Kushtetutshmëria e shkelur dhe heshtja e Prokurorisë së shtetit

Kushtetutshmëria e shkelur dhe heshtja e Prokurorisë së shtetit
Kushtetutshmëria e shkelur dhe heshtja e Prokurorisë së shtetit

Zef Prenka

  • 19 August 2025 - 09:30

Nga Zef Prenka

Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e plotë ku konstatohet se kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, ka shkelur Kushtetutën dhe procedurat e votimit në seancë plenare. Ky nuk është një incident formal i brendshëm i Kuvendit, por një shkelje e drejtpërdrejtë e themeleve të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

Në një shtet të së drejtës, një vendim i tillë i Kushtetueses nuk mbetet letër e vdekur. Ai është detyrim i menjëhershëm për të gjitha institucionet, sidomos për Prokurorinë e Shtetit. Kryeprokurori, në këtë rast, nuk ka luksin të rrijë spektator. Ai ka obligim të nisë hetime penale për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe për shkelje të ligjit nga ana e një funksionari publik.

Në Gjermani, Zvicër apo çdo demokraci perëndimore, një konstatim i tillë nga Gjykata Kushtetuese do të sillte reagim zinxhir:

Prokuroria do të hapte automatikisht hetime ex officio, pa pritur kërkesë nga partitë politike;

Parlamenti do të detyrohej të ndërmerrte masa për largimin e menjëhershëm të funksionarit;

Media dhe opinioni publik do ta trajtonin si skandal institucional, duke bërë të pamundur që zyrtari të qëndronte në detyrë.

Pra, reagimi do të ishte i menjëhershëm dhe i ashpër, sepse shkelja e Kushtetutës nuk trajtohet si incident politik, por si cenim i drejtpërdrejtë i rendit shtetëror.

Në Kosovë, për fat të keq, drejtësia funksionon me standarde të dyfishta. Qytetari i zakonshëm për një shkelje të vogël ligjore përballet menjëherë me ndjekje penale dhe arrest, ndërsa zyrtarët e lartë shpëtojnë përmes ndikimit politik dhe kulturës së pandëshkueshmërisë.

Një shkelje kushtetuese e bërë nga kryesuesi i Kuvendit është shumë më e rrezikshme se një krim i zakonshëm, sepse dëmton themelet e shtetit dhe minon besimin e qytetarëve te institucionet. E megjithatë, sistemi ynë e toleron dhe shpesh e mbulon me arsyetime politike.

Nëse Kosova dëshiron të funksionojë si shtet ligjor, ky aktgjykim duhet të jetë sinjal alarmi. Kryeprokurori i Shtetit duhet të nisë menjëherë hetimet, Kuvendi të ndërmarrë masa ndaj kryesuesit që ka shkelur Kushtetutën, dhe publiku të kërkojë përgjegjësi.

Sepse një shtet që nuk mbron Kushtetutën, nuk mbron as qytetarët e vet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".