Oroshi: Zgjedhjet e reja të pashmangshme por problemi qëndron se kur do të mbahen?!

Oroshi: Zgjedhjet e reja të pashmangshme por problemi qëndron se kur do të mbahen?!
Oroshi: Zgjedhjet e reja të pashmangshme por problemi qëndron se kur do të mbahen?!

Nue Oroshi

  • 13 March 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Nue Orsohi

Tash pas shpërndarjes së Parlamentit të Republikës së Kosovës, zgjedhjet e reja janë të pashmangshme. Por problemi qëndron në faktin se kur do të mbahen?! Njëra palë, e që është opozita e sotme, datën e zgjedhjeve e sheh në fund të prillit apo në fillim të majit. Ndërkohë që VV me partnerët e saj është duke luftuar që t’i shtyjë edhe dy muaj, me qëllim që data e zgjedhjeve të jetë korriku, kur në Republikën e Kosovës vjen mërgata dhe VV me partnerët e saj mund të marrin më shumë vota.

 

-Pavarësisht se çfarë vendimi do të bjerë Gjykata Kushtetuese, njëra palë gjithmonë do të ankohet. Edhe pleqnia, kur është ndarë në traditën shqiptare, shpeshherë njëra familje është ankuar se i është bërë e padrejtë. Por, sido që të jetë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të pranohen nga të dyja palët politike. Kurse zgjedhjet janë të pashmangshme, vetëm se tash është duke u zhvilluar luftë politike për datën e zgjedhjeve, për faktin se në cilën kohë u konvenon partive politike. Por një duhet të dihet: se pavarësisht se a janë dakord të gjitha partitë politike apo jo, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk duhet assesi t’i kalojë mandati pa i shpallë zgjedhjet e reja.

Mosshpallja e zgjedhjeve të reja deri më 4 prill nga ana e presidentes Osmani do ta sjellë një kaos politik në Republikën e Kosovës, për faktin se ushtruesja e detyrës së presidentes pas 4 prillit 2026, Albulena Haxhiu, nuk e ka të drejtën ligjore t’i shpallë zgjedhjet e reja, ndërkohë që Parlamenti është i shpërndarë. Caktimi i datës së zgjedhjeve do t’i qetësojë të gjitha partitë politike dhe ato duhet më pas t’i përgatisin listat me kandidatët e rinj për deputet për zgjedhjet e reja.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".