
Lexoni edhe:
Oroshi: Zgjedhjet e reja të pashmangshme por problemi qëndron se kur do të mbahen?!
Shkruan: ANALISTI-Isuf Bajraktari
Procesi i zgjedhjes së Presidentit nuk është një procedurë formale kushtetuese. Në një republikë parlamentare, ai është tregues i pjekurisë politike dhe i respektit për ekuilibrin institucional. Presidenti duhet të jetë balancë, jo krah politik. Kur kjo vijë cenohet, dëmtohet vetë arkitektura kushtetuese e shtetit.
Oroshi: Zgjedhjet e reja të pashmangshme por problemi qëndron se kur do të mbahen?!
Lexoni edhe:
-Sot, në vend të emrave konkretë dhe marrëveshjeve të qarta, kemi paqartësi dhe heshtje. Kjo situatë lë hapësirë për dyshime të arsyeshme: a po përdoret ky proces si mjet për konsolidimin e mëtejshëm të pushtetit nga shumica qeverisëse, duke synuar një figurë më të kontrollueshme? Në momentet kyçe – mandatime, kriza institucionale, zgjedhje të parakohshme – Presidenti është nyje sigurie e sistemit. Por një president i kontrollueshëm nuk është president balancues.
Marrëdhënia mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti, që kulmoi me entuziazmin e 14 shkurtit 2021, sot duket si një aleancë që kishte më shumë interes politik sesa vizion afatgjatë institucional. Ajo që u paraqit si sinergji strategjike, me kalimin e kohës, u shndërrua në distancë të ftohtë. Kryeministri e shfrytëzoi momentin e fuqizimit të tij maksimal; Presidentja, nga ana tjetër, duket se e lexoi me optimizëm natyrën reale të partneritetit. Politika rrallëherë fal leximet e gabuara.
Ftohja ndërmjet dy zyrave nuk është e re. Ajo është bërë e dukshme prej kohësh. Nuk kemi të bëjmë vetëm me raport personal, por me qasje të ndryshme ndaj rolit institucional. Kur Presidentja ka shfaqur profil më aktiv në diplomaci, ndërsa qeveria ka kërkuar drejtim më të centralizuar të politikës së jashtme, përplasja ka qenë e pashmangshme. Pyetja thelbësore është: po ndërtojmë një president me autonomi kushtetuese apo një figurë që reflekton plotësisht vijën e shumicës?
Në këtë zhvillim, përgjegjësia nuk është vetëm e një pale. Lista Guxo, e ndërtuar mbi kapitalin politik të Presidentes, sot është thuajse e padukshme në këtë debat. Shtatë deputetë nuk janë pak në një sistem parlamentar, por heshtja e tyre i bën politikisht të parëndësishëm. Në politikë, heshtja është qëndrim. Kur nuk ngrihet zëri për standard institucional, pranohet realiteti i imponuar.
Nëse sot po kërkohet një emër i ri për President, çështja nuk duhet të reduktohet në individ. Thelbi është standardi që vendosim për këtë institucion: neutralitet i dukshëm, besim ndërpartiak, pavarësi nga vullneti i përkohshëm i shumicës.
Mandatet mbarojnë. Aleancat politike ndryshojnë. Por dëmi ndaj institucionit mbetet. Prandaj, pyetja nuk është vetëm nëse Presidenti do të zgjidhet brenda afatit kushtetues. Pyetja është nëse po ndërtojmë një Presidencë me peshë dhe autoritet moral, apo një zyrë që funksionon brenda orbitës së një qendre të vetme pushteti.
Nëse procesi i zgjedhjes perceptohet si kalkulim kontrolli dhe jo si ndërtim konsensusi, atëherë humbësi i vërtetë nuk do të jetë një individ, por vetë ekuilibri demokratik i Republikës.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".