Katër takimet më të njohura me UFO

  • 04 June 2019 - 15:05
Katër takimet më të njohura me UFO

Disa ditë më parë, u shënua Dita Ndërkombëtare e UFO-ve. Duke filluar nga viti 2001, kjo festë jo e rëndomtë u ka dhënë adhuruesve të UFO-ve edhe një arsye që të shikojnë në qiell.

Ja katër takimet më të njohura me UFO. 

Roma antike, viti 214 para erës së re

Tingëllon çuditshëm, por historiani i lashtë romak Tit Livi, në vitin 214 para erës së re, ka shkruar rreth “anijeve fantazma” që shkëlqejnë në qiell. Shumë entuziastë të UFO-ve besojnë se ky është takimi i parë zyrtar me UFO-t, që është regjistruar nga historia.

Tunguska, Rusi, viti 1908

Eksplodimi i madh më 30 qershor të vitit 1908 mbi lumin Tunguska në Siberi, ishte aq i fortë, saqë kishte rrafshuar me tokë një pjesë të mirë të malit. Por, meqë askush nuk kishte qenë dëshmitar i asaj ngjarjeje, më vonë lindën spekulime të shumta se bëhej fjalë për rënien e një pjate fluturuese, apo për shpërthim të ndonjë UFO-je tjetër. Shkencëtarët skeptikë thonë se, me gjasë, më shumë bëhet fjalë për ndonjë meteorit, të ngjashëm me atë që kishte goditur Çeljabinskin vitin e kaluar, por e vërteta është “diku në mes”.

Rozvel, Nju Meksiko, viti 1947

Me gjasë, keni dëgjuar për këtë rast. Në fillim të verës së vitit 1947, një objekt i paidentifikuar fluturues (UFO) kishte rënë në shkretëtirë, në afërsi të Rozvelit. Ushtria e SHBA-së kishte thënë se bëhej fjalë për mbetjet e një balone eksperimentale, por publiku kishte një mendim tjetër.

Doza e madhe e misterit çoi deri te ajo që shumë njerëz besuan në teorinë e konspiracionit dhe se, në fakt, objekti që kishte rënë, ishte fluturake jashtëtokësore. Kështu, Rozvel u bë sinonim për teoritë e UFO-ve, duke frymëzuar shumë libra, seri TV dhe filma dokumentarë, bile-bile edhe një muze.

Uashington, viti 1952

Pak pas mesnatës së 19 qershorit të vitit 1952, kontrolli i trafikut ajror në Aeroportin kombëtar (tani aeroporti “Ronald Reagan”) në Uashington, ishte vërejtur një dritë e çuditshme në radar. Objektet (disa sish) gjendeshin rreth 20 km në jugperëndim të qytetit edhe pse për atë mbrëmje nuk ishte caktuar asnjë fluturim. Një kontrollor kishte shkruar sa vijon: „Menjëherë e ditëm se bëhej fjalë për një situatë të jashtëzakonshme... lëvizjet e tyre ishin krejt të ndryshme në raport me ato që bëjnë fluturaket e rëndomta”.

Gjatë dy javëve të ardhshme, dritat e portokallta, të çelëta, gjoja ishin parë edhe mbi Shtëpinë e Bardhë, e takimet me to ishin aq të shpeshta, sa që presidenti i atëhershëm amerikan Hary Truman kishte kërkuar personalisht shpjegim nga Trafiku ushtarak ajror. Në konferencën për shtyp, të mbajtur nga kjo agjenci më 29 qershor, ishte thënë se dritat në fakt ishin pasojë e “inversionit të temperaturës”, si pasojë e kushteve jo të rëndomta atmosferike. A ju duket i besueshëm ky shpjegim?!

(Kosova Sot Online)