“Deri në vitin 2050 do të shkojmë në gjithësi me lift”

  • 16 May 2019 - 08:29
“Deri në vitin 2050 do të shkojmë në gjithësi me lift”

Katedralet gotike, me majat e tyre “fluturuese” dhe me bukurinë strukturore, dikur konsideroheshin mrekulli arkitekturale, meqë dukej se kundërshtonin ligjet e gravitetit. Dhe, tani duket se ka diçka të vërtetë në tërë këtë mesele. Inxhinieri Peter Debney ka dalë me një teori, e cila huazon mënyrën sesi katedralet në fjalë kontrollojnë qendrën e tyre të gravitetit (duke shkuar duke u ngushtuar nga poshtë-lart) dhe e ka përdorë atë në konceptin e një lifti, i cili do t’i dërgonte njerëzit në gjithësi. Koncepti i liftit hapësinor për herë të parë është përmendur nga shkencëtari rus, Konstantin Tsiolkovsky, në vitin 1895. Në parim kjo tingëllon e thjeshtë – zgjateni një litar nga sipërfaqja e Tokës deri në gjithësi dhe udhëto përgjatë tij. Por, në praktikë, ndërtimi i një lifti të tillë është shumë i komplikuar.

Materialet

Janë të pakta materialet që janë aq të forta, apo që mund të prodhohen në sasi aq të mëdha, sa që të bëhej një kabllo aq e gjatë. Së dyti, litari do të duhej të lidhej në një stacion gjeostacionar, si dhe të lidhej me një kundërpeshë në hapësirë, për t’u siguruar se ai nuk do të shkëputej dhe për ta mbajtur sistemin e balancuar. Kur ndërtohen strukturat e larta, qofshin ato katedrale, apo rrokaqiej, fuqia dhe balanca vijnë nga qendra e tyre e gravitetit. P.sh. te njerëzit qendra e gravitetit është rreth barkut. Sa më e lartë që të jetë kjo qendër nga toka, aq më i vështirë është balancimi. Por, nëse ulet qendra e balancimit, atëherë çdo gjë bëhet më e lehtë. Ky parim përdoret te të gjitha ndërtesat e larta.

Duke vënë themele të forta e të thella në tokë, qendra e gravitetit zhvendoset nga mbitoka, në nëntokë. Inxhinieri strukturor Peter Debney, shpjegon se, graviteti të cilin ne e përjetojmë në sipërfaqen e Tokës, i ka dy komponentë. “Komponenti i parë është distanca jonë nga qendra e Tokës, apo nga qendra gravitacionale e Tokës. Meqë Toka nuk ka formë të rrumbullakut të përkryer, atëherë forca e gravitetit është më e madhe në polet e tokës, e më e ulëta në ekuator”.

Si do të funksiononte “lifti hapësinor”?

Inxhinieri Peter Debney thotë se litari do të mund të zgjatej nga ndonjë satelit, kurse si kundërpeshë do të mund të shërbente ndonjë asteroid i madhësisë adekuate. Kablloja do të bëhej nga grafeni, apo nanogypat e karbonit, për shkak se këto materiale janë të afta që të mbajnë barrë të rënda dhe ta bartin barrën e vet në mënyrë më efikase. Duke e lidhur kabllon në ekuator, atëherë përshpejtimi gravitacional në sistem do të ishte minimal. Lifti do të lëvizte nga orbita e poshtme, deri te orbita e epërme e Tokës dhe ai do të stabilizohej nga forcat e baticës. Kablloja nuk do të shtrihej nga Toka në gjithësi, por nga ndonjë satelit, teposhtë, në Tokë. Meqë kablloja do të ishte relativisht e hollë, ajo nuk do të rrezikonte shumë që të goditej nga trupat e ndryshëm qiellorë. Edhe rreziku i rënies së kabllos në Tokë do të ishte i vogël, meqë ai do të kishte një peshë të lehtë dhe ai do të ishte i tillë, sa që do të digjej në atmosferë para se të arrinte mbi Tokë. Kompania japoneze “Obayashi” tanimë ka bërë të ditur qëllimin e saj për ta ndërtuar një lift hapësinor deri në vitin 2050.

(Kosova Sot Online)