Gjithçka rreth xhindëve

  • 24 June 2019 - 15:12
Gjithçka rreth xhindëve

Sipas traditës islame, xhindet janë krijuar nga zjarri pa tym. Sipas disa interpretimeve, "zjarri pa tym" nënkupton pjesën e skajshme të flakës, apo pjesës më të mirë të zjarrit. Kjo d.m.th. se ata kanë një konstruksion krejt të ndryshëm nga njerëzit. Xhindet janë krijuar para njerëzve. Derisa xhindet janë krijuar nga zjarri, njerëzit janë krijuar nga balta, e engjëjt nga drita. Xhindet janë të padukshëm, por prania e tyre hetohet sikur prania e ajrit apo elektricitetit.

KU JETOJNË XHINDET?

Xhindet preferojnë që të jetojnë në ambiente ku nuk jetojnë njerëzit, p.sh. në shkretëtira dhe në djerrina. Disa prej tyre jetojnë në vende të ndyta, e të tjerët jetojnë në mesin e njerëzve. Xhindet që jetojnë në vende të ndyta, jetojnë duke ngrënë mbeturinat e ushqimeve, të hedhura nga njerëzit. Disa xhinde të tjera jetojnë në varreza dhe gërmadha.

A MUNDEN XHINDET TA NDRYSHOJNË FORMËN?

Xhindet mund ta ndryshojnë formën dhe pamjen. Ata mund ta marrin pamjen e njeriut a kafshës, p.sh. lopës, gjarprit, akrepit, zogut... Ata shpesh paraqiten në formë të qenit a maces së zezë. Kur ta marrin pamjen dhe formën e ndonjë krijese, për xhindet vlejnë ligjet e atyre krijesave. Kjo d.m.th. se një xhind në formë të kafshës, mund ta vrasësh sikur që e vret kafshën. Për këtë shkak, xhindet preferojnë që të mbesin të padukshëm, meqë kështu mund t'i frikësojnë njerëzit më lehtë.

A FRIKËSOHEN XHINDET NGA NJERËZIT?

Xhindet frikësohen nga njerëzit aq sa edhe ne frikësohemi nga ta. Por, për shkak të natyrës së tyre, megjithatë xhindet janë në gjendje që ta frikësojnë njeriun më shumë. Sikur edhe qentë, xhindet të sulmojnë më së shumti kur shohin se ke frikë nga ta.

A JANË XHINDET PËRGJEGJËS PËR VEPRAT E TYRE?

Sikur edhe njerëzit, xhindet janë në gjendje që ta dallojnë të mirën dhe të keqen, si dhe e kanë mundësinë e veprimit të lirë, vullnetin e lirë. Për këtë shkak, edhe ata janë përgjegjës për veprat e tyre. Thuhet se, sikur njerëzit, ka xhinde të feve të ndryshme. Disa prej tyre janë të devotshëm, e disa të tjerë zemërkëqij. 

(Kosova Sot Online)