Manipulimet me reduktimet e energjise: kush qendron pas kesaj?!

Manipulimet me reduktimet e energjise: kush qendron pas kesaj?!
Manipulimet me reduktimet e energjise: kush qendron pas kesaj?!

Ismail Muçiqi

  • 25 December 2025 - 13:15

Shkruan Ismail Muçiqi.

Këto ditë, qytetarët e shumë fshatrave, vendbanime e komunave po përballen me reduktimet e gjata të energjisë elektrike. Kjo po ndodh në kulmin e fushatës zgjedhore në Republikën e Kosovës. Mbrëmë, gjysma e fshatrave të Llapit u përballën plotë 12 orë me ndërprerjen klasike të energjisë elektrike, pa dhënë askush ndonjë lajm apo arsye për shkaqet e këtyre reduktimeve që po shkaktojnë dyshime se dikush qëndron pas tyre. Edhe pse ende temperaturat e motit nuk kanë shënuar ndonjë ngritje apo zbritje ekstreme, reduktimet po vazhdojnë në disa qendra, të cilat, si duket, janë objektiv për ta shqetësuar apo goditur publikun në prag të vitit të ri. Këto dukuri që po shkaktohen nga faktori njerëzor apo nga grupet destruktive të interesit po e godasin popullin e pafajshëm që mezi pret t'i bashkohet familjes nga puna e përditshme për t'i ndihmuar familjes. Më thotë mendja se lufta politike ka depërtuar edhe tek disa mekanizma e institucione të shtetit me qëllim të dëmtimit të rivalëve apo kundërshtarëve politikë.

Kushdo nga individët, grupet politike, partitë apo liderët që bëjnë kalkulime të tilla në dëmë të qytetarëve, duke shkaktuar dëme apo manipuluar me reduktimet e energjisë elektrike, punon në dëmë të shtetit të Kosovës, pa koment. Është e mjerueshme që këto ditë, në prag të festës së vitit të ri, kur mërgimtarët nga bota e jashtme e kanë drejtuar vëmendjen drejt vendlindjes, të ballafaqohen me reduktimet e energjisë elektrike, të cilat mendoj se janë të manipuluara, sepse nuk ka arsye për këso reduktime pasi që zyrtarët e termocentraleve po dëshmojnë dhe deklarojnë se nuk ka ngarkesa për t'u rrezikuar funksionimi i sistemit energjetik në Kosovë. Partitë politike dhe institucionet e shtetit kanë humbur rrugën për t'i kontribuar shoqërisë dhe shtetit të Kosovës. Ato po bëjnë luftë pa zgjedhur mjete dhe norma demokratike, duke krijuar situata dramatike e kaos në dëmë të përafrimit dhe unitetit të popullit. Është koha e fundit që institucionet përkatëse të AKI-së, Prokurorisë dhe Policisë të hetojnë sa më parë këtë sjellje të dëmshme për shoqërinë, e cila nuk arsyetohet me asgjë. Në fund po theksojmë se të gjitha këto subjekte politike, të gjitha qeveritë e pas luftës që qeverisën me institucionet e Kosovës janë fajtore për dështimin e projekteve në ndërtimin e kapacitetit të reja energjetike edhe pse Kosova flen mbi thëngjill. Kjo është e pafalshme…

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".