Koha e fundit per rishikimin dhe korigjimin e politikes kadrovike ne Kosovë!.
Ismail Muçiqi
Shkruan: Gazetari Ismail Muçiqi
Ajo që po ndodh sot në skenën politike të Republikës së Kosovës pasqyron gjendjen reale të partive politike dhe nivelin e ulët të përbërjes së tyre, si dhe të strukturave që kanë marrë përgjegjësi në Institucionet e Shtetit. Nuk ka dyshim se partitë politike në Kosovë kanë lënë anash ajkën intelektuale, arsimore, shkencore e politike – të cilët janë anashkaluar për shkak të konkurrencës së vlerave që politika aktuale nuk po i duron. Historia e këtij populli nuk fillon me këtë plejadë të partive politike që, për shkak të papjekurisë dhe vetëdijes së ulët, i kanë shkaktuar shtetit probleme të ndryshme. Koha po dëshmon se kjo klasë politike e pasluftës doli në skenë nga euforia e folklorizmit dhe pseudopatriotizmit, duke lënë pasoja në të gjitha sferat e jetës shoqërore. Në partitë politike janë anëtarësuar apo strehuar shumica e njerëzve që u mungon përgatitja profesionale për ta ndërtuar dhe zhvilluar jetën normale. Një popull që udhëhiqet nga një klasë e ulët, e paarsimuar dhe e paedukuar, është fatkeqësi kombëtare. Prandaj, që nga paslufta, dështimet në të gjitha segmentet e jetës janë të njëpasnjëshme – pikërisht për shkak të paditurisë dhe mungesës së vizionit për t’u përballur me sfidat e kohës. Historia nuk fillon nga kjo klasë politike që prej vitesh vrapon pas pozitave në institucionet e shtetit pa meritokraci. Është e domosdoshme të kthehemi prapa, në kohën para luftës, kur Kosova kishte rreth 30 mijë intelektualë me arsim të lartë në profile të ndryshme. Këta intelektualë, ndonëse në kushte të rënda politike e ekonomike, arritën rezultate të pamohueshme duke edukuar gjenerata të tëra nga shkolla fillore deri në universitet. Shtrohet pyetja: ku mbeti kjo shtresë e intelektualëve të mirëfilltë, të cilët sot kanë mbetur në margjinat e klubeve të pensionistëve dhe shëtitorëve të qyteteve, të përbuzur dhe të lënë në harresë? Politika kadrovike është bazamenti dhe shtylla kryesore mbi të cilën ndërtohet një shtet i qëndrueshëm dhe i zhvilluar. Është e dhimbshme për Kosovën që një numër i madh personalitetesh me tituj akademikë, me shkrime dhe botime shkencore, nuk shfrytëzohen nga partitë politike dhe institucionet e shtetit si vlerë kombëtare. Nuk është e rëndësishme të jesh anëtar i një partie politike. Përkundrazi, njerëzit me kapital intelektual, politik e shkencor janë ajka e shoqërisë nga të cilët duhet kërkuar afrim dhe përfshirje në mekanizmat institucionalë të shtetit. Por kjo nuk po ndodh, sepse fatin e Kosovës në bërjen e politikës e kanë marrë individë dhe grupe interesi, që synim kryesor kanë pushtetin dhe përfitimet personale, familjare e klanore – dhe jo zhvillimin e shtetit. Këtë analizë e shohim qartë që nga paslufta: Kosova ende nuk po arrin të çlirohet nga antivlerat për t’u bërë një shtet normal, ashtu siç e kërkon koha dhe situata e tanishme. Shteti nuk ndërtohet me bashkëbuzuk (me alabakë)!.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
