
Lexoni edhe:
Zeqa: Kosovës i duhet një qeveri e zgjeruar e unitetit politik
Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri
Mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës zyrtarisht ka përfunduar më 23 mars të këtij viti. Megjithatë, për të garantuar edhe në fazën kalimtare zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës së vendit, si dhe vazhdimësinë e qeverisjes dhe funksionimin e shtetit tonë, nga kjo datë e deri në formimin e institucioneve të reja, vendi vijon të udhëhiqet nga qeveria në detyrë, nën kryesimin e Albin Kurtit si Kryeministër.
Zeqa: Kosovës i duhet një qeveri e zgjeruar e unitetit politikLexoni edhe:
-Sa i takon planit konkret të Albin Kurtit për të siguruar votimin e Qeverisë së re në të njëjtën ditë me konfirmimin e mandateve parlamentare, kjo mbetet për t’u parë ditën e votimit, edhe për faktin se fillimisht duhet të shihet se si do të zhvillohet procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, me risitë dhe uverturat e partive rivale, dhe vetëm pastaj mund të procedohet me votimin e Qeverisë së re.
Në fakt, mirë do të ishte që votimi i Qeverisë të ndodhte në të njëjtën ditë me konfirmimin e mandateve. Përveç gatishmërisë së Nismës për t’iu bashkuar në koalicion partisë qeverisëse, duhet pasur parasysh se LDK-ja, në koalicion me PDK-në, të ashtuquajturën "Listë Serbe", AAK-në etj., ka dështuar të dëshmohet si parti e suksesshme në qeverisje. Kjo për shkak të ndërskëmbçave të vazhdueshme të segmenteve të komplikuara dhe grindavece politike si PDK-ja dhe AAK-ja, duke prishur në mënyrë të përsëritur koalicionet dhe duke e çuar vendin çdo dy vjet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Prandaj, për të mirën e saj, LDK-ja duhet t’i bashkohet VV-së për formimin e Qeverisë së re.
Realisht, ka ardhur koha që LDK-ja, nga një parti e akuzuarish dhe kundër-akuzuarish, ku kandidatët përfliten për vjedhjen e votave të njëri-tjetrit, përfundimisht të vetëdijesohet dhe të ngrihet në pozicionin e një subjekti serioz politik, duke marrë përgjegjësi në bashkëqeverisje. Kjo do ta ndihmonte të dëshmonte se meriton më shumë besim dhe një trajtim më miqësor nga elektorati. Për më tepër, për herë të parë pas shumë kohësh, kemi një shembull të dëshmuar nga VV-ja, se edhe në Kosovë mund të sigurohet stabilitet institucional dhe është e mundshme të çohen deri në fund mandatet qeverisëse. Një gjë e tillë do të ishte në interes të secilës parti pjesëmarrëse në koalicion.
Madje, hyrja në koalicion e LDK-së me partinë fituese do të zgjidhte shumë probleme njëkohësisht. Së pari, do të mënjanonte mundësinë e shkuarjes së vendit sërish në zgjedhje parlamentare pas një viti dhe do të siguronte vazhdimin e mandatit të presidentes aktuale. Dihet se dr. Vjosa Osmani, si ish-pjesë e LDK-së dhe e lidhur familjarisht përmes burrit të saj me Lumir Abdixhikun, përveç punës së mirë që ka bërë në përfaqësimin e Kosovës në politikën e jashtme, do të ishte e pranueshme për të gjitha partitë në koalicion. Së dyti, LDK-ja vetëm me LVV-në ka siguri që mandati qeverisës do të shkojë deri në fund. Kjo do t’u mundësonte ministrave nga radhët e saj të kishin në dispozicion një mandat të plotë katërvjeçar, për të treguar përkushtimin dhe për të dëshmuar aftësitë e tyre në vepër, duke realizuar me sukses detyrat ministrore që mund të marrin përsipër.
Puna dhe suksesi i tyre nuk mund të dëshmohen duke qëndruar në opozitë, por vetëm në bashkëqeverisje. Kështu, ata do t’i bindnin qytetarët e Kosovës se LDK-ja meriton më shumë mbështetje në zgjedhje. Në këtë mënyrë, LDK-ja do të fitonte besueshmëri më të madhe dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare mund të plasohej në njërin nga vendet e para, madje edhe të fitonte të drejtën për të formuar qeverinë e ardhshme.
Sa i takon gjyqësorit, ky sektor i trishtë ka vlerësimin më të ulët të opinionit publik dhe besimin më të dobët të qytetarëve në mbarë Kosovën. Andaj, do të ishte në interes të shtetit dhe të qytetarëve që, pas 26 vitesh nga çlirimi i Kosovës, vendi të çlirohej përfundimisht edhe nga një sistem i kontaminuar politik dhe i mykur institucional, siç është drejtësia e kalbur. Përveç kritikave ndaj gjyqtarëve për ndikim nga palët, e të mos flasim për korrupsionin, fakti që qytetarët e kanë humbur besimin në këtë sistem tregon nevojën urgjente për ndryshim. Albin Kurti dhe Qeveria e re duhet të ndërmarrin hapa konkretë dhe urgjentisht të fusin Vetting-un, për të reformuar këtë sistem të korruptuar dhe për ta kthyer besimin e qytetarëve në drejtësinë e pavarur.
Nëse zgjedhja e Qeverisë pritet të ndodhë në të njëjtën mënyrë si herën e kaluar, atëherë menjëherë pas formimit të Qeverisë së re duhet të merren masa për reformimin e sistemit të drejtësisë. Duke pasur parasysh edhe vrasjet e shpeshtuara në Kosovë, një pjesë e të cilave po gjejnë shprehje, për të mos thënë edhe po nxiten nga mosveprimi i drejtësisë, duhet bërë çdo gjë që kjo situatë të ndryshojë. Fakti që, sipas Kryeministrit, ka gjyqtarë që e ndajnë drejtësinë jo në bazë të fakteve, por sipas paraqitjes së palëve, është tejet shqetësues. Prandaj, duhet ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë situatë dhe për të siguruar që sistemi gjyqësor të funksionojë në mënyrë profesionale dhe të mbështetet në prova autentike, e jo në perceptime subjektive.
Ndërsa sa i përket krijimit të një kompleksi të bashkuar për varrezat e dëshmorëve, një gjë e tillë nuk duket e mundshme për momentin. Kjo, pasi çdo familjar dëshiron t’i ketë të afërmit e tij sa më pranë vatrës familjare, për t’i vizituar sa herë që dëshiron dhe për t’i kujtuar bashkërisht. Dëshmorët mbeten krenaria e këtij vendi dhe janë pjesëtarët më të dashur që kujtohen me respekt dhe vlerësim të përjetshëm. Siç ka thënë edhe Kryeministri Kurti, për këtë çështje nuk ka pasur një vendim konsensual menjëherë pas luftës, dhe tani, pas kaq vitesh, është e vështirë të arrihet një ndryshim i tillë, pasi familjet janë lidhur shpirtërisht me varret e të dashurve të tyre.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".