 
															Nga nyja e Kosovës te nyja brenda vetvetes
 
						 
								Zef Prenka
Nga: Zef Prenka
Kur në fillim të viteve ’90 në Prishtinë mbahej tribuna e rrallë për “Zgjidhjen e nyjës së Kosovës”, fjala “tribunë” kishte peshë, guxim dhe përgjegjësi. Aty nuk diskutohej për poste, tenderë apo kalkulime politike, por për ekzistencë. Ishte koha e pyetjes “to be or not to be” – të jetohej me dinjitet, apo të nëpërkëmbeshin përgjithmonë. Emrat që folën atëherë, nga Fehmi Agani e Hajrullah Gorani, Esat Stavileci e deri te Luljeta Pula-Beqiri, nuk ishin vetëm profesorë: ishin zëra të arsyes, zëra të lirisë që rrezikonin gjithçka për një ideal kombëtar.
Sot, në vitin 2025, nuk mungon liria e fjalës – mungon vlera e saj. Tribunat janë zëvendësuar nga studiot televizive, ku debati shpesh është farsë, dhe ku përballë argumentit vendoset ulërima. Aty ku dikur fjala ishte akt moral, sot është instrument propagandistik. Me përjashtim të ndonjë zëri të ndershëm e profesional, pjesa më e madhe e debatit publik është shndërruar në servilizëm mediatik ndaj pushteteve të radhës.
Një pjesë e mirë e atyre që erdhën në pushtet me premtimin për “të zgjidhur nyjet e shtetit”, i kanë lidhur ato më fort. Shembulli më i qartë është Albin Kurti, i cili u ngjit mbi idealin e drejtësisë e shpresës, por sot është bërë simbol i një pushteti që e mban “nyjën” në duar vetëm për ta përdorur si instrument personal e politik. Kështu, nyja e Kosovës është shndërruar në nyje të brendshme, në përçarje, në ideologji të ngurta dhe në mungesë vetëreflektimi kombëtar.Hiq më mirë se Kurti nuk qëndrojnë liderët tjerë, që “ nyjen” e shtrengojnë më fort, në vend që ta zgjidhin njëherë e mirë.
Problemi nuk qëndron më vetëm te pushtetarët. Është edhe në heshtjen e intelektualëve, që në vend të zërit të arsyes, flasin me zë ideologjik, të polarizuar, shpesh të kapur nga interesat e vogla. Shoqëria, në vend që të jetë bashkë për të ndërtuar, është përçarë në fraksione partiake që ushqehen nga inatet dhe përfitimet e momentit.Nuk ka më nevojë për “tribuna” në kuptimin klasik – sepse mediat janë teorikisht të lira. Por çfarë vlere ka liria kur është e kapur? Sot, më shumë se kurrë, duhet tribuna e ndërgjegjes, ajo që nuk kërkon duartrokitje, por kuptim; që nuk kërkon ministër, por të vërtetën.
Në fund, historia do të mbajë mend ata që debatuan për lirinë, jo ata që u grindën për pushtetin. Dhe nëse nyja e Kosovës u zgjidh me gjak e sakrificë, nyja e vetëdijes sonë duhet të zgjidhet me mendje të kthjellët e zemër të pastër — përndryshe, mbetemi të lirë vetëm formalisht, por të robëruar nga vetvetja.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".
 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													 
																													