Kosove e bekuar: Kush po luan me fatin tend?!...

Kosove e bekuar: Kush po luan me fatin tend?!...
Kosove e bekuar: Kush po luan me fatin tend?!...

Ismail Muçiqi

  • 12 March 2026 - 12:17

Shkruan Ismail Muçiqi.

Po jetojmë në kohën më dramatike, ku të gjithë janë bërë të dijshëm, ku nuk dëgjohet mendimi apo këshilla e plakut, intelektualit, humanistit apo e njeriut racional, nëse ka mbetur kush në Kosovë. Askush nuk e di se çka po ndodh me Kosovën. Politika ka dalë nga binarët, duke ia zënë frymën demokracisë. Lufta për pushtet, për ego e bajraktarizëm ka marrë kahje dramatike, duke e rrezikuar Republikën. Polarizimi ka arritur shkallën më të lartë, duke i tejkaluar normat etike, morale e njerëzore, se kush apo cila parti, cili grup interesi, cili klan, cili lider apo cili regjion do ta grabisë pushtetin e këtij shteti të varfër. Nuk jemi të vetëdijshëm se çka po ndodh me Kosovën.

Është interesant të theksohet se të ashtuquajturat media – televizione private – janë bërë qendra të cilat me vetëdije po e propagandojnë dhe po e nxisin përçarjen e shoqërisë kosovare. Të ashtuquajturit gazetarë janë bërë “analistë”, të cilët janë futur në byro të ndryshme duke nxitur tema të karakterit konspirativ, me qëllim të përçarjes dhe acarimit të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. Kjo më së miri po shihet pas dështimit të zgjedhjes së Presidentit/es së Kosovës, ku pas kësaj ngjarjeje janë hapur tema të ndryshme, duke shpifur ndaj njëri-tjetrit dhe duke e ulur kulturën dhe nivelin e komunikimit për tokë. Të gjithë janë bërë të dijshëm, ndërsa askush nuk e përfill shokun, kolegun, prindin, udhëheqësin, familjarin apo institucionin e shtetit. Kjo që po i ndodh Kosovës është një moment që thërret ndërgjegjen e atyre njerëzve që ende kanë pak integritet apo ndjenjë për ta ndryshuar gjendjen në aspektin pozitiv. Ta bllokosh formimin e institucioneve të shtetit nuk ka tjetër justifikim, përpos logjikës se po punon dhe vepron kundër atdheut. Përçarjet në skenën politike gjithandej ku jetojnë Shqiptarët janë moment shqetësues që e tregon mjerimin dhe shkatërrimin e një shoqërie. Sot, për shkak të këtyre dukurive dhe fenomeneve negative, nuk ka mbetur ndonjë vlerë apo autoritet i veçantë i odës apo i kullës tradicionale, apo institucional, që në momente kur e kërkon koha (si tani) të ndërhyjë duke e përdorur autoritetin suprem për t’i pajtuar liderët politikë, të cilët përmes të ashtuquajturave parti politike pa vlerë po e shkatërrojnë vendin dhe të ardhmen. Për fat të keq, në politikën e varfër dhe anemike të Kosovës, të udhëhequr nga një klasë adoleshente që nga paslufta, tani i kanë futur duart perpos Serbisë e Rusisë edhe disa diplomatë të korruptuar, të cilët nuk do të duhej të përziheshin në punët e brendshme të Kosovës. Ka ardhur koha që të zgjohen nga gjumi njerëzit normalë për t’i identifikuar, për t’i demaskuar, për t’i braktisur dhe për t’i anatemuar këta individë apo këto rryma, të cilat po punojnë kundër interesit të shtetit dhe popullit të Kosovës. Nëse kjo nuk ndodh, ekziston rreziku që fatin e Kosovës ta marrin në duar bajraktarët e fiseve, për të na kthyer në kohën e periudhës së “koçakëve”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".