhe trajtimi i barabart i të dy vendeve dialoguese! Madje për mbarëvajtje të garantuar të bisedimeve, procesi përfundimisht duhet të nisë i bazuar në opinionin e 22 korrikut të vitit 2010, mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, duke u njohur shtetësia e vendit tonë nga 5 vendet mosnjohëse të Bashkimkit Evropian, si dhe detyruar Serbinë, që Kosovën ta heq nga preambula e kushtetutës serbe, përndryshe tendenca për ta mbajtur nën presion Kosovën, me trajtimin e deritanishëm, nën nivelin e shtetit të pavarur dhe pa status të përcaktuar politik, si dhe duke e detyruar të marrë pjesë në bisedime si vend i hendikepuar me pushtuesin e deridjeshëm të saj, që në start prejudikon, jo vetëm mënyrën e imponuar të të dialoguarit nga palë me nivele të ndryshme dhe trajtime të pabarabarta, por edhe prapaskenën e të mos pasurit sukses në dialog.

 

-Prandaj është jetike dhe parësore, që qasja dhe forma e zhvillimit të bisedimeve, të ndryshojë komplet, nga udhëheqësja e re për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian,zonja Kaja Kallas, ngase mënyra sesi janë zhvilluar bisedimet deri më tani nga Brukseli, është treguar plotësisht e pasuksesshme, qasje e cila ka shkaktuar pakënaqësi, mosbesim dhe ndërprerje të dialogut për kohë të gjatë, pikërisht shkaku i animit të hapur dhe mbështetjes publike të Serbisë nga ndërmjetësuesit e pa kurrizor.

Dhe kjo është plotësisht e mundur të zbatohet madje shpejt dhe që nga dita e rifillimit të bisedimeve, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat nëpër të cilat ka kaluar dialogu, në kohën kur për ndryshim nga udhëheqësit e dëritanishëm zonja Kallas ka vendosur që barrën kryesore ta mbajë vet, në bisedimet Kosovë -Serbi, ndërsa ndërmjetësuesi i propozuar nga ajo, diplomati danez Peter Sorensen, do të merret me organizimin e takimeve, caktimin e datave dhe dërgimin e ftesave palëve dialoguese për pjesëmarrje në bisedime, ku për dallim nga pararendësi i saj Josep Borell, fjalën kryesore në proces, tani do ta ketë vet Kaja Kallas.

Gjithsesi duhet theksuar fort dhe përsëritur shumë zëshëm, se Kosova, me gjithë konsideratën, për BE-në, SHBA-të dhe faktorin ndërkombëtar, mund të pajtohet vetëm me atë lloj marrëveshjeje, që nuk do ta dëmtonte rregullimin e brendshëm shtetëror, nuk cenon integritetin territorial të saj dhe nuk rrezikon kufijtë e Republikës së Kosovës, me ngrehina të paqena serbe, të llojit të asociacionit kundërkushtetues serb, apo ndonjë të ashtuquajture "republika srpska", si paralojë, për ndarjen dhe copëtimin e Kosovës.

Dhe për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse të drejtë dhe të pranueshme për të dy palët, do të ishte mirë që ajo të kushtëzohet me reciprocitet, në mënyrë që të drejtat të cilat pretendon Serbia për pakicën e komunitetit serb në Kosovë, tu garantohen me marrëveshje të nënshkruar ndërkombëtare edhe shqiptarëve të mbetur nën Serbi, ndryshim parimesh të cilin mund të sjellë Kaja Kallas dhe Peter Sorensen në qasjen e re të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, akt që mund të ndikonte për të mirë dhe dëshmonte se zgjedhja e z.Sorensens, qon në përparimin e dialogut, duke marrë parasysh sfidat që ka pasuar dialogu deri më tani, me animin që mbanin hapur ish ndërmjetësuesit ndaj Serbisë!

Dialogu Kosovë Serbi, përfundimisht duhet të shndërrohet në mjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve,përndryshe, çfarëdo tendence për ndarje dhe gllabërim tokash nga Serbia, në Kosovë, do të nxiste lëvizje të paparashikueshme separatiste e luftime edhe më të përgjakshme, se në vitet e 90-ta të shekullit XX, për territore në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe do të rrezikohej në mënyrën më serioze, paqja e siguria në të gjithë rajonin.


Dhe zëvendësimi i Lajçak-ut nga diplomati me përvojë nga Danimarka, Peter Sorensen, i zgjedhur nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e përfaqësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të garantojë një qasje më të balancuar nëse BE vërtetë dëshiron që në procesin e dialogut, të arrihet edhe marrëveshja përfundimtare, e cila do të varet kryekëput nga ndërmjetësimi i drejtë e i paanshëm dhe trajtimi i barabartë i të dy shteteve, nga faktori ndërkombëtar, BE dhe SHBA!

Diplomati danez Peter Sorensen si përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duhet të jetë më i paanshëm se Lajçaku, në të kundërtën, pas gati 5 vitesh të qëndrimit të Lajçakut, në pozitën e ndërmjetësuesit të BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, përkundër premtimeve për arritjen brenda disa muajsh të marrëveshjes finale, në kohën kur ai po ikë fatmirësisht, nga ky post, raportet ndërmjet të dy vendeve, nuk kanë qenë asnjëherë më të paqëndrueshme, gjë që ka bërë, jo vetëm të bllokohej për kohë të gjatë dialogu, por edhe i gjithë procesi i rifillimit të tij, të mbetet në situatë shumë të paqartë, deri në fillim të shkurtit, momentit kur z. Sorensen do të nisë mandatin e tij.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".