
Lexoni edhe:
Ja çka ndodh kur afati për vendimin e Kushtetueses lidhur me sqarimin e dekretit presidencial përfundon
Shkruan: ANALISTI-Idriz Zeqiraj
Pavarësisht kundërthënieve, por dhe kontrave, Kurti reflektoi pozitivisht për trajtimin e diferencuar të serbëve të Kosovës, me rastin e implementimit të Ligjit për të Huaj. Kjo trajtesë u vlerësua në rrafshin human dhe moral edhe nga Evropa dhe bota. Edhe favoret, më shumë se sa i meritonin, për shërbime bazike të komunitetit serb, duhet të mirëkuptohen nga ata, sepse inkuadrimi në jetën shoqërore e politike të atdheut të përbashkët, Kosovë. Dhe kjo do t’i favorizojë për një jetë ndryshe, nga ajo e sotme, e tensionuar nga regjimi fashizoid i Beogradit.
-Kosova i vlerëson opinionet e dhëna në superlativë nga Evropa dhe bota, koordinimin dhe bashkëpunimin me botën demokratike. Por, urojmë që lavdërimet e tyre të jenë të sinqerta, në veçanti nga Brukseli, dhe të mos kërkojnë më shumë fleksibilitet nga Prishtina për marrëveshjet e kaluara. Vijat e kuqe të Qeverisë Kurti dhe të shqiptarëve, Evropa dhe bota duhet t’i marrin seriozisht, sepse janë reale, pa tepri.
Kosovës i ka ndodhur gjëma e madhe, sepse Serbia u ndihmua nga Tirana zyrtare social-komuniste dhe Franca për t’ia siguruar agjentët e shantazhuar shqipfolës, madje në kupolë të shtetit dhe të pushtetit. Etja për pushtet dhe pasuri i zhyti në krime masive të ashtuquajturit “komandantë” të vetëshpallur, duke përndjekur dhe vrarë kundërshtarët politikë shqiptarë, luftëbërës e atdhetarë. Për krimet e tyre, Serbia dhe ndërkombëtarët hartuan dosjet faktike. Ata shumëzuan krimet edhe përgjatë pushtetit. Tashmë, të shantazhuarit u vunë në krye të dialogut, duke u bërë argatë të Serbisë.
Trinomi Hashim Thaçi, Edvin Rama, Aleksander Vuçiq projektuan ndarjen e Kosovës, nën maskën e këmbimit të territoreve. Kamera ka fiksuar një foto vetëfolëse. Tre banditërit e cituar, në kënd të sallës, ftuan kancelaren Merkel për të kërkuar aprovimin e saj për ndarjen e Kosovës. Përgjigjja ishte e sertë: “Lëvizja e kufijve në Ballkan është shpat i rrëshqitshëm”. Por Rusia dhe Serbia nuk u dorëzuan dhe ngulmojnë të zhvatin diçka!
Investimi tek agjentët e tyre ishte i madh. Në rrugëtimin e tyre për ta firmosur ndarjen e Kosovës, ish-presidenti shpirtshitur i Kosovës akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Plani ogurzi dështoi, por rreziku i së keqes vazhdon t’i rrijë mbi qafën e Kosovës, “si shpata e Demokleut!”
Realisht, Qeveria e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti pati një qasje ndryshe ndaj dialogut me Serbinë. Megjithatë, “loja” me emërtesa të tjera, si “menaxhim”, nuk është zgjidhje, veç sa ngjall huti. Mendoj se emërtesa e njëjtë me Asociacionin që ka Kosova, madje krejt i njëjtë si ai, me të drejta dhe detyrime, do të detyrohej ta pranonte komuniteti serb dhe ndërkombëtarët. Njëjtë e përzier me komunitete të tjera është edhe Kosova.
Duke hartuar një draft-statut identik edhe për veriun, do të ishte zgjidhje e pranueshme. Synimet e Serbisë janë qartësisht të lexueshme: ndarja e Kosovës ka qenë dhe mbetet projekt i tyre. Por Kosova, tashmë e lirë, do t’ua dështojë planet e tyre.
Pavarësisht çfarë është thënë, qoftë edhe nënshkruar, kohët kanë ndryshuar. Shembulli i Bosnjës, me asociacionin e saj të imponuar, ka bllokuar shtetin boshnjak. Kjo nuk guxon t’i ndodhë Kosovës tonë!
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".