
Këta deputetë aksidentalisht mbajnë titullin 'përfaqësues të popullit'


Ismail Muçiqi
Shkruan: Ismail Muçiqi.
Nuk mund ta fajësojmë askënd tjetër për dështimet tona shekullore, përveç vetes dhe politikës sonë, përkatësisht njerëzve që në emër të popullit tradhtuan historinë dhe idealet e saj.
Nuk mund t’i hedhim fajin as Escobarit, as Lajqakut, as Vuçiqit, as Grenellit, e as ndonjë tjetri, përderisa deputetët e këtij Parlamenti të kaosit, me vetëdije, po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit, duke e shkatërruar shtetin e brishtë të Kosovës. Ajo që po ndodh prej javësh e muajsh para syve të opinionit Kosovar dhe para audiencës ndërkombëtare është e turpshme, e neveritshme dhe përfaqëson mjerimin e një klase politike që po dëshmohet se nuk ka as dinjitet, as integritet. Këta deputetë aksidentalisht mbajnë titullin **“përfaqësues të popullit”**, sepse në realitet nuk përfaqësojnë askënd përveç vetes dhe interesave të tyre. Nuk është rastësi që jemi i vetmi popull në botë që ende nuk e ka zgjidhur çështjen kombëtare, edhe pas shekujve te historis. Nuk ia kemi dalë për shkak të mendësisë primitive për pushtet dhe bajraktarizmit individual të tipit: **“Unë dua të jem i pari.”** Këto dukuri janë dëshmuar qartë në të gjitha periudhat historike të politikës Shqiptare. Kjo tragjikomedi, që do të hyjë në librin e **Guinness-it**, po i ndodh Kosovës – një shteti të porsalindur, të pakonsoliduar, me plot sfida dhe të panjohura për ardhmërinë e tij. Bllokadat po i krijojnë partitë e ashtuquajtura politike, të cilat që nga paslufta nuk janë reformuar asnjëherë. Përkundrazi, janë konsumuar skajshmërisht dhe nuk kanë asnjë mundësi t’i sjellin ndonjë të mirë Republikës së Kosovës. Këto parti, të përbëra kryesisht nga klane familjare dhe rajonale, i kanë sjellë dëme të pariparueshme progresit dhe zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, ekonomik e politik të vendit. Vetë përbërja e listave të deputetëve dëshmon se ato dominohen nga klane mafioze, të cilat që nga Parlamenti i parë i pasluftës e deri sot dirigjojnë politikën e brendshme partiake. Ajo që po ndodh para syve të opinionit publik po e nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të xhelozisë së sëmurë dhe urrejtjes patologjike ndërmjet Shqiptarëve. Parlamenti i Kosovës ka mbetur i bllokuar nga kalkulimet e ulëta për interesa personale, duke manipuluar me disa deputetë profiterë të minoriteteve, të cilët nuk përfaqësojnë askënd dhe nuk kanë asnjë respekt apo kredibilitet në rrethin ku jetojne. Këta deputetë, pa asnjë vlerë, me përkrahjen e partive të opozitës, kanë manipuluar dhe kalkuluar me fatin e themelimit të institucioneve të shtetit, duke bërë obstruksione të pafalshme. Kështu nuk bëhet as Shteti, as Republika e Kosovës, e as që zgjidhet çështja kombëtare Shqiptare.
Në fund, çfarë të themi?
Turpi dhe mallkimi do të bien mbi kokat e këtyre individëve të pandërgjegjshëm e të papërgjegjshëm, të cilët sot nuk kanë më asnjë respekt tek qytetarët e ndershëm të këtij vendi. Andaj kjo fatëkeqësi që po i ndodh vendit me këtë politikë qorre duhet të përfundoj sa më pare duke i aktivizuar normat ligjore dhe kushtetuese për ti shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme sa më pare e këtë duhet ta bëjë Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani patjetër si imperative i kohës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".