
Miqësia me një superfuqi është bekim historik


Qani Shabani
Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani
“Miqësia me një superfuqi është bekim historik, por nuk zëvendëson përgjegjësinë për të ndërtuar vetëdijen shtetërore. Sepse një shtet që përkufizon politikën e jashtme me emocione, e jo me strategji, nuk është partner i denjë, por reflektim sentimental i aleatit të vet. Kosova duhet të jetë e mençur jo vetëm për hir të SHBA-ve, por për hir të vetvetes.”
Në një botë që tundet mbi fijet e tensioneve bërthamore dhe përplasjeve gjeopolitike, ku çdo fjalë mund të nxisë një reaksion zinxhir diplomatik apo ushtarak, një shtet i vogël si Kosova duhet të jetë më shumë se një spektator entuziast — duhet të jetë një aktor i matur, me peshë dhe qëndrim të vetin.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, doli me një deklaratë të zëshme pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke deklaruar përkrahje të pakusht ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe duke e portretizuar Kosovën si “të përcaktuar fuqishëm” në mbrojtje të vlerave euro-atlantike.
Por ky lloj emocionaliteti në politikën e jashtme nuk është vizion shtetëror – është improvizim diplomatik, një veprim impulsiv që më shumë flet për konsum të brendshëm sesa për një strategji të menduar mirë në raport me botën.
Askush nuk e vë në diskutim lidhjen historike dhe ekzistenciale midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Pa ndihmën amerikane, pavarësia e Kosovës nuk do të kishte marrë frymë. Por kjo nuk na jep licencë për deklarata impulsive që e vendosin Kosovën në linjën e parë të përplasjeve ndërkombëtare, sidomos në çështje ku as vetë aleatët tanë nuk kërkojnë pozicionime kaq të hapura nga partnerët më të vegjël.
Kosova nuk ka nevojë të jetë zëri më i zëshëm i një superfuqie në Ballkan, por shembull i pjekurisë diplomatike që i qëndron besnike aleatëve, pa u bërë jehona e tyre automatike në çdo konflikt ndërkombëtar.
Në një kohë kur edhe shtetet më të mëdha po përpiqen të ruajnë neutralitet diplomatik dhe të shmangin përshkallëzimin e një konflikti më të gjerë, Kosova nuk mund të lejojë vetes luksin të jetë “më katolike se Papa”. As nuk është anëtare e NATO-s, as pjesë e Këshillit të Sigurimit, dhe as fuqi ushtarake.
Një fjalë e nxituar ka fuqinë të largojë njohje të reja, të rrisë tensionin me vende që mund të jenë partnere nesër, dhe të vendosë Kosovën në hartën e problemeve që nuk i përkasin dhe nuk i takojnë.
Nëse deklarata të tilla kanë për qëllim të rikthejnë përkrahjen e diplomacisë amerikane pas tensioneve të fundit me Uashingtonin, atëherë ato janë akt politik i brendshëm, i veshur me kostumin e politikës së jashtme. Kjo është një shtrembërim i rrezikshëm i përparësive të shtetit, që e bën Kosovën të duket më shumë si aktor në një dramë të brendshme se sa si partner në një skenë globale.
Por Kosova nuk është parti. Kosova është shtet. Dhe një shtet që rreshtohet në konflikte bërthamore pa qenë pjesë e ndonjë traktati mbrojtës, po e rrezikon vetveten — pa asnjë përfitim konkret, përveçse një duartrokitje e shkurtër në rrjetet sociale.
Pjekuria politike është ajo që i bën shtetet e vogla të mëdha
Kosova duhet të dënojë përhapjen e armëve bërthamore – kjo është detyrë morale dhe përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por ajo nuk duhet të përkrahë sulme të njëanshme, pa legjitimitet ndërkombëtar, pa vendim të Këshillit të Sigurimit dhe pa koordinim me partnerët europianë dhe fqinjët rajonalë.
Në vend të entuziazmit, duhet gjuhë diplomatike. Në vend të përkrahjeve emocionale, duhet mendim strategjik. Në vend të improvizimit, duhet vizion shtetëror.
Kosova duhet të jetë e pjekur, jo impulsive. E mençur, jo vetëm e besnikë. Nëse duam të ndërtojmë një shtet që respektohet në botë, atëherë duhet të sillemi si shtet – jo si zëdhënës i emocioneve politike në kohë lufte.
Në këtë botë të stuhishme, ai që hesht me mençuri vlen më shumë se ai që flet me entuziazëm, sepse pjekuria është valuta më e fuqishme e një kombi të vogël që dëshiron të jetë i madh.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".