VV, PDK, LDK e AAK janë më të interesuara për pushtet sesa për përfaqësim qytetar

VV, PDK, LDK e AAK janë më të interesuara për pushtet sesa për përfaqësim qytetar
VV, PDK, LDK e AAK janë më të interesuara për pushtet sesa për përfaqësim qytetar

Florim Zeqa

  • 05 August 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa

Arsyeja pse një pozitë simbolike si ajo e kryeparlamentarit po përdoret si pretekst për krizë 5-mujore është fakti se partitë politike janë më të interesuara për pushtet sesa për përfaqësim qytetar! Ndryshe nuk do të vinim në këtë situatë bllokuese të institucioneve shtetërore.

 

-Gjykata Kushtetuese po shndërrohet në arbitër të përhershëm të krizave politike për shkak të paaftësisë së partive për marrëveshje minimale institucionale dhe të obligueshme për funksionimin e shtetit ligjor dhe demokratik në vendin tonë.

Mbase është e vështirë të parashikohet në mënyrë hipotetike se çka do të ndodhë më 8 gusht para vendimit paraprak të Gjykatës Kushtetuese!

Megjithatë, po shihet qartë se kush po e pengon qëllimisht konstituimin e Kuvendit për të ruajtur kontrollin politik, edhe në kurriz të funksionimit demokratik të shtetit!

Ajo është opozita, e cila po e pengon krijimin e institucioneve shtetërore në dëm të shtetit dhe qytetarëve! Por, pa përgjegjësi nuk është as Lëvizja Vetëvendosje, e cila për 5 muaj rresht nuk arriti të sigurojë një partner qeverisës, si kusht i domosdoshëm i demokracisë parlamentare.

Nuk është problemi tek emri i kandidates për kryeparlamentare, por tek qëllimi i pengimit me çdo kusht i vazhdimit të qeverisjes së Albin Kurtit nga ana e ish-partive opozitare!

Rast ky i paprecedent pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës!

Më lehtësisht janë formuar qeveritë me 33% të votave sesa tani me 41%!

Ata që po mendojnë të luajnë bixhoz me shtetin dhe fatin e qytetarëve për inate personale nuk e meritojnë të qeverisin me vendin!

Qytetarët presin nga Gjykata Kushtetuese që t’i ndëshkojë bllokuesit e Parlamentit me marrje të mandateve dhe ndalim të përhershëm kandidimit për deputet dhe të zgjedhjes në poste të larta qeveritare dhe komunale!

Vetëm kështu do të vihet drejtësia në këtë vend dhe do të arrihet gradualisht tek kthesa e madhe dhe e domosdoshme në qeverisjen e vendit.

Abuzuesit dhe bllokuesit e qëllimshëm të Parlamentit duhet të largohen sa më parë nga skena politike, për t’i lëshuar vendin një klase të re dhe të përgjegjshme politike.

Pas pezullimit dyjavor të punës së Kuvendit, pritet një vendim i drejtë i Gjykatës Kushtetuese, për t’i ndaluar një herë e mirë abuzimet për kalkulime partiake, grupore dhe personale në Parlamentin e Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".