Burri i vdekur e shpëton nga vetëvrasja

  • 16 qershor 2019 - 15:03
Burri i vdekur e shpëton nga vetëvrasja

Një libër i ri flet rreth paraqitjes së të vdekurve te më të dashurit e tyre

Një libër i ri sjell tregimet e australianëve, të dashurit e ndjerë të të cilëve ishin kthyer si fantazma, apo në ëndrrat e tyre, duke ua tërhequr vëmendjen për rreziqet që u kanoseshin. Ja dy tregime të këtilla. “Sinqerisht besoj se ai më ka shpëtuar” Të premten, më 2 shkurt të vitit 2013, më pak se dy muaj pasi që burri i saj Leigh kishte vdekur papritmas nga infarkti në zemër, Natasha Ponente, 32 vjeçe, kishte rënë në shtrat, me planin që, të nesërmen, të bënte vetëvrasje. Ajo ishte dërmuar nga dhembja dhe nuk ishte e aftë që të vazhdonte të jetonte pa burrin, të cilin e kishte takuar kur kishte vetëm 17 vjet.

Ajo nuk shihte rrugëdalje tjetër, pos që t’i bashkohej burrit të saj në botën tjetër. Por, në orët e hershme të mëngjesit, derisa Natasha ishte as fjetur, e as zgjuar, burri i saj i ndjerë iu paraqit përpara. “Krejt papritmas, Leigh u gjet para meje… dhe ai dukej saktësisht sikur që dukej derisa ishte gjallë. Mund ta ndjeja edhe aromën e parfumit ë tij “Chanel Egoiste”. U ktheva kah ai dhe i thash: “A jam duke ëndërruar, apo jam zgjuar”? Ai më tha: “Ti je e zgjuar. Unë jam me ty”. Unë i thash atij: ‘A e di se sa e pikëlluar dhe e lënduar që jam”? Ai mu përgjigj: “Po, zemër, e di dhe më vjen shumë keq, por dije se kurrë nuk do të të largohem”. Unë qaja e edhe ai qante. E përqafuam njëri-tjetrin. Ai më pas më tregoi se e dinte që unë isha përpjekur ta shpëtoja, e unë më pas i thash: “Çka të bëj tani”? Ai më tha se, një ditë, ne sërish do të bashkohemi, por më parë unë duhet të bëja shumë gjëra të tjera. Më pas, ai tha se do të vinte të më merrte. Unë i thash atij të më merrte menjëherë, por ai tha se nuk mundet dhe se unë do të jem në rregull, meqë ai kurrë nuk do të largohet nga unë”. Natasha tregon se më pas ishte zgjuar, jastëkun e kishte të njomur nga lotët dhe ende mund ta ndjente aromën e tij. Ajo tregon sesi vizita e burrit të ndjerë ia shpëtoi jetën.

“Përkujdesu për nënën!” Bianca kishte vetëm 15 vjet kur vëllai i saj i madh, Stephen, vdiq në një aksident me motoçikletë, në vitin 1988. Tani 41 vjeçe, infermiere dhe nënë e tre fëmijëve, Bianca tregon sesi Stephen i ishte paraqitur asaj rregullisht, për dy vjet pas vdekjes së tij. Vizita e parë kishte ndodhur në mbrëmjen e funeralit të tij. Bianca dhe nëna ishin duke fjetur në shtratin e Stephen-it, meqë shtëpia ishte mbushur me të afërm, që kishin ardhur për funeral. E ëma ishte duke fjetur, por Bianca ishte zgjuar dhe nuk mund të rehatohej. Ndjente se do të ndodhte diçka. Ajo lëshoi librin që mbante në duar dhe pa Stephen-in, të veshur me bluzën e tij të preferuar, të zezë dhe të hirtë, me të cilën edhe pritej të varrosej. “E tëra që mund të shihja, ishte pjesa e epërme e trupit të tij. ai dukej sikur ishte duke u lutur dhe na shikonte mua dhe nënën. Edhe pse nuk tha asgjë, unë kuptova atë që donte të ma thoshte: ‘Përkujdesu për nënën’. Atëherë i mbylla sytë dhe, kur i hapa sërish, ai tanimë kishte shkuar.

(Kosova Sot Online)