
Populli shqiptar është ndër më të duruarit në Evropë


Zef Prenka
Nga Zef Prenka
Populli shqiptar është ndoshta ndër më të duruarit në Evropë – një durim që nuk buron nga paqja shpirtërore, por nga plagët historike. Për shekuj, kjo durimësi është farkëtuar nën dhunën e pushtuesve, nën përbuzjen e padrejtësive dhe nën shtypjen e vazhdueshme që na është bërë si komb. Mësuam të durojmë, sepse nuk kishim zgjidhje tjetër. Por kjo nuk është më virtyt, kur durimi ushqehet nga kryeneqësia dhe padrejtësia, arroganca dhe keqveprimet e brendshme.
Sot, në kohë demokracie e shtetndërtimi, na thuhet të durojmë prapë. Por këtë herë, jo nga një sundues i huaj, por nga një kryeministër në “detyrë” – z. Albin Kurti – i cili ka vendosur të sforcojë vullnetin qytetar, të mbyllë veshët ndaj kritikave dhe të vazhdojë të udhëheqë sikur zgjedhësit të mos ekzistonin. Sikur zgjedhësit të jenë klasë më e ulët apo sikur të ishin “delet” e tij.
Albin Kurti nuk mund të fajësoj opozitën, sepse ajo nuk ka kah të shkojë- është në opozitë pra.
Qytetarët e Kosovës nuk mund të trajtohen si spektatorë të heshtur, që duartrokasin kur u thuhet dhe heshtin kur s’kanë më durim. Ata nuk janë pronë e asnjë lideri, aq më pak e një kryeministri që zgjat mandatin në mënyrë jolegjitime dhe që përdor instrumentet e shtetit për të shmangur zgjedhjet.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë dhe e fuqishme:
Deri kur më?
Deri kur do të vazhdojmë të durojmë mungesën e transparencës?
Deri kur do të tolerojmë arrogancën politike të mbuluar me fjalë të mëdha për
“sovranitet”, “barazi”, “bashkim kombëtarë”? Këto fjalë të cilat më as që i ka folur, as program qeverisës nuk ka?
Deri kur do të heshtim përballë një qeverisje që sillet si e gjithpushtetshme?
Është koha që qytetari të ngrihet në vetëdije dhe ta rikujtojë çdo pushtetar se legjitimiteti nuk është çështje dëshire apo retorike – është e drejtë që lind nga zgjedhjet, nga vota, nga respekti ndaj rregullave të lojës demokratike.
Deri kur duhet që institucionet e larta shtetërore të hezitojnë ekzekutimin e lëndëve që dëmtojnë shtetin? Asnjë banor i shtetit nuk është i paprekshëm.
Edhe Kryeministri e Presidentja janë banorë të shtetit.
Populli shqiptar mund të jetë i durueshëm, por kurrë nuk e ka duruar nënshtrimin pa kufi. Dhe çdo durim ka një kufi. Nëse ky kufi shpërfillet, atëherë nuk është populli që fajësohet për rebelimin – por udhëheqja që harron se nga kush merr fuqinë.
Koha për zgjedhje është tani. Jo nesër. Jo kur t’i vijë për shtat kryeministrit. Por tani.
Sepse durimi i popullit është i shenjtë, por kurrë i pafund.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".