
Lexoni edhe:
Moskonstituimi i Kuvendit është një paradoks i paparë
Shkruan: ANALISTI- Zef Prenka
Demokracia parlamentare nuk mund të funksionojë mbi imunitet të pakufizuar dhe mosndëshkueshmëri për dështimin e qëllimshëm të detyrave kushtetuese. Kur një grup deputetësh apo edhe Kuvendi si i tërë dështon qëllimisht në përmbushjen e mandatit të tij institucional, atëherë kjo duhet të sjellë pasoja ligjore dhe politike të qarta.
Moskonstituimi i Kuvendit është një paradoks i paparëLexoni edhe:
-Në shumë vende evropiane ekzistojnë mekanizma të qarta për shkarkimin e deputetëve jokonstruktivë, për zgjidhje automatike të Kuvendit në rast të dështimit të konstituimit ose mungesës së shumicës për një periudhë të zgjatur. Kosova nuk mund të jetë përjashtim nga ky standard demokratik. Përkundrazi, për shkak të brishtësisë institucionale, duhet të përforcojë dispozitat ligjore që ndëshkojnë sjelljen destruktive.
Një amendament i Kushtetutës apo i Ligjit për Zgjedhjet duhet të parashohë qartë: Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet brenda një afati të caktuar (p.sh. 60 ditë pas certifikimit të rezultatit), atëherë:
Kuvendi shpërndahet automatikisht, Deputetët përgjegjës për sabotimin humbin mandatin për një periudhë të caktuar (p.sh. 4 vjet ndalim kandidimi), Kryetari i Republikës shpall zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
Kjo do të ishte një masë e drejtë dhe e domosdoshme për të mbrojtur rendin demokratik dhe besimin e qytetarëve.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka një rol interpretues dhe jo pengues në procesin e formimit të institucioneve. Në vetvete, ai nuk e ndalon konstituimin e Kuvendit, nuk i anulon rezultatet zgjedhore dhe nuk ndalon krijimin e qeverisë. Por, siç po shihet, po përdoret si alibi si një justifikim formal nga palët që duan të shtyjnë ose të bllokojnë një marrëveshje për ndarjen e pushtetit.
Në këtë mënyrë, ajo që duhej të ishte sqarim ligjor është shndërruar në instrument manipulimi politik. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për një shtet të ri si Kosova, sepse tregon se as vendimet e institucioneve më të larta kushtetuese nuk merren më seriozisht, por trajtohen si vegla në betejën për pushtet.
Ndërkohë, qytetarët janë të braktisur pa qeveri funksionale, pa Kuvend që i përfaqëson, pa politika publike dhe sociale në zbatim, pa reforma, dhe më e keqja: pa shpresë reale për ndryshim. Kjo është pasoja më tragjike: që një klasë politike e papërgjegjshme, përballë interesave të saj, është gati të sakrifikojë gjithçka – edhe të ardhmen e shtetit që pretendon se përfaqëson.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".