Fantazma perverse’ që ia vodhi një gruaje të brendshmet për plot dy vjet

  • 03 July 2019 - 14:40
Fantazma perverse’ që ia vodhi një gruaje të brendshmet për plot dy vjet

Një grua ka ftuar një ndjekës fantazmash në shtëpinë e saj, pasi që mendonte se një fantazmë perverse ishte duke ia vjedhur të brendshmet

 

Pauline Hickson, e tmerruar, e ka ndërruar shtatë herë shtëpinë e saj brenda dy vjetësh, mirëpo pretendon që një shpirt i paturp e ka ndjekur atë kudo që shkonte dhe ia fshihte të brendshmet nëpër shtëpi. Mirëpo, pas shumë vështirësive, me të cilat është ballafaquar, Pauline, që vjen nga Hull-i i Anglisë, kishte vendosur që në shtëpinë e saj të ftojë një ekspert të dukurive paranormale, i cili pretendon që ka larguar fantazmën nga shtëpia e saj dhe atë përgjithmonë.

 Avulli në banjë

Pauline, 58-vjeçare, ka thënë: ‘Mendoja që jam duke u çmendur. Nuk e dija pse po më ndodh pikërisht mua ishte sikur të jetoja në ferr dhe nuk kisha me kë të bisedoja. Kthehesha nga puna në shtëpi dhe vëreja që të gjitha të brendshmet e mia ishin zhdukur. Përveç të brendshmeve, një tjetër dukuri që pothuajse më ka çmendur ka qenë banja ime, pothuajse gjithmonë ajo ishte e lagët dhe pasqyra ishte plot avull, pra dikush po pastrohej në banjën time gjatë kohës kur unë nuk isha në shtëpi. Si rrjedhojë e këtyre dukurive, unë kam humbur shumë njerëz në jetën time, pasi që pata arritur në një pikë kur nuk i besoja më askujt. Kaloja shumë kohë duke u sorollatur rrugëve të qytetit, vetëm që të mos qëndroja në shtëpi’.

Dukuria e zhdukjes së të brendshmeve të saj kishte filluar para dy viteve, kur ajo ishte bartur për të jetuar në një shtëpi njëkatëshe në veri të Hullit. Brenda pak javësh, ajo kishte filluar ta ndiejë prezencën e dikujt në shtëpi dhe kishte filluar të përjetojë disa eksperienca, të cilat sot e asaj dite nuk arrin t’i shpjegoj. Fotografitë lëviznin nga vendi i tyre në mur, si dhe dikush përdorte dushin e saj, në kohën kur ajo nuk ishte në shtëpi.

 Ndjekja nga fantazma

Ajo ka thënë që kur kthehej në shtëpi, i duhej të ballafaqohej me rrëmujën e lënë nga fantazma. Shumë shpejt ajo ishte larguar nga ajo shtëpi, mirëpo e njëjta gjë i kishte ndodhur edhe kur ishte bartur për të jetuar me familjarët dhe me shoqet e saj.

‘Një natë u ktheva nga një dyqan ku kisha shkuar për të blerë rroba, mirëpo u befasova kur pashë një rrëmujë të madhe në kuzhinë. Nga ai moment pata vendosur të largohem edhe nga shtëpia ku jetoja me motrën dhe familjen e saj’.

Pasi që ishte larguar nga ajo shtëpi, Pauline-a kishte vendosur që ta lë qytetin, duke shkuar për të jetuar në Kembrixh, mirëpo as atje ajo nuk kishte arritur të gjejë qetësi.

 Dëbimi i fantazmës

Pas pak muajsh, ajo ishte kthyer përsëri në Hull, mirëpo pamundësia për të jetuar e qetë e kishte detyruar atë që në shtëpinë e saj të ftojë Steve Kneeshaw-in, një ekspert në çështjet paranormale. Ai e kishte hipnotizuar Pauline-n, veprim të cilin e kishte kombinuar me një ekzorcizëm me rezultate të menjëhershme. Ai pretendon që ka parë një burrë të madh dhe një djalë të ri, rreth moshës 14-vjeçare, që ishin larguar nga shtëpia e Pauline-s.

Që prej asaj kohe, Pauline nuk ka përjetuar as edhe një dukuri të vetme paranormale në shtëpinë e saj.

Ajo beson që fantazma që e ka shqetësuar ka qenë e lidhur me një tavolinë të vjetër, të cilën e kishte blerë para se të vendosej në shtëpinë njëkatëshe në Hull dhe në të cilën kishte gjetur një kartë përvjetori të një martese dhe disa gjëra të tjera personale.


(Kosova Sot Online)