
Lexoni edhe:
Legjislatura e IX e Kuvendit të Kosovës do të mbahet mend si një prej periudhave më të zeza
Shkruan: ANALISTI-Florim Zeqa
Pas publikimit të listave zgjedhore të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, numrat e partive janë shumë pak të rëndësishëm në krahasim me përmbajtjen e listave, të cilët përveç simbolikës identifikuese për votuesit nuk paraqesin asnjë element besueshmërie! Ndërlidhja e numrave “fatlum” nga liderët e partive politike në këtë fazë fillestare paraqet nuancat e para të mashtrimit të elektoratit!
-Nëse i analizojmë në mënyrë të përgjithësuar listat zgjedhore, nga të gjitha listat së bashku mund të dalin 110 deputetë të mrekullueshëm të Kuvendit të Kosovës!
Mirëpo, kur hyjmë dhe e analizojmë secilën listë veç e veç, atëherë i vërejmë qartë përparësitë dhe mangësitë e secilit subjekt politik!
Si zakonisht, premtimet e liderëve partiakë do të jenë megalomane, por rezultatet pas përfundimit të procesit zgjedhor do të tregojnë qartë se nuk do të kemi ndryshim shumë të madh dhe përmbajtësor nga zgjedhjet e kaluara!
Premtimi i Albin Kurtit për një “fitore edhe më të madhe” me numrin 116 është një sinjal i vetëbesimit të tepruar politik, i cili në prapavijë bart frikën e rënies së mbështetjes, andaj po kërkon mobilizim urgjent të elektoratit për të ruajtur kuotat paraprake, të cilat i sigurojnë primatin e partisë fituese.
Ngase, përbërja e listës së përbashkët zgjedhore të LVV-së me aleatët e saj nuk garanton për Albin Kurtin ngritje në elektorat!
Mirëpo, në rastin e LVV-së, është lidershipi tashmë i formësuar i Albin Kurtit që i premton një rritje të lehtë elektorale “koalicionit” më të madh numerik të këtyre zgjedhjeve!
Numri 130 i “fitores dhe stabilitetit” nga ana e Bedri Hamzës, më tepër se retorikë, është shenjë e ofensivës dhe e dëshirës së PDK-së për ta sfiduar seriozisht Vetëvendosjen me forcat vetanake, pa prurje të reja siç kanë ndodhur në partitë e tjera!
Suksesi eventual i Bedri Hamzës në këto zgjedhje do ta kthente atë në lider karizmatik të PDK-së së paku edhe për dhjetë vitet e ardhshme!
Ndryshe, vendi i dytë pa një ngritje të lartë elektorale të partisë do të jetë i pamjaftueshëm për Bedri Hamzën që të udhëheqë tutje me PDK-në!
Deklarimet e kryetarit të LDK-së për një “listë me vlera dhe integritet” janë utopike, pasi jashtë asaj liste kanë mbetur figurat më markante të kësaj partie.
Me prurjet e reja pa kritere të Lumir Abdixhikut, e kanë kthyer këtë subjekt në ‘strajcë’ në të cilën gjen gjithçka, por nuk gjen asgjë me vlerë!
Këta që sot mjaftohen me vendin e tretë, nesër do të mjaftohen edhe me vendin e katërt vetëm që vetë të jenë në kreun e këtij subjekti politik për t'i thithur investimet nga buxheti i shtetit dhe për t'i gëzuar privilegjet e pushtetit me një subjekt tjetër politik.
Anashkalimi i veprimtarëve të orëve të para do t’i kushtojë shtrenjtë LDK-së në këto zgjedhje!
Në fund, edhe dy fjalë për narrativën jo reale të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili flet për “përfaqësues të guximshëm” në listën e subjektit që drejton! Këto janë përpjekje për të kompensuar hendekun e madh që partitë e mesme kanë ndaj partive kryesore në garën e 28 dhjetorit!
AAK, me liderin e saj historik dhe të guximshëm, por të konsumuar për rrethanat e kohës që po jetojmë, nuk mund të çajë rrethin vicioz të ngritjes më lart se 7% në këto zgjedhje!
Andaj që tani, AAK duhet të mendojë për kalimin e pragut zgjedhor dhe për lidhjen e ‘kurorës’ me subjektin fitues për të shijuar aromën e munguar të pushtetit!
Për NISMA-n nuk ia vlen të humbet kohë, pasi ajo do ta ketë sfilatën e fundit zgjedhore si subjekt politik!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".