Amoraliteti politik në Kosovë!
Ismail Muçiqi
Shkruan Ismail Muçiqi
Askush nuk ka menduar se edhe pas 26 vitesh liri, Kosova do të përballej me një klasë politike të tillë: njerëz pa integritet, pa dinjitet, pa edukatë, pa vizion e pa përgjegjësi, me moral të rrënuar. Është bërë gati një vit që vendi po përballet me bllokada të njëpasnjëshme nga kjo politikë qorre, e cila nuk është aspak e vetëdijshme për dëmet e mëdha që po ia shkakton shtetit dhe popullit të Kosovës. Është e pakuptimt dhe e pa logjikshme se nga 100 deputetët Shqiptarë të Kuvendit të Kosovës nuk doli asnjë që të distancohej nga organizimi partiak i këtyre bllokadave, duke e lënë shtetin pa institucione kredibile ligjore e kushtetuese. Rënia e thellë e moralit në politikë dëshmohet qartë nga mungesa e dinjitetit të deputetit, i cili nuk ndjen përgjegjësi publike, por mbetet rob i klanit dhe liderit partiak, duke mbrojtur interesa personale.
Po të kishte sadopak moral dhe edukatë politike, situata e krijuar në Kuvend do të duhej të nxiste një numër deputetësh të vepronin ndryshe, duke u distancuar nga qëndrimet bllokuese. Është e pajustifikueshme ajo që ndodhi, pa asnjë ndjenjë turpi për dëmet e shkaktuara ndaj shtetit. Kjo gjeneratë politikanësh ka dëshmuar mungesë të thellë integriteti përmes shumë faktorëve të dukshëm. Nga 100 deputetët Shqiptarë nuk pati asnjë që të jepte dorëheqje nga mandati për të mirën e vendit. Pas përfundimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, rezultatet e votave të qytetarëve përcaktuan qartë vullnetin e popullit. Mjerisht, kësaj gjendjeje bllokuese dhe kaotike po i kontribuojnë edhe pjesëtarë të “kolonës së pestë” në disa portale pa vlerë dhe televizione private, të themeluara nga mafia biznesore. Këto instrumente propagandistike, përmes pseudoanalistëve dhe pseudoopinionistëve të lidhur me klane të strukturuara, pasi dështuan në fall, prognoza dhe sondazhe zgjedhore, tani kanë nisur një kauzë të re destruktive. Në rend dite e kan instaluar debatin medial për zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes së re të Kosovës, me qëllim përgatitjen e terrenit për bllokada të reja institucionale. Këto grupe të diskredituara, përmes shpifjeve dhe propagandës konspirative, po përpiqen të ndikojnë mbi deputetët, duke u treguar se cila rrugë u shërben interesave të tyre për ta pamundësuar zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës. Qëllimi i tyre është krijimi i kaosit të vazhdueshëm politik dhe pengimi i themelimit të institucioneve shtetërore. Nga përvoja ime mbi dyzetvjeçare në gazetari, jam i bindur se kushdo që bën kalkulime për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme do të përdhoset edhe më shumë, duke humbur përkrahjen dhe respektin e qytetarëve të Kosovës.
Këtë duhet ta dinë të gjitha partitë politike që ende nuk janë të vetëdijshme se nuk mund të luajnë më bixhoz me fatin e popullit. Këtë duhet ta ketë parasysh edhe Lëvizja Vetëvendosje, nëse mendon se zgjedhjet e reja do t’i sjellin më shumë fitore – kjo nuk do të ndodhë. Populli nuk ka më durim të vrapojë pas kutive të votimit sa herë që dikujt i rrezikohet karriera politike. Mjaft më me këtë mendësi primitive, klanore, farefisnore dhe antidemokratike. Këtë realitet nuk e meriton populli i Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
