PO-ja e madhe e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes është një diplomaci e sinqertë

PO-ja e madhe e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes është një diplomaci e sinqertë
PO-ja e madhe e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes është një diplomaci e sinqertë

Idriz Zeqiraj

  • 03 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj

Për një shtet të vogël, siç është Kosova, është privilegj të kesh një mik të madh, si Amerika. I varfri dhe i vogli duhet të jetë gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjet mikut të madh me shërbime modeste, siç është edhe bërja e Kosovës pjesë e Bordit të Paqes.

 

-Jemi dëshmitarë të luftës së përgjakshme në Gaza të Palestinës, e cila ka filluar që në vitet ’60. Pajtimin nuk e kanë pranuar organizatat terroriste Hamas dhe Hezbollah, të cilat ngulmojnë në zhdukjen e popullit hebre dhe shtetit të Izraelit, edhe pse ata jetojnë në atdheun e tyre historik. Kryetari ikonë i Palestinës, Jaser Arafat, shpjegonte se palestinezët dhe hebrenjtë janë pasardhës të dy vëllezërve. Megjithatë, edhe sot, pas shumë shekujsh, ata përgjakën mes vete. Është e dhimbshme dhe alogjike që vëllazëria të vritet mes vete.

Edhe atëherë kur ndërmjetësohet paqja, ekstremistët e Hamasit e rinisin luftën nga e para. Kështu ndodhi edhe në vitin 2023, kur ata sulmuan pabesisht Izraelin dhe vranë mbi 1.300 qytetarë hebrenj të pafajshëm. Kundërpërgjigjja ishte e përgjakshme: Gaza u kthye në gërmadhë, me mijëra të vrarë dhe miliona njerëz të shpërngulur dhunshëm.

Populli i përvuajtur i Palestinës, përmes mashtrimit apo dhunës, në zgjedhjet e fundit e votoi Hamasin kriminal në përmasën 76 për qind. Është e dhimbshme dhe tmerruese t’i shërbesh krimit dhe kriminelëve terroristë.

Ndërhyrja pajtuese amerikane, pikërisht nga presidenti Donald Trump, e ndali luftën. Tani Gaza e rrënuar duhet të rindërtohet. Për këtë nevojitet pjesëmarrje e gjerë e donatorëve dhe fonde prej miliarda eurosh nga Evropa dhe bota. Andaj u krijua Bordi i Paqes, i kryesuar nga presidenti Trump.

Shtetin e Kosovës në këtë Bord e përfaqëson denjësisht presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu. Vetë emërtimi emocional Bordi i Paqes shpreh humanitet, mirësi dhe fisnikëri. Kosova dhe bota kanë përjetuar luftëra të përgjakshme dhe shkatërrimtare, prandaj kanë ndjeshmëri për popujt e rënë në fatkeqësi dhe i bashkohen Bordit të Paqes pa hezitim, duke ofruar ndihmën e tyre materiale dhe morale, sipas mundësive që kanë.

Kosova dhe udhëheqja e saj, në rastin konkret presidentja Vjosa Osmani, kur është fjala për Uashingtonin, nuk e matin peshën apo interesin e iniciativave që ndërmarrin, por e kryejnë detyrën si shprehje e mirënjohjes së thellë ndaj Amerikës, e cila i solli Kosovës lirinë e munguar për shekuj. PO-ja e madhe e Kosovës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes në Lindjen e Mesme është një diplomaci e sinqertë. Kosovës iu dha rasti të shprehë hapur simpatinë dhe respektin ndaj Uashingtonit zyrtar, pa llogaritur pazare, sepse borxhi ynë ndaj SHBA-së është i pamatshëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".