RETORIKA DHE PREMTIMET BOSHE TË PARTIVE DHE KANDIDATËVE PËR KRYETAR TË KOMUNAVE!.

RETORIKA DHE PREMTIMET BOSHE TË PARTIVE DHE KANDIDATËVE PËR KRYETAR TË KOMUNAVE!.
RETORIKA DHE PREMTIMET BOSHE TË PARTIVE DHE KANDIDATËVE PËR KRYETAR TË KOMUNAVE!.

Ismail Muçiqi

  • 04 October 2025 - 15:33

Shkruan: Ismail Muçiqi

Në fillim duhet theksuar se vetëdija e ulët politike është pasojë e shumë dështimeve që kanë ndodhur gjatë periudhës katërvjeçare nëpër komunat e Kosovës, përkatësisht në qeverisjen e pushtetit lokal. Kjo retorikë po përsëritet edhe sot, megjithëse gjatë gjithë kësaj kohe, kryetarët e partive dhe ata të komunave, në shumicën e fshatrave dhe lokaliteteve, asnjëherë nuk janë takuar me qytetarët dhe nuk janë marrë me problemet e tyre të përditshme. Është e pajustifikueshme që aktiviteti qytetar është margjinalizuar nga vetë strukturat, nga fshati e bashkësia lokale deri te pushteti komunal. Qytetarët kanë harruar të tubohen për t’i paraqitur hallet dhe problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë, prej vitesh me radhë. Është e pamoralshme dhe jo bindëse që tani, në prag të zgjedhjeve, kandidatët për asambletë komunale së bashku me kryetarët e partive të vrapojnë gjithandej Kosovës duke u premtuar qytetarëve kulla e pallate, fabrika e uzina, rrugë e kanalizime, punësime e subvencione për ndërmarrës – e çfarëdo tjetër.

Kjo pafytyrësi tregon nivelin e ulët të karakterit të njerëzve që merren me politikë dhe që me çdo kusht kërkojnë pozita e funksione vetëm për interesat e tyre personale e familjare. Këto fenomene janë bërë pjesë e zakonshme të çdo fushate parazgjedhore, në të gjitha vendbanimet deri në fshatrat më të thella ku jetojnë Shqiptarët. Individë dhe grupe të caktuara partiake trokasin në dyert e familjeve me sjellje servile, duke kërkuar votën dhe duke e ulur nivelin e komunikimit deri në atë të një lypësi rruge. Por këta të njëjtit njerëz, që deri më tani kanë qenë nëpër pozita të ndryshme të institucioneve komunale, pothuajse asnjëherë nuk janë brengosur për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, të cilëve vetëm kur afrohen zgjedhjet u trokasin në derë. Të gjithë vrapojnë pas pozitave dhe privilegjeve përmes një politike e cila ka devalvuar skajshmërisht dhe është shndërruar në një normë të neveritshme në Kosovë dhe më gjerë. Gjatë këtij aktiviteti parazgjedhor, qytetarët patën rastin t’i njohin më mirë kandidatët e propozuar nga partitë për asambletë komunale dhe për kryetarë komunash. Mungesa e vetëdijes, e kulturës dhe e integritetit shihet qartë edhe përmes mediave, ku rivalët për kryetarë komunash mundojnë me mashtrim t’i shesin programet dhe ëndrrat e tyre të parealizueshme.

Gjuha e komunikimit, e mbushur me shpifje, urrejtje dhe fyerje, dëshmon se jemi shumë larg një komunikimi normal dhe demokratik. Turpi nuk mund të mbulohet: partitë politike po angazhohen për të ardhur në pushtet, e jo për ta zhvilluar ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën – apo, me një fjalë, për ta ngritur standardin e qytetarëve nga niveli lokal e deri te piramida e shtetit. Andaj është koha dhe momenti që qytetarët votues kësaj radhe ti dënojnë permes votes të gjithë ata deputetë dhe partite politike të nivelit qendrorë të cilët qe 7 muaj i bllokuan Institucionet e Shtetit të Kosovës, veprim ky ugërzi i cili i solli dëme dhe e zbehu imazhin e Republikës së Kosovës si Shteti më i ri në Arenën Ndërkombëtare.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".