
Lexoni edhe:
Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë luks politik, por themeli mbi të cilin qëndron Republika e Kosovës
Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka
Vendimi i SHBA-së për të pezulluar planifikimin e Dialogut Strategjik është një goditje e rëndë për qeverinë e Albin Kurtit. Kjo nuk është një mosmarrëveshje e vogël, por një sinjal i qartë që Uashingtoni po e sheh qeverisjen aktuale si problematike dhe me potencial për të minuar stabilitetin rajonal.
-Deklarata e kryeministrit se “nuk jemi prishur me Amerikën” tingëllon si përpjekje për të ulur tensionin, por nuk ofron asnjë zgjidhje reale. Në vend që të marrë përgjegjësi, Kurti po e relativizon krizën dhe po e portretizon si një keqkuptim diplomatik, ndërkohë që realiteti është se SHBA ka ndërmarrë hapin më të ashpër kundër qeverisë së tij që nga dita e shpalljes së pavarësisë.
Ky është problem i përsëritur: Kurti shpesh e sheh politikën e jashtme si skenë për retorikë dhe konfrontim, jo për ndërtim aleancash. Rezultati? Kosova po përballet me rritje tensioni ndërkombëtar, me rrezik izolimi diplomatik dhe humbje të besimit nga partnerët strategjikë.
Veprimet e njëanshme ndaj strukturave ilegale serbe mund të duken si shfaqje force brenda vendit, por pa koordinim me SHBA-në dhe BE-në, ato kthehen në bumerang politik. Serbia përfiton propagandistikisht, ndërsa Kosova humb mbështetje. Kurti po luan me kartën e sovranitetit si mjet për poena politikë, duke harruar se sovraniteti i Kosovës është i garantuar pikërisht nga prania dhe mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë – mbi të gjitha SHBA.
Në vend që të ndërtojë konsensus kombëtar për politikat në veri dhe marrëdhëniet me SHBA, Kurti ka zgjedhur të sulmojë opozitën dhe ta quajë kritikën e tyre “stërmadhoje”. Kjo tregon mungesë serioziteti dhe paaftësi për të kuptuar peshën e krizës. Një kryeministër që e minimizon pezullimin e një procesi strategjik nga SHBA, ose nuk e kupton rrezikun, ose po luan politikisht me të – në të dy rastet, humbësi i vërtetë është Kosova.
Kriza me SHBA nuk është fushatë e opozitës, as temë për konferenca shtypi. Është çështje ekzistenciale. Albin Kurti po dëshmon se nuk ka kapacitetin për të mbajtur marrëdhëniet më vitale të Kosovës në nivelin që kërkon shteti. Nëse vazhdon kështu, do të mbahet mend jo si reformatori që premtoi ndryshim, por si kryeministri që i hapi derën izolimit të Kosovës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".