
Lexoni edhe:
Pezullimi i Dialogut Strategjik është jo vetëm për Qeverinë, por edhe për tërë klasën politike
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Vendimi i SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik është kambana më e fortë e alarmit për politikën e jashtme të Kosovës. Nëse nuk ka korrigjim kursi dhe rikthim të koordinimit me aleatët, vendi rrezikon izolim diplomatik, humbje investimesh dhe dobësim të pozitës në raport me Serbinë dhe BE-në.
-Vendimi i Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën përfaqëson një zhvillim me peshë gjeopolitike që nuk mund të nënvlerësohet. Ky akt nuk është thjesht një pauzë teknike në një proces diplomatik, por një sinjal i qartë paralajmërues se marrëdhënia më e rëndësishme strategjike e Kosovës është futur në një fazë të rrezikshme tensionimi.
Në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të ndërlikuar, ku siguria rajonale dhe konkurrenca gjeopolitike po përshkallëzohen, Kosova nuk ka luksin të sillet me eksperimentime politiko-patriotike dhe retorikë konfrontuese. Vendimmarrja e mbyllur brenda një logjike të ngushtë ideologjike, e cila shpesh përzien simbolikën e sovranitetit me taktika populiste, ka prodhuar kosto të larta – jo vetëm në arenën politike, por edhe në fushën ekonomike dhe në imazhin ndërkombëtar të vendit.
Reagimet e odave ekonomike, shoqërisë civile dhe komunitetit të biznesit janë të qarta: mungesa e investimeve të huaja, rënia e investimeve nga mërgata dhe humbja e besimit të tregjeve po e çojnë ekonominë drejt një situate gjithnjë e më sfiduese. Rrezikimi i partneritetit me SHBA-të do të thotë rrezikim i stabilitetit ekonomik dhe i perspektivës euroatlantike, duke kompromentuar zhvillimin afatgjatë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në planin rajonal, dobësimi i marrëdhënieve me Uashingtonin i jep Serbisë hapësirë për të forcuar narrativën e saj politike dhe për të shtuar presionin në procesin e dialogut. Një Kosovë e dobësuar diplomatikisht është më e ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme, përfshirë ato ruse dhe kineze përmes Beogradit. Po ashtu, pezullimi i dialogut strategjik mund të dëmtojë perceptimin e Bashkimit Evropian për Kosovën si partner të besueshëm në procesin e integrimit. BE-ja, tashmë e lodhur nga mungesa e progresit në dialogun Kosovë–Serbi, mund të shohë këtë krizë si arsye për të shtyrë më tej procesin e anëtarësimit, duke e lënë vendin në një vakum gjeopolitik të rrezikshëm.
Në thelb, kjo krizë është pasojë e dështimit për të harmonizuar politikën e brendshme me realitetet ndërkombëtare. Qeverisja e përgjegjshme nuk mund të mbështetet vetëm mbi retorikën e sovranitetit, por duhet të ndërtojë besim, të ruajë aleancat strategjike dhe të krijojë kushte për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një partner; ato janë garancia kryesore për sigurinë, integritetin territorial dhe rrugëtimin euroatlantik të Kosovës.
Prandaj, ky moment duhet të shërbejë si pikë reflektimi dhe korrigjimi kursi. Institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, të dalin nga guaca e ngushtë ideologjike dhe të angazhohen në dialog konstruktiv me aleatët. Patriotizmi nuk matet me ashpërsinë e deklaratave, por me aftësinë për të siguruar një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë për qytetarët. Pa këtë kthesë strategjike, Kosova rrezikon të futet në një spirale izolimi diplomatik nga e cila do të dalë me kosto shumë më të larta se ato që sheh sot.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".