
Lexoni edhe:
Përzgjedhja e SHBA-ve për vendosjen e 'Komandës së Trupave Amerikane' në Kosovë është një nderim i veçantë
Shkruan: ANALISTI-Arsim Aziri
Përfshirja e Kosovës në ushtrimin ushtarak ndërkombëtar “Defender Europe 2025” dhe mikpritja e komandës së një divizioni amerikan përbën një moment historik në disa nivele – strategjike, politike, ushtarake dhe simbolike. Kjo njëherësh ndihmon në forcimin e pozitës strategjike dhe ndërkombëtare, diçka shumë imediate për vendin tonë, dhe një hap i madh gjithashtu në aspektin e sigurisë sonë.
-Kosova gradualisht dhe me hapa të sigurt po vendoset në hartën e sigurisë euroatlantike si një vend i aftë për të bashkëpunuar me NATO-n dhe SHBA-në në ushtrime të nivelit të lartë operacional. Ngadalë e sigurtë po bëhet aktor i sigurisë, jo vetëm konsumator – një ndryshim i madh në perceptimin ndërkombëtar ndaj saj. Mikpritja e komandës së divizionit amerikan tregon një nivel të lartë besimi nga SHBA ndaj institucioneve të sigurisë së Kosovës. Ky zhvillim përshpejton integrimin e FSK-së në programet e NATO-s dhe përgatitjen për anëtarësim të mundshëm në të ardhmen, duke çuar kështu në rritjen e kapaciteteve ushtarake dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Përmes këtij ushtrimi, FSK merr trajnim praktik në një kontekst shumëkombësh, duke përmirësuar aftësitë taktike, logjistike dhe bashkëpunimin ndërinstitucional.
Rritja e investimeve në pajisje moderne (dronë, helikopterë, armatim) pasqyron një ambicie të qartë për ndërtimin e një ushtrie moderne, për të qenë të gatshëm ndaj çfarëdo pretendimi, siç ishte ai i 23-24 shtatorit 2023. Ky ushtrim i dërgon një mesazh të qartë Serbisë dhe aktorëve të tjerë në rajon se Kosova është nën mbështetjen e drejtpërdrejtë të aleatëve perëndimorë.
Përfshirja e veriut në skenarin ushtarak për herë të parë e bën këtë edhe një veprim simbolik për integritetin territorial të vendit.
Për Kosovën, “Defender Europe 2025” nuk përbën një ushtrim krejtësisht formal; ajo demonstron përgatitjet e vendit për të qenë pjesë e strukturave mbrojtëse në sigurinë rajonale, për ta forcuar kështu pozicionin e saj në skenën ndërkombëtare. Prandaj, e them me përgjegjësi, vërtet kjo qeveri i ka dhënë rëndësi sovranitetit në kuptimin e aspektit ushtarak dhe si e tillë duhet të çmohet objektivisht në vlerësim, pasi rrethanat aktuale dëshmojnë për një krizë të rëndë, për të cilën secili shtet, e në veçanti shtetet, po bëjnë përgatitje.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".